Kosova

Kërkohet largimi i fotos së gruas duke u përdhunuar nga policia serbe

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ka kërkuar të largohet nga mediat fotografia e publikuar nga ana e deputetes Flora Brovina.

Kjo e fundit gjatë ditës së sotme ka publikuar një fotografi, në të cilën shihet një grua deri sa dhunohet nga tre pjesëtarë të policisë serbe.

“Është kërkesë e familjarëve dhe janë të shqetësuar, kanë kontaktuar qendrën KRCD, të cilën e udhëheq zonja Feride, kisha kërkuar që të respektohen dhe të largohet ajo fotografi”, tha Bogujevci.

Bugojevci e quajti të padrejtë dhe të padinjitetshëm veprimin e Brovinës.

“Zonja Brovina më vjen shumë keq, po është e padrejtë që u bë ajo, shihet viktima, po thu që është gjallë, imagjinoni si ndihet ajo, kjo i bjen të mos trajtohet me dinjitet si person, nuk e di a ke qëllu ti në atë gjendje, këto gjëra duhet të merren me përgjegjësi”, theksoi ajo.

Gjatë ditës së sotme u mbajt dhe po mbahet  seanca në të cilën pritet Shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë.