Shqipëria
Sarandës po i kthehet hijeshia
Kjo falë nismave të shoqërisë civile
Plazhet e jashtëzakonshme, pamja, vendet historike, ‘Syri i Kaltër’, çmimet e arsyeshme, janë disa nga arsyet që Saranda po konsiderohet si një nga vendpushimet më moderne në rajon që ofron shumë atraksione për vizitorët.
Shqipëria vazhdon të rekomandohet për t’u vizituar nga faqe të ndryshme, kurse njëra nga bukuritë më të mëdha të saj gjendet në Sarandë, transmeton albinfo.ch.
Saranda është një parajsë e vogël që i ka të gjitha kushtet për të kaluar një pushim të mrekullueshëm si plazhet me gurë të vegjël natyralë, një det të mrekullueshëm të kaltër, si dhe me pamje të jashtëzakonshme që të lë pa frymë, përcjell albinfo.ch.
Por, Saranda është e pasur edhe me bukuri të tjera, si Korfuzi, që është një vend atraktiv për ata të cilët janë të pasionuar pas historisë.
Saranda në dy vjetët e fundit është bërë pjesë e dy nismave të suksesshme iniciuar nga rreth 30 aktivistë nga e gjithë Shqipëria. Të rinjtë i ka bashkuar dashuria për ta parë qytetin e bukur dhe sa më larg betonit gri, ndërsa bashkëpunimi synon të shtrihet edhe më gjerë se Saranda, shkruan porta vendore.al.
E dini si ua kanë uruar historikisht mirëseardhjen miqve sarandiotët?
Nuk është asnjë nga ato që mund të mendoni. Sepse qyteti bregdetar ka zgjedhur historinë për të ndërtuar të ardhmen e vazhdueshme. Ai ka marrë një pjesë të bukur të së shkuarës, atë plot ngjyra e delikatesë dhe ka mbushur me të kujtimet e brezave të tërë sarandiotësh që e kërkojnë me sy sapo shkelin në kufijtë e qytetit të lindjes. Ndërsa për shumë turistë e vizitorë ajo është veç një detaj që i shtohet veçantisë së qytetit.
E kam këtë ndjesi retrospektive sa herë shkoj në Sarandën e vendlindjes. Sado e transformuar të jetë, unë përpiqem të gjej mes realitetit të sotëm gjurmët e pakta të së shkuarës, që në çdo rikthim duket kaq e afërt.
Dhe askush më mirë se “lule Pinoku” nuk m’i risjell nëpër mend. Më kujtohet kur të vegjël këpusnim pistakët e verdhë dhe i vendosnim në majë të hundës duke konkurruar kush e kush i mbante më gjatë. Më shumë se tre dekada më parë, kur unë isha ende në klasë fillore, qyteti ishte i mbushur me të bukurën lule Bukovile dhe prania e saj krahas oleandrave dukej diçka e zakonshme për qytetin.
Ndryshimi nisi më vonë, si kudo në Shqipëri, kur lulja e veçantë u shkul përdhunshëm për të mbjellë në vend të tyre ndërtesa betoni.
Bukovilja, lulja simbol e Sarandës.
“Mirë se vini në Sarandën tonë”, flet lulja simbol e saj. Sepse e thënë sarandiotçe, “Bukovilja” (Bouganville) simbolizon “mirëseardhjen”.
Ishte viti 1872 kur Naim Frashëri mbërrin në Sarandë si nëpunës i doganës së këtij qyteti ku jetoi dhe punoi për 5 vjet. Me vete ai solli edhe bukovilen. Lulja kacavjerrëse udhëtoi nga Turqia për t’u kacavjerrë për një shekull e gjysmë nëpër muret e qytetit bregdetar me të cilin sot identifikohet, duke u njohur si “Lulja e Sarandës”.
Vitet ‘90 sollën ndryshimet e mëdha në Shqipëri dhe Saranda është qyteti më i prekur nga këto ndryshime. Shumë shpejt vendin e luleve e zunë pallatet dhe bukovilja tradicionale shihej gjithnjë e më pak.
Një vit më parë, një grup aktivistësh, të bërë së bashku nga dëshira për të rigjetur Sarandën e fëmijërisë, dolën me një thirrje për të rikthyer në qytet lulet e dikurshme.
“A mund të kthejmë në Sarandën tonë të dashur lulen e Bukoviles (Bougavillies)?” Ishte kjo thirrje në rrjetet sociale e aktivistit Adriatik Lapaj, i cili iu drejtua ndjekësve të vet me këtë pyetje, pikënisja e të gjithë kësaj nisme, tregon Agustela Thoma, drejtuese ekzekutive e “Nisma e Luleve”.
Reagimi ishte i menjëhershëm dhe me përmasa të gjera. Kështu mori rrugë nisma “Dhuro një lule për Sarandën”. Shumë të rinj duke pasur imazhin e viteve të fëmijërisë së tyre bashkëshoqëruar me këtë lule të bukur Pinoku, reaguan duke u shprehur të gatshëm për të hedhur një hap më tej. “Prej viteve ‘90 e deri në ditët e sotme kjo lule ishte zhdukur e zëvendësuar nga ngjyra gri e betonit. Nevojitej një ndryshim i cili nuk mund të kryhej i vetëm. Kështu vazhdoi ideja duke u mbledh grupi i parë reagues prej gati 20 personash të cilët do të themelonin më pas dhe Nismën e Luleve. Rrjetet sociale janë një ndihmë e madhe sot për të bërë njerëz e mendje bashkë. Kështu u bëmë bashkë edhe ne”, thotë Agustela.
“Nisma e luleve”, iniciativa që po i rikthen Sarandës ngjyrat
Plot 750 bimë dekorative, përfshirë Bukovilet, Oleandrat, Lagerstroemia, etj janë mbjellë në harkun kohor të një viti në qytetin bregdetar duke përfshirë zona si hyrja e qytetit, bulevardi dhe spitali “Petro Nako”. Të gjitha këto me kontributet e vetë qytetarëve sarandiotë, rezidentë ose jo.
“Në fakt u prit më mirë nga sa ne menduam; sidomos të rinjtë e vendit dhe duhet cilësuar jo vetëm sarandiotët, por edhe dashamirës të qytetit tonë bregdetar. Si gjithmonë në fillim pati dhe disa skeptikë apo persona që dyshuan se kjo po bëhej për qëllime politike, por më vonë ndërruan mendje dhe përkrahën masivisht nismën. Lulet e mbjella në 2019-ën në bulevard janë të gjitha me kontribute të qytetarëve pa dallim feje, krahine apo ideje politike”, tregon në rrëfimin e saj për Porta Vendore, Agustela.
Reina është një vogëlushe 4-vjeçare. Ajo u bë pjesë e nismës duke blerë një pemë të vogël që tashmë mban emrin e saj. Reina e vogël vjen pothuajse përditë në Plazhin e ri të qytetit, aty ku është mbjellë pema e saj, për ta vaditur atë.
Sarandiotët e përkrahën nismën në vazhdimësi. Janë të shumtë qytetarët që si Reina e vogël kujdesen për bimët e sapo mbjella. Agustela thotë se shpesh janë këta të fundit që sinjalizojnë nëse ka dëmtime në pemët apo lulet e mbjella.
“Ne përpiqemi vetë maksimalisht të korrigjojmë në kohë atë që nuk shkon dhe vlerësojmë edhe bashkëpunimin qytetar me mostregimin indiferent ndaj fenomenit”, thotë ajo.
Bashkia e Sarandës u ka dhënë mbështetjen e vet nismëtarëve të luleve, ndonëse këta të fundit kujdesen sistematikisht për bimët duke i vaditur dhe plehëruar, edhe pse janë ndeshur jo rrallëherë me vështirësi teknike në realizim, por siç thotë Agustela, e kanë ndier për detyrë përkujdesjen ndaj tyre.
Nga toka në det: Një nismë për pastrimin e ujërave të Jonit
Impakti pozitiv që pati nisma nxiti dëshirën e nismëtarëve dhe vetë qytetarëve të Sarandës për të bërë diçka më shumë në ndihmë të qytetit. Ishte përfundimi i sezonit veror të 2019-ës kur Ergysit, zhytësit të grupit, i lindi ideja për pastrimin e fundit të detit.
“Në zhytjet e mia të rregullta e kisha parë ndotjen e madhe që kanë ujërat e bregut të Sarandës. Dhe gjithçka vijoi më pas lindi pikërisht nga kjo eksperiencë aspak e mirë”, tregon ai.
Zhytja e parë për pastrim ishte dhe pikënisja e identifikimit të problematikës së ndotjes nënujore me mijëra goma e shumë mbetje të tjera plastike.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
Jeta në Zvicër
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit Valdete Hoti dhe Shoqata “Parandalo”, të cilën ajo e drejton, dëshmojnë se edhe një iniciativë e...
-
Gjeneva aktivizon planin e saj të akomodimit emergjent
-
Reshjet e fundit të borës nxisin fluksin turistik në Zvicër
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch