Zhvillim

Shefi i ARBK-së për vizitë pune në Zvicër

Drejtori i Agjensionit Kosovar për Regjistrimin e Bizneseve Gazmend Mejzini, nga e hëna ndodhet për vizitë disaditëshe pune në Zvicër

 Vizitës i ka paraprirë kërkesa që avokati dr. Mafred Küng (pronar i avokaturës së njohur Büro Küng) i kishte bërë kryetares së Federatës së Zvicrës, Simonetta Sommaruga për të ftuar në Zvicër Gazmend Mejzinin.
Pas miratimit nga ana e kryetares së federatës, Zyra Federale e Drejtësisë është ngarkuar me organizimin e kësaj vizite.
Qëllimi i ardhjes së z. Mejzini në Zvicër është vizita në Zyrën e Regjistrimit të Bizneseve të Kantonit të Soloturnit dhe në Zyrës Federale për Regjistrimin e bizneseve.
Ajo që synon kjo vizitë është njohja e mysafirit nga Kosova me konceptin juridik dhe atë funksional të regjistrit zviceran të bizneseve, regjistrimin elektronik të të dhënave ne terren në Regjistrin Kantonal, pastaj shpjegimi i funksionimit të Zyrës Federale të regjistrit të Bizneseve. Po ashtu në sferën e interesimit të tij hyn edhe demonstrimi i funksionit mbikëqyrës të Zyrës Federale dhe përshtatja e zgjidhjeve për regjistrimin elektronik të të dhënave me shkallën e zhvillimit teknik të gjeneratave më të reja të  softuerit.
Të gjitha këto do t`i mundësojnë mysafirit nga Kosova të vlerësojë nëse Regjistri Zviceran i Bizneseve mund të merret si model për tu aplikuar në Republikën e Kosovës.
Në shoqërim të Mejzinit është edhe një ekspert i informatikës, ndërsa konsulenti juridik në zyrën “Büro Küng”, Orhan Spahiu e ka parapërgatitur vizitën nga ana organizative dhe ka shoqëruar delegacionin edhe në cilësinë e ndërmjetësuesit dhe përkthyesit.
Mund të konsiderohet se zgjidhja e bërë para rreth 25 viteve për regjistrin e bizneseve, e aplikuar veç tjerash në Kantonin e Soloturnit dhe në nivel të Zvicrës, është ende konkurruese në nivel botëror për efikasitetin dhe koston e saj.

Deri nga fillimi i viteve `90 në Zvicër regjistrimi i bizneseve është bërë në mënyrë mekanike në libra të trashë ose në karta për regjistrim. Pastaj regjistri është modernizuar dhe thjeshtësuar kështu që ai mundëson nxjerrjen automatike të teksteve dhe të të dhënave të kërkuara. Me sistemin e ri qenë mundësuar kursime të mëdha.
Zvicra ka interes që në sa më shumë vende të botës të etablohen sisteme të regjistrit të bizneseve që janë të krahasueshme me atë të Zvicrës. Edhe Kosova ka interes për përpunimin më efikas dhe aktualizimin e regjistrit të bizneseve gjë që do të bëjë edhe uljen e kostos.
Drejtori i Agjensionit të Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve, Gazmnd Mejzini ka ardhur në Zvicër  të hënën ku është pritur në Cyrih nga dr. Manfred Küng, shef i zyrës së përmendur “Buro Küng”. Avokati dr. Küng ka punuar më parë me regjistrat e bizneseve dhe është meritor për modernizimin e tyre në nivel të Zvicrës.
Gjatë vizitës treditëshe, Mejzini do të jetë mysafir i Zyrës për Regjistrimin e Bizneseve në Solothurn, asaj federale në Bernë, pastaj do të vizitojë edhe zyrën për përpunimin elektronik të të dhënave po ashtu në Bernë etj.