Kosova

Sekretarja e Ministrisë gjermane të Mbrojtjes pritet nga presidentja Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes të Gjermanisë, Siemtje Möller.

Bëhet e ditur se në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat e sigurisë në rajon si dhe për procesin e dialogut.

“Në takim u diskutua edhe për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe anëtarësimin në NATO, prandaj u theksua ndikimi dhe roli shumë i rëndësishëm i Republikës Federale të Gjermanisë në këto institucione”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes Osmani.

Në këtë takim, Presidentja Osmani shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e lartë për përkrahjen e Gjermanisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave gjermane ndaj Kosovës në rindërtimin, pavarësinë, shtetndërtimin, zhvillimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj të mbrojtjes dhe sigurisë.