Uncategorized

Shansi i fundit për Shaqirin

“Jam shumë i kënaqur që Shaqiri nuk është lojtar individualist në këtë moment. Ai luan për skuadrën dhe jo për veten. Ai jep gjithçka nga vetja dhe kështu duhet të vazhdojë”, u shpreh Petkoviq

Sulmuesi i Zvicrës, Xherdan Shaqiri dhe ai i Polonisë, Robert Lewandowski kanë edhe një rast të shkëlqejnë, kur skuadrat e tyre ndeshen sot në St Etienne të Francës nga ora 15:00, në kuadër të 1/8 së finales të Kampionatit Evropian, shkruan albinfo.ch.

Edhe pse janë munduar shumë, nga ata pritet më shumë dhe sigurisht se paraqitja e tyre pritet të jetë më e mirë, derisa ende nuk kanë shënuar në këtë Evropian. Trajneri i Polonisë, Adam Nawalka ka thënë Lewandowski është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën e tij. “Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Ka shumë energji dhe na jep fuqi. Ai ka shumë ndikimin në lojën tonë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, trajneri i Zvicrës, Vladimir Petkoviq ka thënë se Shaqiri e ndihmon shumë skuadrën. “Lojtarët individualë nuk kanë pasur paraqitje shumë të mira në këtë turne. Jam shumë i kënaqur që Shaqiri nuk është i tillë në këtë moment. Ai luan për skuadrën dhe jo për veten. Ai jep gjithçka nga vetja dhe kështu duhet të vazhdojë”, u shpreh Petkoviq.

Zvicra arriti që për herë të parë të kualifikohet në 1/8 e finales, derisa Polonia nuk pranoi asnjë gol në fazën e grupeve. “Ne kemi analizuar lojën e Polonisë, por dëshirojmë të fokusohemi në potencialin tonë. Nëse luajmë lojën tonë, do të jemi shumë të rrezikshëm ndaj Polonisë”, deklaroi kapiteni i Zvicrës, Stephan Lichtsteiner.