Zhvillim

Serbia, një miliard dollarë kredi nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Kredia është dhënë nën kushte jashtëzakonisht të volitshme, me një kamatë prej vetëm 2 për qind dhe detyrim kthimi pas dhjetë vitesh

Republika e Serbisë ka nënshkruar sot një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe për një kredi në lartësi prej 1 miliard dollarësh

Kredia është dhënë nën kushte jashtëzakonisht të volitshme, me një kamatë prej vetëm 2 për qind dhe detyrim kthimi pas dhjetë vitesh. “Një dëshmi e qartë për besimin që komuniteti ndërkombëtar investues po tregon ndaj Serbisë”, është thënë nga qeveritarët serbë.

Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë Aleksandar Vucic ka thënë me këtë rast se “është i entuziazmuar që nënshkruan këtë marrëveshje në emrin e popullit serb dhe i gëzohet bashkëpunimit të ardhshëm me `partnerin strategjik`në Abu Dhabi”.

“Kjo kredi do të jetë në të mirë të çdo amvisërie në Serbi, pasi që mundëson investimin nëe degët kryesore dhe i sjell financat publike të Serbisë në rrugë drejt shërimit të tyre. Serbia po bëhet gati për rritje ekonomike. Ne po tërheqim nivel rekord të investimeve të jashtme dhe po e ndryshojmë sektorin tonë publik ndërkohë që po lëvizim përpara drejt anëtarësimit në BE”.

Kushtet e veçanta me të cilat është dhëne kredia mundësojnë që Serbia të kursejë rreth 300 milionë dollarë në emrin e kthimit të kredisë, në krahasim me kushtet e zakonshme që ofrohen kreditë investive.

Paratë e kredisë do të jenë në dispozicion nga tremujori i dytë i vitit 2014, pasi që të jetë bërë ratifikimi i kredisë nga Parlamenti i Serbisë.

Në vitin e kaluar Etihad Airways e Emirateve të Bashkuara Arabe ka blerë 49 për qind të aksioneve të Kompanisë ajrore të Serbisë JAT, e cila ishte buzë falimentimit. (sda)