Futboll

Shaqiri mund të mbetet në bankën rezervë te Bazeli

Duket se Xherdan Shaqiri te Baseli nuk ka shkuar ashtu siç kanë pritur të gjithë në skuadër, përcjell albinfo.ch.

Trajneri Celestini nuk e ka problem ta lërë në bankën rezervë yllin e skuadrës, ka thënë ai në intervistën e dhënë për gazetën zvicerane.

Me asistimin e përkryer nga gjuajtja e lirë në fitoren 1:0 ndaj Young Boysit, Xherdan Shaqiri tregoi se ai ende mund të jetë lojtar i momenteve të mëdha, shkruan “Blick” të enjten. Por përveç asistimit të parë për Baselin në afro 12 vjet, i rikthyeri në skuadër ende nuk i ka përmbushur krejtësisht pritshmëritë. Të paktën jo në mënyrën se si drejtuesit e Baselit kanë shpresuar pas kthimit të Shaqirit në verë.

Deri tani, trajneri Fabio Celestini ka treguar durim për ish-yllin e përfaqësueses së Zvicrës. Kur Shaqiri ishte në formën më të mirë fizike, ai ishte titullar.

“Unë gjithmonë zgjedh lojtarët që mendoj se mund të kenë sukses afatgjatë”, ka shpjeguar Celestini në një intervistë dhënë për “Basler Zeitung” të enjten. “Nëse është e nevojshme, do ta lë Shaqirin në bankën rezervë. Njësoj si lojtarët e tjerë”.

Sidoqoftë, trajneri që u lind në Lozanë e pranon se ka rezistencë në vendimet e tij personale në Basel, më shumë se në çdo vend tjetër.

“Nëse e zëvendësoj Shaqirin, ata menjëherë thonë se kjo u bë për këtë apo për atë arsye. Nëse unë vendos që ai të luajë, është e njëjta gjë”, ka thënë Celestini.

Qëkur u kthye te Baseli, ai ka folur shumë për Shaqirin, përfshirë edhe kohën kur ai ishte në Chicago. “Ndoshta nuk ka shkuar ashtu siç ai e ka imagjinuar”, ka thënë Celestini. Por kjo nuk mund të krahasohet me situatën në Basel. “Kjo është krejtësisht ndryshe. Ky është Baseli i tij. Çdo fitore dhe çdo humbje është fitorja dhe humbja e tij”.

Në të njëjtën kohë, megjithatë, kjo i bën disa gjëra më të vështira. Nuk është e lehtë për Shaqirin që të përballet me emocionet dhe presionin që ai i vendos vetes. “Por ne mund ta ndihmojmë atë që të mos shqetësohet dhe të mendojë për të ardhmen nëse diçka nuk shkon siç duhet”, thotë Celestini.

Shaqiri tani është në gjendje ta kapë ritmin në stërvitje çdo ditë e më shumë.

Paraqitja ndaj Young Boysit po ashtu ishte hap në drejtimin e duhur. “Por ai ende ka nevojë për kohë”, thotë Celestini.