Lajme

Shefi i Ushtrisë së Zvicrës po qëndron në Kosovë

Fillimisht, kreu i ushtrisë do të ndalet në Kosovë, ku do të vizitojë lokacionet e ndryshme të personelit të ushtrisë zvicerane dhe më pas do të marrë pjesë në festën e Krishtlindjeve

Më 22 dhe 23 dhjetor 2021, shefi i ushtrisë, komandanti i Korpusit Thomas Süssli, ashtu sikur bën tradicionalisht çdo vit, po viziton misionin SWISSCOY në Kosovë dhe pjesëtarët e Ushtrisë Zvicerane në kuadër të  EUFOR ALTHEA LOT në Bosnje dhe Hercegovinë.

Me vizitën e tij në trupa, shefi i ushtrisë dëshiron të falënderojë pjesëtarët e ushtrisë që janë në detyrë dhe të nderojë arritjet e vitit të kaluar, thuhet në një komunikatë të forcave të armatosura të Zvicrës. Komandanti i korpusit Thomas Süssli shoqërohet në vizitën e tij nga ministrja në Qeverinë e Kantonit Thurgaut, Cornelia Komposch dhe ajo e Schaffhausenit, Cornelia Stamm Hurter.

Fillimisht, kreu i ushtrisë do të ndalet në Kosovë, ku do të vizitojë lokacionet e ndryshme të personelit të ushtrisë zvicerane dhe më pas do të marrë pjesë në festën e Krishtlindjeve të kontingjentit të 45-të të SWISSCOY, trabnsmeton albinfo.ch. Është planifikuar edhe një takim dypalësh me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor hungarez Ferenc Kajári, ku do të bëhet fjalë për situatën e sigurisë në terren dhe kontributin e Zvicrës për KFOR-in.

Më 23 dhjetor, shefi i ushtrisë do të udhëtojë për në Sarajevë të Bosnje-Hercegovinës dhe do të takohet me pjesëtarët e ushtrisë zvicerane të kontingjentit të 35-të të EUFOR ALTHEA LOT. Një bisedë me komandantin e EUFOR-it, gjeneralmajor austriak Alexander Platzer, është gjithashtu në program.

Për shkak të situatës aktuale të pandemisë, është duke u zbatuar një koncept i rreptë i mbrojtjes në mënyrë që vizita të bëhet në kushte të përshtatshme.