Kosova
Serbia dhe Republika Sërpska miratojnë deklaratën, ku përmendet edhe Kosova
Serbia dhe entiteti serb i Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë miratuar të shtunën Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serb.
Deklarata është miratuar në Beograd, në një takim mes dy qeverive, në kuadër të të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb.
Kuvendi synon vërtetimin e unitetit serb.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Deklarata i referohet Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë, dhe nuk përmendet përçarja në atë shtet.
Deklarata duhet të miratohet nga Parlamenti i Serbisë dhe ai i Republikës Sërpska brenda 90 ditëve.
Presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.
“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.
Përgjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija” – si referencë për shtetin e Kosovës.
Çfarë thuhet për Kosovën?
Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat e tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët e tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet e tjera të rrezikuara.
Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.
Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.
Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
Si u zhvilluan punimet?
Vuçiq ka thënë në takimin e përbashkët mes dy qeverive se ruajtja e paqes përbën interesin më të madh të serbëve.
Ai ka thënë se këto fjalë janë zgjedhur me kujdes në deklaratë.
“Ju merrni vendimet tuaja, unë vetëm ju kërkoj që të mendoni një milion herë se sa shumë na duhet paqja”, ka thënë ai, duke iu drejtuar zyrtarëve të Republikës Sërpska, të cilëve u ka thënë se “Serbia nuk do ta lë kurrë në baltë Republikën Sërpska”.
“Mirëpo, kërkesa ime është që të tentoni t’i zgjidhni problemet në paqe dhe me negociata, dhe në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit”, ka thënë ai.
Sipas tij, deklarata e miratuar të shtunën bën fjalë për perspektivën evropiane, por edhe për ruajtjen e miqësive tradicionale.
Dodik ka thënë se 15 shkurti, që shënon Ditën e Shtetësisë së Serbisë, do të shënohet si ditë e veçantë edhe në Republikën Sërpska.
Ai ka shtuar se “ne do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj faktit që Republika Sërpska është krijuar më 9 janar, dhe ne ashtu do ta festojnë krijimin e saj”.
“Republika Sërpka është e kënaqur me autonominë që ka pranuar përmes Marrëveshjes së Dejtonit, mirëpo kjo është vënë në pikëpyetje. Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të vazhdojë të shkelë Dejtonin, është më mirë të jetojmë si fqinj të mirë, sesa përherë të jemi duke u grindur”, ka thënë Dodik.
Ai ka thënë se populli serb dëshiron paqe.
Dodik e ka përshkruar deklaratën e së shtunës si dokument historik për interesat kombëtare të serbëve.
“Kjo deklaratë jep përgjigje për shumë sfida, rreth asaj se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen”, ka thënë ai.
Kuvendi po mbahet në kohën e forcimit të retorikës së autoriteteve në pushtet për “rrezikimin e popullit serb”, për shkak të miratimit në Kombet e Bashkuara të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, e cila u kundërshtua nga Beogradi dhe Banjalluka.
Serbia loboi kundër miratimit të rezolutës, sepse Beogradi zyrtar, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë dhe përdor cilësimin “krim i tmerrshëm”.
Rezoluta, e cila shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, u miratua më 23 maj.
Fillimisht, kuvendi ishte paraparë të mbahej më 5 dhe 6 maj, në dy festat fetare, Pashkë dhe Shën Gjergji.
Por, Dodik kërkoi të shtyhej mbajtja, pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën. Në Srebrenicë, pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë mbi 8.000 burra e djem boshnjakë, në korrik të vitit 1995.
Në Beograd po qëndrojnë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës./REL
E-Diaspora
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
Jeta në Zvicër
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi “Aktualisht presim mbi 15 orë. Pompa e fundit e benzinës ishte e stërmbushur tërësisht”, thotë për...
-
Pronarët e shtëpive të dyta do të përballen me taksa më të larta
-
Hotelet e Bazelit nuk duhet të rrisin shumë çmimin për shkak të Eurovizionit
-
Festivali Federal i Muzikës 2026 do të mbahet në Biel
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë