Kosova

Sekretari i Jashtëm britanik shpreson që së shpejti të formohet qeveria e re në Kosovë

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, në një konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se shpreson që Kosova do të formojë së shpejti qeverinë e re, pasi, sipas tij, kjo është esenciale në një kohë të vështirë që po mbizotëron në botë, përcjell albinfo.ch.

“Keni bërë progres edhe në zgjedhjet e shkurtit, dhe shpresoj që këtu në Kosovë, së shpejti do të formohet qeveria e re, e cila është esenciale në këto kohë të vështira”, tha Lammy.

Ai po ashtu shtoi se Kosova ka bërë progres pozitiv si shtet i ri, ndërsa theksoi se ky progres duhet të vazhdojë.

“Është e qartë që, kur vjen në Kosovë, sheh progresin që ka bërë – një shtet kaq i ri dhe dinamik. Ky është një progres që duhet të vazhdojmë ta ndërtojmë, në këtë kohë sfidash në globin tonë,” u shpreh ai.