Lajme

Scholz i jep dritën e gjelbër Bullgarisë për anëtarësim në Schengen

Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, zhvilloi dje një takim me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Berlin.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp Scholz tha se ai mbështet në mënyrë eksplicite anëtarësimin e plotë në zonën Shengen të Bullgarisë dhe Rumanisë.

“Gjermania do të vazhdojë të mbështesë partnerët e BE-së”, theksoi kancelari gjerman, transmeton agjencia bullgare e lajmeve.

Më herët, të dy udhëheqësit u takuan për të diskutuar çështjet e lidhura me anëtarësimin në zonën Shengen, Ballkanin Perëndimor dhe luftën në Ukrainë.

Scholz tha se marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Bullgarisë janë të shkëlqyera dhe të larmishme dhe sot të dy vendet dëshirojnë të thellojnë bashkëpunimin.

“Marrëdhëniet ekonomike gjermano-bullgare janë të suksesshme dhe në vitin 2022 është arritur një rekord tregtar prej 12 miliardë eurosh”, tha ai.

“Produktet bullgare, dhe veçanërisht furnizimet e industrisë së automobilave, janë veçanërisht të nevojshme në Gjermani”, shtoi Scholz.

Sipas Scholz, Bullgaria është një partner i besueshëm si në BE ashtu edhe në NATO, dhe kjo u duk qartë në reagimet e saj kundër agresionit rus në Ukrainë.

Denkov dhe Scholz do të takohen sërish në ditët në vijim, në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Evropian dhe takimit joformal të krerëve të shteteve apo qeverive të BE-së. /