Lajme

Scholz konfirmon ndihmën ushtarake gjermane për Ukrainën

Ai hodhi poshtë kritikat opozitare se Gjermania nuk po dërgonte mjaftueshëm armë në Kiev.

Kancelari gjerman Olaf Scholz mbrojti sot qëndrimin e qeverisë së tij ndaj pushtimit rus të Ukrainës, duke iu kundërpërgjigjur pretendimeve të opozitës se Gjermania nuk po dërgonte mjaftueshëm armë në Kiev.

Kreu i Kristiandemokratëve (CDU) Friedrich Merz i bëri thirrje Gjermanisë që të dërgojë armatime të rënda në Ukrainë siç janë tanket.

Scholz iu përgjigj ligjvënësve konservatorë në Bundestag se në Ukrainë ishte dërguar një numër i konsiderueshëm armësh dhe pajisjesh ushtarake që do të pasoheshin nga dërgesa të tjera.

“Ne do të ofrojmë çdo gjë që mundemi për sa i përket armëve nga rezervat aktuale të Bundeswehr-it, gjithçka që është e arsyeshme dhe ka një ndikim të shpejtë,” tha ai.

Ai hodhi poshtë kritikat se ministrja e tij e Mbrojtjes nuk kishte organizuar shpërndarjen e shpejtë të dërgesave të armëve.

“Unë e di që ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht po bën gjithçka që është e mundur, duke marrë parasysh vendimet e aleatëve tanë dhe aftësitë e ushtrisë gjermane”, tha Scholz.

Gjithashtu Scholz foli për vrasjet në Bucha, duke thënë se ushtarët rusë kryen një masakër të civilëve ukrainas përpara tërheqjes së tyre.  “Vrasja e civilëve është një krim lufte”, tha Scholz