Bota

SHBA: Rikthehet dhe vlerësohet sërish shkrimi i dorës në shkolla

Pasi që shkencëtarët kanë treguar për dobitë njohëse, shkrimi i dorës është duke bërë një rikthim në disa shkolla amerikane me mbështetjen aktive të prindërve, të cilët shqetësohen për nivelin në rënie të nxënësve, njofton albinfo.ch.

Faqja e internetit Quartz tregon se si në shtetin e Luizianës studentët do të kenë përsëri kurse për shkrim me dorë pas miratimit të një ligji. Në total, katërmbëdhjetë shtete të SHBA-së kanë inkuadruar sërish kurse për dorëshkrim në programet shkollore, pas një dekade lundruese për shkak të përparimeve teknologjike. Sepse studiuesit kuptuan se efektiviteti i të mësuarit me kompjuterë mbivlerësohej në masë tepër të madhe, raporton albinfo.ch. Ata kanë konstatuar se nxënësit  tregojnë gjithnjë e më shumë kufizime kur nuk dinë të shkruajnë mirë me dorë.

“Në epokën e kompjuterëve, miti se nuk do të ketë më nevojë për dorëshkrim mbetet fatkeqësisht i gjallë. Por, kjo nuk është ajo që hulumtimet tona tregojnë. Ne kemi zbuluar se nxënësit, deri në klasën e gjashtë, arrinin të shprehin më shumë ide dhe më shpejt nëse shkruanin me dorë në vend të laptopit”, thotë Virginia Berninger, profesoreshë në Universitetin e Uashingtonit, hulumtimi i së cilës fokusohet në të mësuarit e dorëshkrimit në shkollat publike. Sipas saj, dorëshkrimi përmirëson performancën dhe kapacitetet njohëse të nxënësve dhe lehtëson mësimin e tyre.

Beth Mizell, senatore e Luizianes, e cila ka propozuar këtë ligj, tregon sa shumë befasohet kur sheh studentët e saj që punojnë dhe që janë të paaftë për të deshifruar dokumentet e vjetra të shkruara me dorë.

Kapacitet më i mirë për sintezën

Studimet shkencore tregojnë gjithashtu se fëmijët dhe të rriturit, të cilët marrin shënime me dorë, kanë absorbimin më të mirë dhe kapacitet më të madh për sintezën se ata që i marrin ato në kompjuter.

Ndërsa formimi i çdo germe kërkon lëvizje të ndryshme me stilolaps, ky veprim i trurit nuk ndodh në laptop. Në fakt, stilolapsi i kërkon më shumë punë trurit, gjë që është më e shëndetshme.

“Ne kemi vërejtur se studentët që marrin shënime në laptopë janë ata që kanë marrë rezultatet më të keqija në çështjet konceptuale…  Ata që marrin shënime me kompjuterë kanë tendencë të shkruajnë fjalë për fjalë atë që e dëgjojnë, në vend se të marrin informacionin për llogarinë e tyre. Kjo është e dëmshme për të mësuar”, kanë theksuar në vitin 2014 hulumtuesit në Universitetin Princeton në lidhje me një studim mbi këtë temë.

Sipas tyre, shënimet me dorë kërkojnë zgjedhje, sepse ato nuk mund të shkruajnë në ritmin e diktimin. Për këtë arsye ata detyrohen të qëndrojnë të fokusuar për të shkruar vetëm kuptimin e bisedës.