Opinione

Sarrazinimi* mbi Köln-in

A po fillojnë sërish? Thashethëmet mbi islamin, përçartjet mbi maçoizmin dhe myslimanët, sarracinimi ? Sulmet mbi gratë në Köln dhe në qytete të tjera në natën e ndërrimit të motmoteve kanë nxitur një debat të çmendur në të cilin përzihet çdo gjë : ngacmimi seksual, islami, vjedhja në xhepa, kultura mashkullore. Kristina Shröder shkroi përmes tviterit, se ne « duhet të ballafaqohemi me « normat e dhunshme të legjitimuara » në kulturën islame. A derivon kjo nga Köln-i ? Islami baras me maço, baras me dhunë ? A nuk ishim larguar që moti nga kjo ?

Unë kam jetuar gjashtë vjet me familjen time në Stamboll dhe edhe ne kishim vështirësitë tona të integrimit me disa zakone turke. Ne zemëroheshim kur taksistët nopranë injoronin dëshirat për udhëtim të gruas sime dhe dëgjonin vetëm atëherë kur flisja unë. Ne u alarmuam kur djali ynë u kthye nga kopshti në Turqi dhe iu drejtua gruas sime : « Por, mama, ti s’mund të jesh fare shefi, sepse ti je një grua ». Ne pyesnim se pse vajzat mbajnë gërsheta apo flokë të gjata dhe djemtë qethen gjithnjë deri në rrëzë te berberi.

E tërë kjo flet për probleme të shumta në shoqërinë turke, por jo edhe për ndonjë gatishmëri për dhunë apo për ndonjë defekt në islam. Një shok imi turk u shpreh njëherë kështu për këtë : » Tradita e do që burri dhe gruaja të jenë sa më të ndryshëm dhe të mos kenë përzierje. Pra, flokë të shkurta apo të gjata, pantolla apo fustan, zëshëm apo qetë, fort apo dobët ».

Kjo na erdhi e njohur. Ne kishim jetuar më parë për vite të tëra në Rusi. Një vend i krishterë ortodoks, por me çfarë normash mashkullore se, zonja Shröter! Meshkujt të zhveshur në pjesën e sipërme të belit, hypur në kalë në tajga pozonin me muskuj dhe pushkë automatike, zhyteshin në akull në Detin Arktik, kalëronin arinjtë e murmë… Përveç „heronjve“, si një dekor, edhe një krijesë e butë me flokë të gjata dhe buzë të fryra, gruaja, shkruan “Die Zeit”, transmeton albinfo.ch. Ajo që pamë në Turqi dhe në Rusi nuk ishte aspak islame dhe e krishterë, por diç tradicionale.

Të përkëdhelur deri në çmësuarje

Në shtëpi djemtë përkëdhelen deri në çmësuarje. Ata guxojnë të marrin çdo gjë deri sa të shkojnë me babain te berberi për një frizurë me flokë të shkurta dhe ta provojnë më vonë edhe pushkën ajrore. Vajzat mësohen të kryejnë punët e shtëpisë, të marrin përgjegjësi dhe natyrisht gërshetat e gjata. Moska dhe Stambolli jashtë kopshtit unazor moskovit dhe qendrës së qytetit të Stambollit janë ende shoqëri shumë tradicionale që prodhojnë imazhe të veçanta të mashkullit. Më kujtohet ende gjyshi im i ndjerë, i cili ishte ndër ata, që, kur donte të ndihmonte debatin, e bënte këtë në mënyrë evangjeliste- luteriste.

A nuk ka islami fare të bëjë me këtë? Edhe kjo e pasaktë. Në islam ka ende fatkeqësisht shumë rrymime, të cilat përpiqen me çdo kusht ta konservojnë të vjetrën dhe tradicionalen. Ato përpiqen ta rikonstruojnë një islam të shekullit të 7-të apo të 12-të (edhe krishtërimi nuk ishte shumë i përparuar në atë kohë).

Këta konservatorë nuk jetojnë vetëm në Arabinë Saudite. Isha i tmerruar kur dëgjova „fatvën“ (dekretin) e Ministrisë së Religjionit në Turqi që ndalonte kapjen dorë për dorë të të fejuarve- në hapësira publike. Por a shkon kjo fare se? Provoni ta jetësoni këtë në Stamboll, ju rojet e moralit! Ju s’do të jeni asnjëherë aq të shumtë sa të dashuruarit!

Fatkeqësisht në xhamitë gjermane edhe pas kaq deceniesh integrim predikojnë nëpunësit religjiozë turq. Koha e fundit që të fillojë shkollimi i imamëve në vend. Të krijohen fakultete të shkencës islame dhe shkolla shtetërore për mësimin e kuranit. Nëse islamin nuk do të vazhdojmë ta nxijmë si religjion testosteron, por si pjesë përbërëse të shoqërisë sonë, atëherë do të jemi në gjendje ta përhapim një islam modern tek ne. Shumica e myslimanëve në Gjermani janë për këtë. Por përmes debatit mbi çmendurinë mashkullore të islamit arrihet vetëm e kundërta.

Por ajo që ndodhi në Köln s’ka pothuajse fare të bëjë me debatin e fundit mbi islamin, sepse kapjen e grave, vjedhjen në xhepa dhe ngacmimet seksuale nuk e ka predikuar asnjë imam. Nuk kemi të bëjmë këtu me islamin, por me vepra penale. Dhe për këtë nuk është përgejgjës asnjë kler fetar, por gjyqtari hetues.

Përkthimi për albinfo.ch: Nexhmedin Gerguri

  • Thilo Sarrazin, nje ish – politikan i aPrtisë Socialdemokrate Gjermane, i cili para pak kohësh kërkoi ashpërsimin e theksuar të kriterit të pranimit të refugjatëve