Lajme

Shënohet Festa e vjeljes së rrushit

Festa tradicionale e vjeljes së rrushit në Rahovec, mblodhi këtë fundjavë, bujq, vreshtarë, derëtarë dhe prodhues të ndryshëm bujqësor nga gjithë rajoni

Qytetarë të shumtë nga të gjitha viset e Kosovës, por edhe nga trojet tjera shqiptare, përfshirë këtu edhe politikanë, afaristë, fermerë e diplomatë të huaj të akredituar  në Prishtinë, kanë marrë pjesë këtë fundjavë, në festën tradicionale të vjeljes së rrushit që mbahet në Rahovec. 

Ndër të pranishme ishte edhe ambasadorja e Republikës së Francës në Kosovës, Maris Deviue, si dhe komandanti i detashmentit rajonal të jugut në kuadër të KFOR-it, koloneli Zorlu Topaloglu.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, në fjalën e hapjes së kësaj feste, tha se muaji shtator është muaj i mbledhjes së fryteve të ëmbla të  kësaj toke.

Kjo festë, siç tha ai, është ndër përpjekjet e Rahovecit për të promovuar prodhimtarinë e rrushit dhe verës, si dhe turizmin kulturor, e cila është kthyer, siç tha Vehapi, në burim të ardhurash për banorët e kësaj ane dhe të ekonomisë së Kosovës.

“Ne sot simbolikisht po e fillojmë sezonin e vjeljes së rrushit, duke vlerësuar mundin dhe kontributin e njerëzve të vyeshëm të kësaj ane. Kjo është edhe një mundësi që vreshtarët tanë të promovojnë prodhimtarinë e rrushit dhe të verës, për ta bërë konkurruese në shtete e rajonit dhe botës”, deklaroi Vehapi.

Janë mijëra hektar vreshta që tregojnë potencialin e Rahovecit, duke shtuar sipërfaqet vit pas viti.

“Kjo falë edhe ndihmës dhe subvencioneve qeveritare, që e kanë mbështetur këtë sektor në vazhdimësi. Kjo ka bërë që sektori i vreshtarisë e verëtarisë të njohë zhvillime ë hovshme, ndërsa verëtarët tanë të vyeshëm kanë marrë çmime e vlerësime pozitive në panaire dhe gara ndërkombëtare”, tha Vehapi.

Ndërsa zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Qazim Qeska,

tha se kjo ministri e ka ndihmuar në vazhdimësi sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë, ndërsa premtoi subvencione edhe në të ardhmen.

“Falë këtyre subvencioneve kulturua e hardhisë jo vetëm që është ringjallur, por sipërfaqet me hardhi rrushi po zgjerohen çdo vit. Kjo ministri do të vazhdojë ta mbështesë këtë sektor, sepse rezultatet janë evidente”, deklaroi zëvendësministri në detyrë i Bujqësisë.  

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Verëtarëve “Enologjia” Nevzat Haxhijaha, vuri theksin në punën e madhe që po bëhet për rritjen e cilësisë dhe sasisë së verës. Ndër të tjera ai tha se kultura e lashtë e kultivimit të hardhisë po pasohet me shumë kujdes nga banorët e Rahovecit.

“Në panairet e ndryshme të mbajtura jashtë Kosovës, kemi arritur rezultate të lakmueshme dhe kemi marrë vlerësim maksimal për verën tonë. Zhvillimi i mëtejmë i këtij sektori do të ndikojë në zbutjen e papunësisë dhe rritjen ekonomike të Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhijaha.

Në fund ai bëri thirrje që qytetarët e vendit të konsumojnë sa më shumë prodhime vendore, sepse në këtë mënyrë kemi mundësi të ndihmohemi reciprokisht.

Pas këtyre deklarimeve u mbajt ceremonia e nisjes së fushatës së vjeljes së rrushit në vreshtat e kompanisë “StoneCastle”, ku i pari i komunës Vehapi preu kalaveshët e parë të rrushit, duke uruar vreshtarët për vjelje të mbarë. 

Aktivitetet kanë vazhduar me garën për shtrydhjen e rrushit, garë për zgjedhjen e mbretëreshës së vreshtave, ndërsa në orët e mbrëmjes në qendrën e kulturës “Mensur

Zyberaj” trupa teatrale “Passion” nga Tirana shfaqi komedinë  “Një burrë me dy gra”.

Festa e sjelljes së rrushit është përmbyllur me një program festiv me grupe dhe artistë të muzikës nga komuna e Rahovecit. Ndërkohë që në mjediset e hotelit “Park” po vazhdon aktiviteti me karakter ndërkombëtar “Kolonia e artistëve- art dhe rrush”.

Ka aktivitet do të jetë i hapur deri më 10 shtator.