Integrimi

Shaqiri josh “secondot” drejt pistave të skijimit

Sipas organizatorëve, Shaqiri, me mbi 800 mijë fansa në facebook do të ndikojë në joshjen e moshatarëve të tij me prejardhje të huaj drejt sporteve në borë

Të huajt në Zvicër, përfshirë këtu edhe ata të brezit të dytë ose “secondot”, nuk janë shumë të dhënë pas sporteve dimërore. Dhe pikërisht këto sporte, me të cilat identifikohen aq shumë zviceranët, po e humbin atraktivitetin. Qendrat turistike me pista skijimi po nxjerrin fitime gjithnjë më të pakëta.

Sipas organizatës së operuesve të teleferikëve, vetëm në mes të sezoneve dimërore 2008-2009 dhe 2012-2013 në Zvicër ka rënë shuma e përgjithshme e paguar për shfrytëzimin e teleferikëve dhe skilifteve nga 885 milionë franga në 756 milionë, ose për 129 milionë franga.

Në një gjendje të tillë, sytë e operatorëve të turizmit dimëror janë të drejtuar nga të rinjtë me prejardhje të huaj, “Secondot”. Dhe, kush është më i përshtatshëm për t`i tërhequr ata drejt shtigjeve të skijimit se një “secondo” tipik,  Shaqiri?

Magazina e njohur e lajmeve e televizionit publik të Zvicrës 10vo10 ka emetuar të premten një sekuencë nga aksioni më i ri për sensibilizimin e secondove për sportet në borë. Ylli i futbollit, Xherdan Shaqiri, edhepse pothuaj fare pa përvojë në skitari, është vënë në shërbim të këtij aksioni të udhëhequr nga “Schweizer Tourismus”. Gjatë një dite të tërë ai me vëllezërit e tij ka provuar të gjitha llojet e sporteve dimërore.

Sipas organizatorëve, Shaqiri, me më shumë se 800 mijë fansa në facebook do të ndikojë me të madhe në joshjen e moshatarëve të tij me prejardhje të huaj drejt sporteve në borë.

“Ne konsiderojmë se rreth 80 për qind të të fëmijëve dhe të rinjve me prejardhje të huaj, nga mosha 5 deri 24 vjeçare, nuk kanë pasur kasnjëherë kontakte me sportet dimërore. Bëhet fjalë për një shifër prej rreth 170 mijë vetave, me prejardhje të huaj”, thotëDaniela Bär nga Schweiz Tourismus, duke sqaruar synimin për të përfituar sekondot në sportet me borë. Duke qenë se vetë prindërit nuk kanë pasur ndonjë lidhje emocionale me sportet dimërore, ata nuk kanë pasur si t`i shtyjnë as fëmijët “në borë”.

Prandaj Shaqiri me dy vëllezërit është ftuar nga qendra e skijimit në Arosa. Ai do të raportojë në faqen e tij të facebookut lidhur me përvojat e tij nga disiplinat e ndryshme të sporteve në borë që i ka provuar gjatë një dite qëndrimi atje.

“Prindërit janë përgegjës që fëmijët e tyre kanë pak kontakte me borën” thotë Shaqiri peër 10vor10. “Dhe kjo duhet të ndryshohet”, shton ai.