Lajme

Shefi i mjekëve të Zvicrës, në izolim: ka rezultuar pozitiv me korona

Deri më tani tek ai janë shfaqur vetëm simptoma të lehta, kështu që Lukas Engelberger do të ushtrojë detyrat e tij zyrtare, sa të jetë e mundur, nga shtëpia

Këshilltari qeveritar i kantonit Basel-Stadt i cili njëherësh është në krye të Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Shëndetësisë, Lukas Engelberger, ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus fundjavën e kaluar.

Sipas një komunikate të Këshillit Qeveritar, ai, pas rezultatit pozitiv, ka shkuar menjëherë në izolim, trasnmeton albinfo.ch. Deri më tani tek ai janë shfaqur vetëm simptoma të lehta, kështu që Lukas Engelberger do të ushtrojë detyrat e tij zyrtare, sa të jetë e mundur, nga shtëpia, shkruan srf.ch.

Si burim i infeksionit, supozohet të ketë shërbyer sëmundja e dikujt në mjedisin e tij familjar. Sipas informacioneve të disponueshme, ai ka marrë një javë më parë vaksinimin përforcues (dozën e tretë).

Anëtarët e tjerë të këshillit qeveritar të kantonit Basel-Stadt nuk kanë simptoma të sëmundjes së koronavirusit.

Sipas sqarimeve të bëra nga shërbimi mjekësor i kantonit, nuk ekziston detyrim për karantinë për ta për shkak të masave mbrojtëse të marra në organin qeveritar.