Lajme

SHBA ndihmon FSK-në me 9.2 milionë dollarë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e ndihmojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës me një vlerë prej mbi 9.2 milionë dollarësh

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndihmon Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) me një shumë prej 9.2 milionë dollarësh për vitin 2016. Këto mjete kryesisht do të orientohen në modernizmin e pajisjeve për komunikim në njësitet operative të FSK-së.

Marrëveshja është realizuar në kuadër të Bashkëpunimit Bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), respektivisht Zyrën për Bashkëpunim të Mbrojtjes në Ambasadën e SHBA–ve në Kosovë. Marrëveshjen në emër të Qeverisë së SHBA–së e ka nënshkruar koloneli David Bennett, kurse në emër të MFSK–së sekretar i përgjithshëm, Shkëlzen Sylaj.

“Donacioni për vitin 2016 kap vlerën prej 9,138,497.00$, njëherazi është edhe një përkrahje e radhës që SHBA–të po japin për Kosovën e në veçanti për FSK –në.

Siç parashihet, ky donacion do të realizohet gjatë vitit 2016, ndërsa mjetet do të përdoren për zhvillim profesional të pjesëtarëve të FSK–së, rritjen e operacionalitetit të njësiteve të FSK–së, respektivisht për pajisjen e njësiteve të FSK–së me radiolidhje taktike, si dhe ngritjen e rrjetit strategjik të komunikimit”, thuhet në njoftimin e MFSK-së.

Falë ndihmës së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, FSK–ja, sipas të njëjtit njoftim, po ngrit kapacitetet e saja operacionale si dhe po realizon trajnime specialistike në të gjitha njësitet e saj.