Shkurt.ch

Shaqiri shkëlqen dhe i sjell Zvicrës fitoren

Shaqiri gjithnjë dominonte në fushë, tek kërkonte pozicionin që do ta sillte golin e fitores. Atë e gjeti, në min. 48-të

Kombëtarja U21 e Zvicrës ka filluar kampionatin evropian të kësaj kategorie me fitoren e merituar kundër nikoqirit, Danimarkës. Golin e vetëm në këtë ndeshje e ka shënuar Xherdan Shaqiri, i cili jo vetëm falë golit, ka qenë më i merituari për fitoren e Zvicrës.Që në pjesën e parë të lojës, Shaqiri ishte dominant në fushë, duke kërkuar pozicionin që do ta sillte deri te goli i fitores. Gjithë këtë e bënte me mjeshtri dhe duke iu dhuruar shikuesve kënaqësi me driblingjet e tij mjeshtrore. Por, atij iu desh megjithatë që të priste der pak pas fillimit të pjesës së dytë të lojës (në minutën e 48-të)  kur më në fund gjeti rrugën për të shpartalluar portën kundërshtare. 1 me 0 për Zvicrën.

Shaqiri, ashtu siç pritej, luajti 90 minuta, po aq sa luajti edhe kosovari tjetër, Granit Xhaka. Ndërkohë Admir Mehmedi u zëvendësua në minutën e 85 nga shqiptari tjetër i Maqdonisë, Pajtim Kasami.

Pas fitores në ndeshjen e parë, Zvicra zë vendin e dytë në grupin A pas Bjellorusisë e cila ka fituar ndeshjen kundër Islandës me rezuoltat 2:0. Të marten kombëtarja e Zvicrës luan kundër Islandës.

Zvicra bën pjesë në grupin A së bashku edhe me Danimarkën, Islandën e Bjellorusinë. Në grupin B, që vlerësohet më i vështirë, garojnë Anglia, Ukraina, Spanja e Çekia.

Mesfushorët Granit Xhaka e Pajtim Kasami para dy vjetësh me përfaqësuesen U-17 të Zvicrës dolën kampion bote.

Përvojën më të madhe nga futbollistët shqiptarë e ka Xherdan Shaqiri. Ai ka 11 paraqitje për Përfaqësuesen A të Zvicrës. 19-vjeçari është paraqitur edhe në kampionatin botëror që vitin e kaluar u mbajt në Afrikë të Jugut.