Integrimi

Shën Tereza, shëmbëlltyrë e humanizmit botëror, në orën e gjuhës shqipe

Në këtë vit shkollor ora e parë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër i kushtohet ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës

“Të jemi shpirtmirë, ta duam njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njeriun që kemi pranë “ porosia e Nënë Terezës.

Shqiptarja, Gonxhe Bojaxhiu, ose Nëna Tereza ( 1910-1997), si dhe e thërret bota mbarë, ka marrë pothuajse të gjitha mirënjohjet më të larta ndërkombëtare, deri edhe çmimin Nobël për Paqe me 10 dhjetor 1979. Qe ky kurorëzimi më i lartë botëror për Nënë Terezën. Tashmë ajo u bë e famshme në përmasa botërore, kurse për shqiptarët u bë krenari kombëtare. Gjithashtu, ajo u shenjtërua më 4 shtator 2016 nga Selia e Shenjt e Vatikanit.

Ajo është udhëheqëse shpirtërore, një figurë frymëzuese për shumë njerëz anembanë botës, humaniste, pasi ka bërë vetëm vepra bamirësie. “Falni dashuri në gjithçka bëni”, ishte thelbi i mendimit dhe sjelljes së saj.

Shën – Nënë Tereza u bë kultura më e lartë ndërlidhëse e njohjes së shqiptarëve në botë. Ajo u bë qytetare e botës, popujve, feve dhe e qytetërimeve. Për të u ngritën përmendore në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Bratislavë, Strasburg, Madagaskar, Johanesburg etj..

Në këtë vit shkollor ora e parë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër i kushtohet ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës. Në Shkollën shqipe në kantonin Jura në ketë kuadër  kam realizuar mësimin përmes  Projektit me temë “Nënë Tereza, jeta dhe vepra e saj” të gjithë fëmijët u përfshin  në bashkëbisedim, çdo njëri ishte aktiv në lidhje me jetën dhe veprën e saj. Të frymëzuar nga jeta dhe vepra e Nënë Terezës, nxënësit krijuan portretin e saj përmes vizatimit, një vjershë dhe një hartim në gjuhën shqipe, kam shfrytëzuar njohurit dy gjuhësore të nxënësve dhe teksti është përkthyer në frëngjisht. Ja disa prej vizatimeve më të mira të nxënësve të shkollës sonë: Donika Pjetraj, Lorik Ferati, Olti Hoxha, Klea Ajeti, Ena Ajeti, Léa Mehmetaj, Andi Rexhepi, Leon Dobruna, Leona Lumeshi, Ardi Mahmuti,  Erona Ramabaja, Altina Mahmuti, Elona Ramadani, Gent Muhaxheri, Gentian Ramabaja, Teo Rexhepi, Elton Fetahaj e shumë të tjerë.