Koronavirusi: çast pas çasti

Sërish rritje viktimash nga koronavirusi në Itali

610 persona kanë humbur jetën në 24 orët e fundit në Itali për shkak të koronavirusit. Numri i total i viktimave në shtetin fqinj ka shkuar në 18 279.

Shifrat janë rritur në krahasim me një ditë më parë, si të numrit të personave që kanë humbur jetën, ashtu edhe atyre të infektuar. Këtë të enjte janë shënuar rreth 400 raste më shumë të infektuarish, duke e çuar numrin e rasteve aktive në 96 877 persona.

Ndërkohë numri total i personave që janë infektuar në Itali, duke llogaritur viktimat, të shëruarit dhe ata që vazhdojnë të jenë sëmurë ka shkuar në 143 mijë.

Italia mbetet vendi i tretë për nga numri i infektimeve. Në vend të parë qëndron SHBA me 438 mijë raste, ndërsa e dyta Spanja me 152 mijë raste.

Fatkeqësisht Italia kryeson për nga numri i personave që kanë humbur jetën në këtë pandemi.