Opinione
Sfidat e 2017-ës
Para dimrit siberian, Evropa duket se po qëndron duarkryq. Gjermania dhe Franca, si dy motorët kryesorë të Bashkësisë Evropiane, më shumë janë të ballafaquara me krizën e besimit të zgjedhësve të tyre sesa me zhvillimet aktuale ndërkombëtare...
Viti 2017 pritet të jetë vit i sfidave të mëdha. Sfida kryesore e këtij viti dhe e viteve të ardhshme do të jetë padyshim presidenti i porsazgjedhur amerikan, Donald Trump. Paralajmërimet e tij parazgjedhore, prononcimet e tij paszgjedhore dhe ekipi i tij i zgjedhur presidencial, me Ministrin e Punëve të Jashtme, Rex Tillerson, një mik i presidentit rus, Vladimir Putin, me biznese dhe afarizëm të suksesshëm në Rusi, lënë për të dyshuar se Evropa e vitit 2017 do t’i nënshtrohet një ridefinimi në sfera të interesit. Duke pasur parasysh se Trump kundërshtar kryesor e konsideron Kinën dhe luftën ekonomike ndaj saj është e mundur që të sigurojë në mos aleancën e Rusisë të paktën heshtjen e saj për këtë. Për këtë heshtje Putin sigurisht që do të kërkojë haraçin dhe haraçi do të jetë Evropa, në mos e tëra, të paktën ajo Lindore dhe Juglindore si sferë e interesave të tij të privilegjuara, që sipas pikëpamjes së tij, nuk do të ishte gjë tjetër përveçse një rikthim i Rusisë në kufijtë e vjetër të Bashkimit Sovjetik.
Para dimrit siberian, Evropa duket se po qëndron duarkryq. Gjermania dhe Franca, si dy motorët kryesorë të Bashkësisë Evropiane, më shumë janë të ballafaquara me krizën e besimit të zgjedhësve të tyre sesa me zhvillimet aktuale ndërkombëtare. Gjermania edhe përkundër forcës së saj të jashtëzakonshme ekonomike, edhe përkundër asaj se është eksportuesi më i madh në botë, në aspektin ushtarak nuk paraqet diç të veçantë dhe këtë sa për shkak të së kaluarës së saj jo të largët, aq edhe për shkak të orientimit të saj të vetëdijshëm rigorozisht ekonomik.
Franca zgjedh në maj të këtij viti kryetarin e ri, i cili mund të jetë edhe një djathtist, që do të thoshte jo vetëm fundi i Bashkësisë Evropiane, por edhe fillimi i fundit të demokracisë liberale, sidomos po të vinte edhe tek jo rizgjedhja e Angela Merkel për kancelare federale të Gjermanisë.
Zgjidhje afatshkurtër në tërë këtë katrahurë duket të jetë krijimi i një aleance ushtarake evropiane, e cila, në koordinim me NATO-n, rolin dhe rëndësinë e së cilës Trump gjithashtu e vë në pyetje apo e hesht dhe e nënçmon deri në zhbërje, do të mbronte edhe me forcën e ndërhyrjes ushtarake interesat e saj të përgjithshme. Zaten ky duket të jetë edhe një ndër strategjitë e Trump, i cili krahas Kinës si pol ekonomik në forcim, të tillë sheh edhe BE-në, e cila mund të dobësohet vetëm po qe se detyrohet të investojë shumë më shumë seç ka investuar deri tash në mbrojtjen ushtarake të projektit të saj.
Zgjidhje afatgjatë është forcimi i besimit të qytetarëve në vlerat liberale demokratike, që u kultivuan këto vite në vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në SHBA. Globalizimi më human i botës, siguria në vendet ekzistuese të punës, një politikë më e avancuar sociale, me një fjalë një kapitalizëm më social, do të forconin shumë besimin në vlerat liberale demokratike, të cilat do të na mungojnë shumë atëherë kur shkelen nga putrat e arinjve siberianë apo të manipuluesve të krizave shtetërore, si ai i Ngushticës së Bosforit, i cili po kalëron ndaj vlerave liberal-demokrate si dikur padishahët e tij. Prandaj edhe mbrojtja e vlerave liberal-demokratike në Turqi, edhe dhënia e autonomisë për kurdët në Turqi, edhe një politikë e shpërndarjes proporcionale të refugjatëve, edhe integrimi i vendeve të Ballkanit në Bashkësinë Evropiane, para se ato të përfshihen nga vala e të ftohtit siberian dhe e kalërimit të kuajve bosforianë, duhet të jenë prioritete të politikës së jashtme të BE-së. Vonesa dhe taktizimet do të jenë të pafalshme.
Shqiptarët si në Republikën e Shqipërisë, ashtu edhe në atë të Kosovës dhe të Maqedonisë duhet pushuar me diletantizmin e tyre të pafalshëm. Ndërtimi shtetit kërkon seriozitet dhe vetëm seriozitet. Nostalgjikët e revolucioneve të tetorit këtë vit mund të kremtojnë në sheshet e Kremlinit 100 – vjetorin e Revolucionit të Tetorit dhe të mallëngjehen për Kominternin e pa kthim, që “do t’i bashkonte dhe do t’i bënte një trojet shqiptare në një shtet”.
Rreshtimi dhe bashkimi rreth vlerave të liberal – demokracisë është orbita jonë e vetme. Çdo shkëputje nga kjo orbitë është rënie në vrimën e zezë pa dalje të gllabërimit. Prandaj t’i përqafojmë, jo vetëm për shkak të interesave të ngushta ekonomike, por për shkak të ardhmërisë sonë të sigurt, këto vlera, t’i ndihmojmë dhe të bëhemi pjesë e tyre sublime.
Nexhmedin Gerguri, janar 2017
E-Diaspora
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga Ylli shqiptar i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka përfunduar si pjesë e formacionit më të mirë...
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?