Lajme

SHBA akuzon “Google” për mashtrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar sot se “Google” nuk kishte vepruar sipas rregullave në përpjekjet e kësaj kompanie për të mbajtur dominancën në kërkimet online, pasi sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, kompania pagoi 10 miliardë dollarë që rivalët më të vegjël të mos ishin kurrë tërheqës për përdoruesit.

Përfaqësuesi i Departamentit të Drejtësisë, Kenneth Dintzer gjatë gjykimit në Washington, u shpreh se në vitin 2010, Google nisi të ruante, në mënyrë të paligjshme, monopolin.

Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka akuzuar kompaninë Google se çdo vit ka paguar miliarda dollarë për prodhuesit e pajisjeve sikurse Apple Inc, për kompanitë e internetit sikurse AT&T dhe shfletuesve sikurse Monzilla për t’i dhënë kësaj kompanie hapësirë në treg prej 90 për qind.

Përveç kësaj, Dintzer tha se Google ka mashtruar në ankandet për reklamat e vendosura në internet, në mënyrë që të rrisë çmimet për reklamuesit, raporton CNN, përcjell albinfo.ch.

Gjyqi pritet të zgjasë të paktën dhjetë javë, i ndarë në dy faza. Në fazën e parë, gjykatësi Amit Mehta, do të vendosë nëse Google ka shkelur ligjet për konkurrencën dhe se si menaxhohen kërkimet dhe reklamimi në këtë kompani dhe nëse gjykatësi vendos që Google ka shkelur ligjin, atëherë ai do të vendosë se cila është mënyra më e mirë për ta zgjidhur çështjen. Gjykatësi Mehta mund ta urdhërojë kompaninë që të shesë asetet.