CH-Ballkani

SHBA mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, ka shprehur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimit me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Mitchell ka shprehur pritshmërinë se procesi i dialogut do të sjellë zgjidhje të shpejtë politike.

Mitchell i ka thënë kryeministres serbe se SHBA-ja së bashku me partnerët evropianë janë të hapur të shqyrtojnë propozimin e zgjidhjes në të cilën do të arrijnë Prishtina dhe Beogradi, thuhet në njoftimin e Qeverisë serbe, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Mitchell ka takuar ditë më parë në Nju-Jork edhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin e parë, Behgjet Pacolli, përcjell albinfo.ch.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Presidentit është thënë se “në këtë takim është biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, avancimin e agjendës euroatlantike të Kosovës, procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, si dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas komunikatës, Mitchell është thënë të ketë siguruar presidentin e Kosovës se “SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e gjithmbarshme për Kosovën”.