Uncategorized

SHBA thirrje partive politike: Ratifikojeni Demarkacionin

Diplomati amerikan Greg Delawie edhe sot u ka bërë thirrje sërish partive politike të përfaqësuara në Kuvend, që të ratifikojnë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Derisa ligjvënësit kosovarë po vazhdojnë përplasjet për çështje procedurale e konceptuale për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, është ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie që po kërkon nga kosovarët që ta miratojnë marrëveshjen dhe t’ia hapin derën integrimit.

Diplomati amerikan edhe sot u ka bërë thirrje sërish partive politike të përfaqësuara në Kuvend, që të ratifikojnë Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ai nga afër po i përcjell seancat e Kuvendit në të cilat po diskutohet çështja e ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, ndërsa sot ka qenë i pranishëm në Kuvend gjysmë ore para se të vijnë deputetët kosovarë.

“Tani është koha për të gjitha partitë politike që të demonstrojnë lidership. Arrini marrëveshje që i vendosë qytetarët në rend të parë. Miratojeni demarkacionin e kufirit”, ka shkruar Delawie, në rrjetin social Twitter.

Ratifikimi i demarkacioinit të kufirit me Malin e Zi, mbetet kushti i vetëm i paplotësuar nga institucionet e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Afati i fundit për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, në mënyrë që Kosova të përfshihet në agjendën për liberalizimin e vizave, mbetet 28 shkurti, kur edhe është caktuar vazhdimi i seancës.

Nëse për herë të parë nuk ratifikimohet marrëveshja për kufirin, sipas kushtetutës, e njëjta marrëveshje nuk mund të kthehet në në Kuvend për miratim para tre muajve. Dhe kjo, rrjedhimisht e humb ritmin që sivjet kosovarët ta fitojnë liberlazimin e vizave.