Integrimi
Së bashku, për një botë pa dhunë ndaj grave
Ambasada e Kosovës në Bernë organizoi një tribunë të diskutimi në kuadër të fushatës globale "16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës ndaj Grave”
Fushata globale “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës ndaj Grave” përfaqëson një moment të rëndësishëm për të reflektuar, ndërgjegjësuar dhe vepruar për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore. Nën sloganin “Së bashku për një botë pa dhunë ndaj grave,” kjo nismë mbledh njerëz nga të gjitha shtresat për të thyer heshtjen dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt e më të drejtë për gratë dhe vajzat.
Në këtë kuadër, Ambasada e Kosovës në Bernë organizoi një tribunë të rëndësishme diskutimi ku ekspertë, aktivistë dhe përfaqësues të ndryshëm ndanë përvoja, sfida dhe zgjidhje praktike për të luftuar këtë fenomen shqetësues. Diskutimet vunë në pah rëndësinë e edukimit, solidaritetit dhe veprimit kolektiv për të krijuar një shoqëri pa dhunë.
Shukrije Ramadani, përfaqësuese e Ambasadës, vlerësoi lart këtë nismë dhe rolin e saj për të rritur ndërgjegjësimin në komunitet. “Ky është një hap i rëndësishëm në një rrugëtim të gjatë dhe sfidues, por së bashku mund ta bëjmë më të lehtë,” tha ajo, duke nënvizuar se Ambasada e Kosovës në Bernë mbetet një pikë referimi për mbështetjen e këtyre përpjekjeve.
Ramadani shprehu mirënjohjen e saj për gratë dhe burrat që kontribuojnë aktivisht në këtë kauzë. Ajo veçoi angazhimin e Izabela Uehlinger dhe Drita Shabanit si partnerë jetikë të këtij projekti, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit për të sfiduar fenomenin e dhunës.
“Jemi nëna, motra dhe pjesë e këtij realiteti. Shpesh përjetojmë dhunë që, nëse nuk ndalet, e bartim te fëmijët tanë. Është koha të themi STOP DHUNËS dhe të gjejmë shtigje për zgjidhje,” deklaroi Ramadani.
Në përfundim, ajo apeloi për veprim konkret dhe shprehu optimizëm për ndikim të qëndrueshëm: “Secila prej nesh mund të kontribuojë në mënyrën e saj. Le të shpresojmë që kjo mbrëmje të jetë një fillim premtues i një udhëtimi që do të vazhdohet nga brezat e ardhshëm”.
Mentor Latifi, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë u shpreh fuqishëm kundër dhunës me bazë gjinore, duke theksuar rëndësinë e veprimit kolektiv për të adresuar dhe dënuar këtë fenomen.
“Dhuna nuk ka nacionalitet, ajo ka gjini. Sot, shumica e dhunës ushtrohet nga burrat ndaj grave, dhe si shoqëri duhet ta pranojmë këtë realitet, ta adresojmë dhe ta ndëshkojmë pa hezitim,” tha ai.
Duke folur nga përvoja personale si baba i tri vajzave, ambasadori vuri theksin te përgjegjësia për të krijuar një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë. “Është jetike që brezave të ardhshëm t’u lëmë një situatë më të mirë sesa ajo që kemi trashëguar ne. Duhet t’i edukojmë vajzat tona, gratë e së nesërmes, që të mbrohen dhe të luftojnë dhunën në çdo formë të saj”.
Drita Ibrahimi- moderatore e trajnuar dhe aktiviste për të drejtat e grave (nga shoqata “Parandalo”), thekson rëndësinë e edukimit dhe vetëdijësimit në grupet e diskutimit për emigrantët, duke i ndihmuar ata të kuptojnë konceptet e dhunës, sidomos ato ekonomike dhe psikologjike, të cilat shpesh janë të panjohura për shumë njerëz nga vende të ndryshme origjine. “Shpjegoj gjithmonë bazën ligjore në Zvicër, duke përfshirë të drejtën e grave për një përkthyes gjatë vizitave te mjeku apo në shkolla”, tha ajo.
Grupet e diskutimit që Ibrahimi moderon përmes shoqatës Femmes-Tische/Men-Tische krijojnë një ambient të mbrojtur ku gratë ndihen të lira të ndajnë përvojat e tyre dhe të reflektojnë mbi tema si rolet familjare, kultura e debatit dhe marrëdhëniet. Ajo thekson se pjesëmarrësit shpesh flasin për “miq” që përjetojnë dhunë, por që realisht nënkuptojnë veten. “Në këto raste, unë dëgjoj me kujdes dhe e diskutoj situatën me personat përgjegjës të qendrës,” shton ajo.
Ibrahimi është pjesë e fushatës kombëtare 16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës Ndaj Grave, që zhvillohet çdo vit nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor. Në këtë kuadër, ajo organizon diskutime dhe aktivitete ndërgjegjësuese.
Sipas saj, këto seanca jo vetëm që ofrojnë informacion praktik – për shembull, adresa të pikave të ndihmës dhe këshillimi – por edhe hapësirë për vetë-reflektim. “Ne duhet të edukojmë gratë të kuptojnë se është e pranueshme të shprehen lirisht dhe të kërkojnë ndihmë. Nuk është turp të raportosh dhunën; përkundrazi, është hapi i parë drejt ndryshimit.”
Përmes një kombinimi të ndjeshmërisë dhe profesionalizmit, Ibrahimi ka ndihmuar shumë gra të gjejnë forcën për të dalë nga situatat e vështira. Ajo u bën thirrje të gjitha grave të besojnë në veten e tyre dhe të kërkojnë ndihmë kur përballen me sfida të tilla: “Vetëdijësimi dhe guximi për të hapur derën janë çelësat për një jetë më të mirë”.
Isabel Uehlinger, përfaqësuese e platformës Femmes-Tische/Männer-Tische, vlerësoi ftesën e Ambasadës së Kosovës në Bernë për organizimin e një takimi që adreson një temë kaq të ndjeshme dhe jetike si dhuna ndaj grave. Në deklaratën e saj, Uehlinger theksoi rëndësinë e përfshirjes së të dy gjinive në këto diskutime.
“Jam shumë e lumtur që shumë gra ishin të pranishme, por veçanërisht që kishte edhe burra, pasi prania e tyre në takime të tilla është po aq e nevojshme. Diskutimet ishin të thelluara dhe të ndërgjegjësuara, dhe përvojat që unë dhe Drita ndamë u pritën shumë mirë nga të pranishmit,” tha ajo.
Duke reflektuar mbi rëndësinë e mbështetjes për viktimat e dhunës, Uehlinger ndau se, megjithëse nuk është personalisht e prekur nga ky fenomen, ndjen një përgjegjësi të thellë për të ofruar ndihmë dhe ndërgjegjësim për ata që vuajnë prej tij.
“Kam një vëmendje të jashtëzakonshme ndaj personave të prekur nga dhuna dhe i inkurajoj fuqimisht që të kërkojnë ndihmë profesionale. Mesazhi im është i qartë: Beso në vete, nuk je vetëm, ti je e rëndësishme dhe do të marrësh mbështetjen që meriton”.
Monika Zguro, përfaqësuese e Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër, theksoi rëndësinë e adresimit të dhunës ndaj grave gjatë një aktiviteti për këtë çështje.
“Dhuana në familje nuk është çështje private, por një krim me pasoja shoqërore. Çdo qytetar që ka dijeni për dhunë është i detyruar ta denoncojë atë,” deklaroi ajo.
Zguro vuri në pah se gratë shpesh përballen me stigmë dhe mungesë mbështetjeje, duke përballuar dhunën për vite përpara se ta raportojnë. Ajo theksoi se nuk ka asnjë justifikim për dhunuesit dhe se fuqizimi i grave kërkon përpjekje më të mëdha, përfshirë ndryshimin e normave patriarkale dhe një kuadër ligjor më të fuqishëm.
Sipas saj, heshtja dhe mosndëshkimi e kanë përshkallëzuar dhunën ndaj grave, e cila mbetet një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut. Ndërkohë, po zhvillohen 16 ditë aktivizmi për të parandaluar dhunën me bazë gjinore në trevat shqiptare.
Besjana Xhani, terapiste sistemike për individ, çift dhe familje theksoi se dhuna në familje është një fenomen global, me feminicidin tashmë të pranuar si një koncept. Ajo shpjegoi se format e dhunës janë të ndryshme dhe shpesh jo të gjithë janë të vetëdijshëm për to, duke përmendur dhunën ekonomike, emocionale, psikologjike dhe fizike. Sipas saj, edhe një fyerje që synon uljen e vetëvlerësimit është një formë dhune dhe duhet punuar më shumë për t’i edukuar të rinjtë, djemtë dhe vajzat, për të mos e pranuar këtë. Ajo bëri apel për vajzat që të duan veten dhe të kenë respekt për veten, duke theksuar se dhuna nuk është dashuri dhe ajo shkatërron mirëqenien emocionale dhe psikologjike.
Xhani u shpreh se dhuna e bën individin të ndihet i paaftë dhe i pavlefshëm, duke pasur pasoja të përhershme në jetën e tij. Ajo inkurajoi gratë dhe vajzat që të mos lejojnë askënd t’i ofendojë apo t’i mohojë mundësinë për të marrë vendime për jetën e tyre. “Gratë dhe vajzat mund t’ia dalin edhe pa mbështetje”, theksoi Xhani, duke i inkurajuar ato që të gjejnë forcën brenda vetes për të dalë nga situatat abuzuese. Ajo theksoi se nuk është turp të kërkosh ndihmë dhe se është koha që të ndryshojmë mentalitetin për të ndaluar dhunën dhe për të pranuar se dhuna dhe turpi nuk janë të njëjta.
Njëra nga përfaqësuesit e FemmesTische u shpreh se ndonjëherë, ata që janë të prekur nga dhuna në familje janë të padukshëm, dhe as nuk mund t’i dallojmë. “Ndonjëherë, jam unë e prekur, dhe askush nuk e di se çdo mëngjes ngrihem për t’i dhënë forcë dikujt tjetër. Nuk është e lehtë të flasësh, këtë e them nga përvoja ime personale; nuk është thjesht një shembull, është një fakt që po e ndaj me ju sonte. Pra, nuk është aq e thjeshtë, kërkon shumë guxim, dhe asnjëherë nuk është e lehtë, sepse edhe ana institucionale ka një kohë përpunimi të vetën, dhe gjatë asaj periudhe, derisa çdo gjë të sqarohet, është një stërmundim shumë i madh. FemmesTische janë këtu për të ndërgjegjësuar, për t’u siguruar që gratë të mos ndihen vetëm dhe të flasin. Të gjitha janë të prekura nga dhuna në një formë ose një tjetër. Për mua, çelësi është ta njohim se çfarë është dhuna. Ne përpiqemi të bëhemi një urë, një rrugë, një dritë në fund të tunelit. Jo çdo gjë mund ta bëjë dikush, por bashkërisht mund t’ia dalim”.
Florie Rexhaj, programi Info Time, edukatore “Çdo ditë kam tema të ndryshme, por edhe ato të dhunës, ku japim këshillime. Po jap një shembull shumë banal ndoshta: djali im, derisa është mësuar ta heqë gotën e tij nga tavolina dhe ta çojë deri në kuzhinë, kam pasur problem me burrin dhe me vjehrrin, sepse është i vogël. Atëherë thëm se ne e këpusim zinxhirin. Edukimi fillon nga ne, ta këpusim njëherë e përgjithmonë atë zinxhir. Nëse fillojmë të edukojmë fëmijët tanë, brezat tanë, edhe procesi i dhunës do të fillojë të zvogëlohet.”
Xhida Lumi psikoterapiste, theksoi rëndësinë e edukimit të fëmijëve që nga fëmijëria si çelësi për një të ardhme më të mirë dhe më të barabartë. Ajo bëri thirrje që vajzat të mos e fokusojnë energjinë vetëm te pamja e jashtme, por të investojnë në pasurimin e shpirtit, mendjes dhe lirisë.
“Edukimi fillon nga nëna. Një nënë e vetëdijshme rrit një vajzë të vetëdijshme dhe një brez të barabartë. Nëse edukojmë vajza të forta, ato do të bëhen gra dhe nëna të forta, duke krijuar një shoqëri të drejtë për të gjithë. Fëmijët, djem dhe vajza, duhen edukuar që herët për të shmangur problemet në të ardhmen”, u shpreh ajo.
Fushata “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës ndaj Grave” është një thirrje për reflektim dhe veprim që na sfidon të gjithë të kontribuojmë për një shoqëri ku gratë dhe vajzat jetojnë të lira nga dhuna. Aktivitetet e zhvilluara në Bernë janë një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, komuniteteve dhe individëve të përkushtuar për këtë qëllim.
Mesazhi është i qartë: dhuna nuk është private, por një krim që dëmton shoqërinë si tërësi. Vetëdijësimi, edukimi dhe mbështetja për viktimat janë shtyllat kryesore për t’i dhënë fund këtij fenomeni.
Fotot: Perla Ciommi
E-Diaspora
-
LDK prezanton listën e kandidatëve për deputetë, mes tyre 5 emra nga diaspora Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar listën e plotë të kandidatëve për...
-
Shqipëri: Seleksionimet me talentet e diasporës, zbulohen lojtarë shumë cilësorë
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuçiq, në Cyrih
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Së bashku, për një botë pa dhunë ndaj grave
Jeta në Zvicër
-
Deputetët zviceranë bëjnë thirrje për ligje kantonale për mbrojtjen e të miturve nga rrjetet sociale Anëtarët e parlamenti nga të gjitha politike prejardhjet synojnë të mbrojnë nxënësit e mitur nga “efektet...
-
Gjenevë: Dyqanet nuk do të hapen më 22 dhjetor
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuçiq, në Cyrih
-
Neuchâtel: Projekti për të ndihmuar të moshuarit viktima të mashtrimit
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse