Lajme

Sfida e Evropës për të kontrolluar emigracionin

Një marrëveshje e brendshme arrihet, ndërsa një marrëveshje ndërmesdhetare bie, shkruan The Economist

Kur Boubacar Touré dëgjoi zhurmën e aksidentit të një autobusi turistik pranë Venecias, që ra nga një urë me lartësi 15 metra, ai vrapoi drejt skenës. Së bashku me shokun e dhomës, ndihmoi për të nxjerrë njerëzit nga autobusi, teksa ai digjej. Në aksident humbën jetën 21 njerëz; mund të kishin vdekur më shumë nëse ai nuk do të kishte dhënë ndihmën e tij. “Kur dikush ka nevojë për ndihmë sepse është duke vdekur, nuk mund të largohesh”.

Zoti Touré, nga Gambia u shpëtua duke kaluar Mesdheun, në moshën 17-vjeçare. “Italianët më shpëtuan jetën dhe tani kam bërë diçka për ta”, – tha ai.

Histori të tilla të thumbojnë ndërgjegjen. Kjo është arsyeja pse vendet europiane nuk duan të lidhin emigrimin me ndërgjegjen. Emigrimi është kthyer në një temë kryesore dhe viti 2023 pritet të jetë viti i niveleve më të larta të emigracionit që nga 2016 (shih grafikun 1).

Bashkimi Evropian sapo ka arritur një marrëveshje për të shpërndarë barrën e ardhjeve të emigrantëve në mënyrë më të barabartë midis shteteve, ku ata që marrin më pak njerëz, do të paguajnë vendet që marrin më shumë. Kjo zbuti një diskutim ku Italia e kritikoi ashpër Gjermaninë për financimin e OJQ-ve që shpëtojnë emigrantët në det. Sipas pikëpamjes së Italisë, kjo nxit më shumë njerëz për të ardhur.

Por ndërsa Evropa bëri një hap përpara në menaxhimin e brendshëm, ajo bëri një hap pas në frontin e jashtëm. Një marrëveshje me Tunizinë, e shpallur në korrik, kishte për qëllim të ulte numrin e emigrantëve që mbërrinin përmes saj. Por nuk po funksionon. Presidenti autokratik, Kais Saied, tha më 2 tetor se nuk i donte paratë e Europës dhe më 9 tetor, Tunizia ktheu 60 milionë euro (64 milionë dollarë). Me siguri ai ka dëshiruar më shumë para se sa u dërguan për Tunizinë kohët e fundit, për shkak të një mosmarrëveshjeje të brendshme brenda BE-së.

(Marrëveshja ofron bashkëpunim afatgjatë për çështje si energjia, por Tunizia tani është veçanërisht e varfër). Marrëveshja nuk ka pasur efektin e dëshiruar. Që nga korriku, me mijëra veta kanë vazhduar të vijnë nga Tunizia, veçanërisht në ishullin italian Lampedusa.

Përplasja me Tunizinë nxjerr në pah disa probleme në përdorimin e shteteve fqinje si forcë kufitare e Evropës. Një marrëveshje mund të jetë joefektive, ose mund të jetë mizorisht efektive. Në secilin rast, këto shtete, duke ditur se kanë leverdi, duan vazhdimisht të bisedojnë për përfitime më të mëdha.

Si po ndryshon emigrimi

Emigrimi ka ndryshuar që nga viti 2015, kur luftërat në Siri, Irak dhe Afganistan nxitën tek europianët një ndjenjë përgjegjësie. Barra e emigrimit u zbut nga një marrëveshje me Turqinë në vitin 2016, kur një paketë e madhe ndihme arriti të mbante pjesën më të madhe të emigrantëve jashtë kufirit të BE-së. Sigurisht, ajo nuk ka qenë e përsosur dhe Turqia herë pas here ka kërcënuar se do ta braktisë fare marrëveshjen, por më pak emigrantë po përdorin këtë rrugë lindore për të ardhur në Evropë.

Sot, ndonëse shifrat janë më të vogla, problemet janë më të vështira. Gjithnjë e më shumë emigrantë po vijnë nga Afrika Nënsahariane dhe Azia, jo të gjithë nga vende të goditura nga grushte shteti ose të shkatërruara nga lufta (shih grafikun 2). Shumë prej tyre vijnë nga shtete të varfra dhe thjesht kërkojnë një jetë më të mirë dhe kontrabandistët i bindin se atë mund ta gjejnë lehtësisht në Europë. Ndërsa rruga turke bëhet më e vështirë, emigrantët po zgjedhin rrugën më të gjatë dhe të rrezikshme të Mesdheut Qendror.

Një nga pikat e nisjes ka qenë Libia. Numri i emigrantëve që nisen nga Libia drejt Europës u trefishua midis viteve 2019 dhe 2021, kur rreth 32,000 njerëz u larguan për në Europë. Kjo e shtyu BE-në të kërkonte marrëveshje me rojën bregdetare të Libisë, një forcë e drejtuar kryesisht nga milicitë në atë vend të goditur nga lufta, duke u dhënë atyre varka dhe pajisje për të kthyer emigrantët në Libi.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe gazetarët kanë dokumentuar kushte mizore në burgjet e Libisë, duke përfshirë përdhunim, torturë dhe skllavëri. Raportime të tilla çuan në mbylljen e kampit famëkeq Al Mabani, vitin e kaluar. Por OJQ-ja “Outlaw Ocean Project”, thotë se libianët thjesht i kanë zhvendosur kampet në vende më të largëta.

Në skajin perëndimor të Mesdheut, gjërat janë më të qeta dhe qeveria e qendrës së majtë të Spanjës ka marrë merita për suksesin në ndalimin e rrugës së emigrimit në këtë zonë. Por kritikët thonë se kjo është për shkak të një marrëveshjeje të ashpër me Marokun. Në vitin 2021, autoritetet marokene bënë një sy të verbër, ndërsa emigrantët u dyndën në enklavën Ceuta të Spanjës në Afrikën Veriore.

Kur qeveria e Pedro Sánchez njoftoi papritur një ndryshim në politikën ndaj Saharasë Perëndimore, duke pranuar se territori duhej të mbetej nën sovranitetin maroken, por me autonomi lokale, shumë veta vunë në dukje se Maroku kishte përdorur “armën e emigracionit” për të përfituar koncesione nga Spanja në politikën e jashtme. Sidoqoftë, Spanja nuk mund të lëvdohet për rrugën e Atlantikut; sepse gjatë javës deri më 8 tetor, mbi 2000 emigrantë nga Afrika Perëndimore mbërritën në El Hierro, një nga ishujt më të vegjël të vendit.

Fluksi i emigracionit ndryshon vazhdimisht, në varësi të marrëveshjeve me shtetet tranzit. Marrëveshja me Turqinë më së shumti funksionoi, kështu që emigrantët më pas u drejtuan nga Libia.

Një marrëveshje me Libinë mund të ketë funksionuar deri diku, me një kosto mizore njerëzore, por tani Tunizia po kërkon një ofertë më të mirë. Tashmë, Europa duket si një hidraulik i mërzitur që sapo mbyll një vrimë, duhet të merret me një rrjedhje të re. Marrëveshjet me partnerë të pakëndshëm dhe autokraci janë të shëmtuara, por të domosdoshme për politikën e jashtme. Është një çështje krejtësisht tjetër kur ato nuk funksionojnë.