Shqipëria

Saranda këtë vit me 20 përqind më shumë turistë se vitin e kaluar

Saranda dhe Ksamili si çdo vit vijojnë të tërheqin një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi tha për mediet se “sipas të dhënave statistikore nga porti dhe pikës kufitare, kemi 20% rritje të numrit të turistëve në krahasim me vitin e kaluar”.

“Këtë vit turistët janë individualë, harta e turizmit në Sarandë dhe Ksamil ka ndryshuar, kjo gjë e bën edhe më të qëndrueshëm turizmin. Kemi turistë nga të gjitha vendet e Europës dhe përtej saj, kemi turistë nga Amerika, Kanadaja e Australia. Italianët vijnë më shumë në fillim të gushtit dhe fillim të shtatorit. Në përgjithësi turistët janë të rinj”, tha kryebashkiaku Çaçi.

Në Sarandë dhe Ksamil i është kushtuar vëmendje edhe investimeve në infrastrukturë.

“Bashkia ka bërë investime në infrastrukturë si në Sarandë dhe Ksamil. Në Ksamil janë të gjitha rrugët të asfaltuara dhe një pjesë e investimeve fillojnë në tetor. Në sezonin e pikut janë ndërprerë punimet, që t’i japim mundësi bizneseve të krijojnë të ardhura ekonomike”, tha Çaçi.

“Këtë vit do të ketë zgjatje të sezonit turistik deri në nëntor, duke qenë plot me pushues”, tha Çaçi.

Vitet e fundit Saranda po tërheq gjithnjë e më shumë turistët e huaj, shkak për këtë janë bërë edhe investimet e rëndësishme si shkallaret, bulevardi, ndriçimi, sinjalistika, që i kanë dhënë tjetër pamje qytetit bregdetar. Përveç plazheve të shumta, në Sarandë mund të vizitosh parkun e Butrintit, Syrin e Kaltër, Kalanë e Lëkurësit etj.