Integrimi
Shefja e ekzekutivit të Kantonit të Cyrihut: “Ja përse e kemi anuluar Alba Festivalin”
Në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch, Jacqueline Fehr, e cila qëndron në krye të ekzekutivit të Kantonit të Cyrihut, zbulon arsyen e marrjes së vendimit afatshkurtër për anulimin e festivalit dhe tregon nëse ajo do të kërkojë falje për këtë
Pas anulimit të Alba Festivalit, kryetarja e Qeverisë së Kantonit të Cyrihut, Jacqueline Fehr u gjet në shënjestër të goditjeve nga mediat. Drejtoresha e Drejtorisë së punëve të brendshme dhe të drejtësisë ka korrur kritika të ashpra si nga SP (partia e saj) ashtu dhe nga SVP.
Në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch ajo na zbulon arsyen e marrjes së një vendimi kaq afatshkurtër për anulimin e festivalit dhe tregon nëse ajo do të kërkojë falje për këtë.
Albinfo.ch: Cila ka qenë arsyeja vendimtare për anulimin e Alba-Festivalit?
Jacqueline Fehr: Sfondi i kësaj është situata kërcënuese epidemiologjike. Njësitë e kujdesit intensiv janë shumë të ngarkuara, spitalet kanë arritur në kufirin e ngarkesës së tyre. Në një situatë të këtillë, lejimi i Alba Festivalit paraqitej problematik, për dy arsye.
E para, sepse këtu bëhej fjalë për një festival të madh me shumë vizitorë, të cilët qarkullojnë, vallëzojnë, këndojnë dhe flasin mes vete zë të lartë në një areal të kufizuar. Aktivitete të ngjashme si ai zëvendësues për aktivitetin e njohur “Open Air Frauenfeld” ose “Zurich Openair” janë anuluar nga autoritetet ose nga organizatorët.
E dyta, Alba Festival i drejtohet një popullate që aktualisht është e rrezikuar në mënyrë të veçantë. Ata që jetojnë në afërsi me njerëzit të cilët një pjesë të verës e kanë kaluar në vendet e Evropës Juglindore, aktualisht i ekspozohen një rreziku mbimesatar të infektimit. Këtë e tregojnë numrat nga Gjurmimi i Kontakteve dhe reagimet nga spitalet tona.
Albinfo.ch: Në çfarë rrethanash mund të shmangej anulimi?
Jacqueline Fehr: Ne ishim detyruar të vendosnim shpejt sepse na mungonte koha që të shqyrtonim zgjidhje të tjera bashkë me organizatorët.
Albinfo.ch: Gjakrat janë nxehur edhe nga shkaku se në po atë të shtunë (kur duhej të mbahej alba festivali) u lejua mbajtja e disa technoparty-ve dhe madje edhe manifestimi “Zürich Pride”, me disa dhjetëra mijë pjesëmarrës. Me çfarë dallojnë këto aktivitete nga Alba-Festivali?
Jacqueline Fehr: E kuptoj shumë mirë se është e vështirë të bëhet dallimi. “Pride” kualifikohet si një manifestim politik; manifestimet si ky, sipas kritereve të Covidit, mund të organizohen në çdo kohë. Ndërsa ndryshon puna me aktivitetet kulturore dhe sportive. Këto duhet të anulohen kur rreziku është shumë i lartë. Dhe një situatë e tillë ishte në rastin e Alba-festivalit, sipas vlerësimit të ekspertëve.
Albinfo.ch: Ju po merrni aktualisht kritika të ashpra nga ana e SVP-së dhe madje edhe nga SP, në lidhje me anulimin në një afat të shkurtër të festivalit. Tërheqja e miratimit të bërë më parë, është jashtëzakonisht irrituese. A mund të shprehni një qëndrim lidhur me këtë?
Jacqueline Fehr: Unë mund ta kuptoj shumë mirë pakënaqësinë lidhur me revokimin. Më vjen shumë keq që u desh ta anulonim koncertin. Dhe më vjen po ashtu shumë keq që kjo ndodhi në një afat kaq të shkurtër. Kjo rrethanë e bën situatën veçanërisht të rëndë, si për organizatorët ashtu dhe për publikun, i cili po i gëzohej një festivali të madh. Ne nuk e kemi marrë vendimin me lehtësi. Por pasi peshuam me kujdes të gjitha aspektet, erdhëm në përfundimin se duhet ta marrim një vendim të tillë.
Albinfo.ch: Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës, nisur nga anulimi afatshkurtër, kërkon një kërkimfalje nga ana juaj. Sa jeni e gatshme Ju, si përfaqësuese e këtij vendimi që ta bëni këtë?
Jacqueline Fehr: Unë ndihem shumë keq për faktin se e tërhoqëm miratimin vetëm dy ditë para se të mbahej aktiviteti. Nga ana ligjore unë nuk mund të kërkoj falje sepse ligji e thotë se një aktivitet mund të anulohet nga autoritetet në çdo kohë, pra madje edhe vetëm një ditë para mbajtjes. Këtë e dinë të gjithë organizatorët, sepse një gjë e tillë është e shkruar në çdo miratim. Por, personalisht dua të kërkoj shumë falje për faktin që ne nuk e kemi tërhequr miratimin një javë më parë.
Faktin se arsyetimi që ne i kemi bërë anulimit do të perceptohet si diskriminues, unë e marr me shumë seriozitet. Unë jam angazhuar gjatë gjithë jetës sime politike për një shoqëri inkluzive, për integrim dhe shanse të barabarta të të gjithë njerëzve në Zvicër si dhe kundër përjashtimit, diskriminimit dhe racizmit. Në këtë kuptim, më dhemb akuza për diskriminim. Për këtë arsye unë dëshiroj që qasja jonë të shqyrtohet në mënyrë të pavarur nga aspekti i diskriminimit dhe e kam lutur Komisionin Federal kundër racizmit që të bëjë një gjykim. Përmes kësaj, shpresoj që të gjithë ne të mësojmë nga përvojat e kaluara.
Albinfo.ch: A ka aktivitete të tjera, të cilat ndodhen para anulimit, në rast se nuk përmirësohet situata?
Jacqueline Fehr: Profesionistët kompetentë janë duke mbikëqyrur, nga pikëpamja e gjendjes epidemiologjike në vazhdimësi aktivitetet tashmë të lejuara. Ne përpiqemi që këtë ta bëjmë sa më herët që të jetë e mundshme. Nuk do të duhej të ndodhte edhe njëherë tjetër që të bëhet një revokim në një afat kaq të shkurtër.
Albinfo.ch: Cila është rëndësia që popullata shqipfolëse i jep gatishmërisë për vaksinim?
Jacqueline Fehr: Vaksinimi është mbrojtja më e mirë kundër pandemisë. Sa më shumë njerëz që vaksinohen, aq më normale do të bëhet sërish jeta jonë. Për këtë arsye, Kantoni i Cyrihut synon një shkallë sa më të lartë të vaksinimit. Qeveria përpiqet që të arrijë te njerëzit përmes mënyrave nga më të ndryshmet dhe t`i motivojë ata që të vaksinohen. Në këtë kuptim, gatishmëria për vaksinim e të gjithë banorëve të kantonit ka për ne një rëndësi shumë të madhe, prandaj edhe ajo e popullatës shqipfolëse.
Albinfo.ch: A keni shifra konkrete që tregojnë se sa shqiptarë janë vaksinuar deri më tani?
Jacqueline Fehr: Spitalet, të cilat janë më të afërta me situatën, na njoftojnë se nëntë nga dhjetë pacientë që është dashur të hospitalizohen për shkak të sëmundjes me Covid, janë të pavaksinuar. Dhe Task Forca Shkencore e Federatës ka shkruar në raportin e saj të 24 gushtit se nga 40 për qind të të gjithë të hospitalizuarve të cilët kanë dhënë informata për vendin e dyshuar të infektimit, 80% kanë përmendur Kosovën ose Maqedoninë e Veriut. Kjo mundëson të nxirren përfundime për një shkallë të ulët vaksinimi.
Albinfo.ch: Cilat masa po merren për të sqaruar më mirë komunitetin shqiptar dhe për ta motivuar që të vaksinohet?
Jacqueline Fehr: Janë duke ndodhur mjaft gjëra në këtë drejtim, madje që nga pranvera e vitit 2020. Departamenti i Integrimit në kuadrin e drejtorisë time, ka përkthyer të gjitha informatat e rëndësishme zyrtare në një numër të madh gjuhësh dhe ja ka lënë në dispozicion drejtorisë së shëndetit. Kjo e fundit ka shtypur pllakate dhe fletëpalosje në gjuhë të ndryshme – edhe në gjuhën shqipe. Komunat po përpiqen që përmes kanaleve të tyre të mbërrijnë grupet e caktuara të popullsisë. Ka, veç kësaj, edhe përpjekje të bëra nga shoqata sportive, bashkësi fetare dhe aktorë tjerë të shoqërisë civile. Dhe, para së gjithash, ka përpjekje të fuqishme nga vetë komuniteti shqiptar – këtu kam parasysh, për shembull, apelin për vaksinim që ka bërë albinfo.ch në bashkëveprim me shqiptarë prominentë. Për këtë angazhim dëshiroj që, në emrin e qeverisë, t`ju falënderoj përzemërsisht.
Albinfo.ch: Sa serioze është aktualisht situata me kovidin në Kantonin e Cyrihut?
Jacqueline Fehr: Situata është e tendosur. Më shumë se 90 për qind e shtretërve të njësive intensive në Kantonin e Cyrihut janë të zënë. Triemlispitali (spitali qytetit të Cyrihut) është detyruar të shtyjë operacionet për më vonë. Ne vazhdojmë të jemi në një gjendje kritike. Ne të gjithë jemi përgjegjës për të ndihmuar që situata të mos ashpërsohet më tutje por që, përkundrazi, të shtendoset. Ne të gjithë mund të japim një kontribut në këtë drejtim: Të vaksinohemi dhe t`i motivojmë prindërit tanë, miqtë dhe kolegët e futbollit që të vaksinohen.
Intervistën e ka realizuar Adriatik Salihi
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve