Integrimi

Shaqiri “shkatërron” studion e televizionit “Joiz”

Fushatën e vet të imazhit me Shaqirin me lajtmotivin “Xherdan Shaqiri – bashkëlojtar i ri në ekipin Joiz” ky televizion e fillon sot

Të gjithë duan ta kenë Shaqirin si pjesë të imazhit të tyre kur dihet shkalla e popullaritetit të tij. Kështu edhe televizioni i të rinjve Joiz tv. Ky televizion madje e ka futur për dy vitet e ardhshme në “listën e rrogave” xhuxhin magjik, sigurisht, për të rritur kuotat e shikimit.

Në rastin e parë që Shaqiri është paraqitur në studion e Joiz TV, ka thyer cope e grimë një televizor dhe ka shkatërruar pjesë nga skenografia. Natyrisht, duke gjuajtur me top dhe jo se Shaqi është djalë i padisiplinuar por këtë ja kanë kërkuar vetëm nikoqirët.

Fushatën e vet të gjerë të imazhit me Shaqirin me lajtmotivin “Xherdan Shaqiri – bashkëlojtar i ri në ekipin Joiz” televizioni i përmendur e fillon sot. Ndërsa në vjeshtë Shaqiri do ta fitojë edhe një emision të vetin të veçantë ku do të jenë vetë shikuesit që do të vendosin se çfarë roli do të luajë Shaqiri, shkruan 20minuten.ch.

Sipas përgjegjësve të televizionit, Shaqiri është treguar i hapur: si për ndonjë seri dokumentarësh ashtu edhe për përmbajtje të tjera. Nuk përjashtohet që atë ta shihni edhe në rolin e kuzhinierit.

“Joiz është një ekip super dhe gëzohem shumë që do të jem pjesë e tij” ka lavdëruar Shaqiri punëdhënësin e tij të ri. Njësoj,vetëm lëvdata në drejtim të futbollistit ka edhe menaxheri i televizioni, Nicolas Bürer. “Shaqiri është një i ri jashtëzakonisht simpatik dhe i suksesshëm, i cili me forcën e vullnetit dhe entuziazmin që ka në lojë, na përshtatet në mënyrë të përsosur. Ai, si asnjë tjetër, i përfaqëson vlerat e Joiz-it”.