Koronavirusi: çast pas çasti

SHBA-ja krijon testin që ofron rezultate në pesë minuta për Covid-19

Autoritetet amerikane i kanë dhënë dritën e gjelbër në orët e fundit një testi për të diagnostikuar COVID-19, të prodhuar nga kompania farmaceutike Abbott, e cila ofron rezultate në 5 minuta.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA (FDA) e autorizoi këtë test mbrëmë për përdorim urgjent, transmeton Telegrafi.

Abbot tha në një deklaratë se testi mund të ofrojë rezultate pozitive në pesë minuta, dhe rezultate negative në 13.

Kompania farmaceutike shtoi se testet do të jenë në dispozicion javën e ardhshme për qendrat e përcaktuara shëndetësore në vend, dhe se planifikon të dërgojë 50,000 teste çdo ditë në sistemin shëndetësor të vendit. Kompania gjithashtu pret që të prodhojë rreth pesë milionë teste në muaj.

Testet janë të lëvizshme dhe mund të bëhen jashtë spitaleve.

“Pandemia e COVID-19 do të luftohet nga fronte të shumëfishta, dhe një test molekular i lëvizshëm që jep rezultate në minuta, shton një gamë të gjerë zgjidhjesh diagnostikuese të nevojshme për të luftuar virusin”, tha presidenti Abott, Robert Ford.

Këtë të premte, vendi, i cili ka numrin më të madh të infeksioneve në të gjithë botën, kaloi shifrën e 100 mijë rasteve të ditura, përcjell Albinfo.ch