Sport

SHBA-ja kërkon ekstradimin e shtatë zyrtarëve të FIFA-së

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Zvicra që të ekstradojë shtatë zyrtarë të FIFA-së dhe të organizatave të lidhura, të arrestuar kohët e fundit në Cyrih. Kërkesa zyrtare është pranuar të mërkurën nga Zyra Federale e Drejtësisë (ZFD).

Më 27 maj shtatë zyrtarë të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) u arrestuan në Cyrih me urdhër të ZFD-së dhe janë mbajtur për ekstradimin e tyre. Autoritetet amerikane dyshojnë se ata kanë pranuar ryshfete prej më shumë se 100 milionë dollarësh.

Për t’ iu shmangur çdo rreziku të marrëveshjeve të fshehta, autoritetet kanë ndaluar kontaktet mes tyre, të pandehurit janë kryesisht nga Amerika e Jugut. Prandaj, të dyshuarit janë shpërndarë në burgje të ndryshme në kantonin e Cyrihut.

Zyra Federale e Drejtësisë kishte gjetur gjithashtu të dhëna  kompjuterike të cilat ia kërkonte FIFA-së, në kuadër të një hetimi penal në lidhje me kushtet e shpërndarjes së Kupës botërore 2018 në Rusi dhe 2022 në Katar. Ajo vendosi të hetojë rreth kushteve e alokimit të dy garave, duke dyshuar se disa njerëz kanë keqmenaxhuar dhe se ka pasur shpëlarje të parave.