Kosova

Sekretari i NATO-s: Ushtria e Kosovës u formua në kohë të gabuar

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përsëriti se vendimi për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri është bërë në kohë të gabuar.

“Edhe pse në thelb çështja e transformimit të Forcave të Sigurisë është çështje në të cilën Kosova duhet të vendosë, ne e kemi bërë të qartë se ky veprim, po bëhet në kohë të gabuar. NATO mbështet zhvillimin e Forcave të Sigurisë në kuadër të mandatit aktual. Me ndryshimin e mandatit, NATO duhet të shqyrtojë nivelin e angazhimit të saj me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Stoltenberg, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch.

Ai më tutje theksoi se “të gjitha palët duhet të sigurojnë se ky vendim, që është ndërmarrë në kohë të gabuar, nuk do të rrisë tensionet në rajon dhe se të gjithë akterët politikë të rajonit duhet të fokusohen në përparimin e reformave dhe dialogut”.

Stoltenberg tha se për diskutimet që po zhvillohen brenda NATO-s, i ka informuar, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Kam theksuar se është e rëndësishme të ruhet qetësia dhe të ketë përmbajtje nga deklaratat që çojnë në eskalim të situatës”, tha Stoltenberg në një intervistë për gazetën “Pobjeda” të Malit të Zi, shkruan REL, përcjell Albinfo.ch.

Ai tha se NATO në mënyrë të plotë e përkrahë procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut që zhvillohet në Bruksel duke e vlerësuar atë si “proces kyç për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”.