Uncategorized

SHBA-ja do të ratifikojë Protokollin për Maqedoninë në NATO në qershor

Senati pritet ta ratifikojë Protokollin për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO në muajin qershor, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës Xhejms Rish, kryesues me Komisionin e Senatit për punë të jashtme.

“Për rreth dy javë, Komisioni do të dëgjojë për Protokollin. Më pas, ai do të duhet të shkojë në votim para tërë Senatit. Është shumë e sigurt se kjo do të ndodhë në qershor. Jemi optimistë të kujdesshëm se këtë do ta bëjmë atëherë”, ka thënë Rish.

Senatori pret mbështetje të madhe për ratifikimin e Protokollit ose, siç thekson, 98 nga 100 senatorë do të votojnë për të.

“Mendoj se me këtë do të përmbushet zbrazëtira e madhe që ka ekzistuar në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkan. Besojmë se shteti do të jetë shtesë e fuqishme e forcave të NATO-s në atë rajon”, deklaroi Rish.

Mendon se gjëja speciale që Maqedonia e Veriut do t’i sjellë Aleancës është poligoni për stërvitje, i cili, sipas tij, do të shfrytëzohet shumë shpesh me anëtarësimin në NATO.

“Natyrisht dhe normale është që të shihni edhe aktivitete ekonomike që do të vijojnë pas inkuadrimit. Askush nuk do të befasohet që të ketë zhvillim ekonomik”, beson Rish.

Ai thotë se referendumi i vitit të kaluar ishte indikator i qartë se populli nuk e dëshiron përzierjen e Rusisë në shtet, duke shtuar se hyrja në NATO do të jetë edhe refuzim i fundit i ndikimit malinj që ajo e sjell, shkruan alsatM, përcjell Albinfo.ch.

“Besoj se shumica e njerëzve do të donin të kundërshtojnë në agresionin rus dhe të jenë nën mbrojtjen e aleancës më të fuqishme ushtarake që ndonjëherë është krijuar në historinë e botës. Nëse unë do të jetoja në këtë rajon, do të doja të jem pjesë e NATO-s që e garanton sigurinë e shtetit tim”, thotë Rish.

Senatori tha se në fillim të vitit është takuar me persona zyrtarë të Maqedonisë së Veriut, të cilëve ua ka transmetuar mesazhin për korrupsion, demokraci, liri të fjalës dhe të drejtat e njeriut.

“Amerika është model për njerëzit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për korrupsion, demokraci, liri të gjuhës ose të drejtat e njeriut. E tërë kjo jemi ne dhe Amerika. Besoj se këto janë shtyllat tona, të cilat njerëzit i duan. Nuk duam t’u themi njerëzve çka duhet të bëjnë, por, këto mesazhe pranohen pothuajse në të gjitha shtetet e botës”, theksoi ai.

Theksoi se Maqedonia e Veriut është partnere e SHBA-së dhe ajo edhe më tej do të mbetet mbështetëse e fuqishëm e interesave të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.