Lajme

Shefi shqiptar shpërblen punëtorin e tij gjerman me pushime në Shqipëri

Bashkatdhetari ynë, Ilir Hajzer Seferi, afarist e veprimtar i mirënjohur në Gjermani, vlerëson punëtorin e tij shumëvjeçar gjerman, duke e shpërblyer atë me një javë pushim në bregdetin shqiptar, ose në “perlën e Evropës”, siç e ka prezantuar ai.

“Të dashur miq! Sot dua të falënderoj një punonjës të veçantë për bashkëpunimin e tij të gjatë me ne”, shprehet z. Seferi në një postim të tij të publikuar nga gazetari i njohur Demir Reshiti, në fb, transmeton albinfo.ch.

Kështu i drejtohet Iliri punëtorit të tij gjerman:

“Pas 18 vitesh besnikëri të palodhur dhe pune të jashtëzakonshme, dua të të falënderoj nga zemra. Angazhimi dhe besnikëria jote kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e kompanisë sonë.

Si shenjë mirënjohjeje, dua të të dhuroj një javë pushimi në Shqipëri. Shpresoj që ta shijosh këtë pushim të merituar në maksimum.

Faleminderit për gjithçka, Peter!

Me përshëndetje të përzemërta,
Ilir Hajzer Seferi”