Lajme
Saimir Pirgu: Vjena më dha famën botërore
Për albinfo.at flet Saimir Pirgu, i cili konsiderohet si një nga tenorët bashkëkohorë më të rëndësishëm në botë si interpretues i lirikës operistike
Ai është një nga ambasadorët më të denjë të kulturës shqiptare në botë. “Zëri i tij posedon një kualitet dhe elasticitet i cili nuk haset më në kohën që ne jetojmë…”, shkruan “La Presse” në vitin 2014. “The New York Sun” e konsideron si tenorin pa limite! Ndërkohë që “New York Times” e ka pagëzuar si tenorin „që vjen nga ana e errët e Hënës“.
Një djalë shqiptar i cili u largua nga vendi i tij me një valixhe plot me ëndrra, të cilat nuk i tradhtoi kurrë, por i bëri realitet duke e mbajtur edhe kokën pas, për të mos e harruar asnjëherë këtë fakt. Publiku ndërkombëtar e ndjen autenticitetin e tij, i cili e përforcon talentin e rrallë duke e bërë në skenë një artist magjepsës. Bëhet fjalë për tenorin Saimir Pirgu, tashmë i njohur në rang botëror, i cili jeton midis udhëtimeve, skenës dhe famës duke arritur majat në teatrot dhe operat më prestigjioze në botë. Ai, lindi në vitin 1981 në Elbasan, 81-shi që është dhe viti im i lindjes, i cili më kujton kohën kur gjenerata jonë ëndërronte dhe përgatitej çdo moment shpirtërisht për botën e madhe. Të burgosur mes dy realitetesh, komunizmit dhe „jashtë shtetit“ siç e quanim atëherë, le të themi në sens metaforik edhe artin e lirë, ne pikturonim botën në fantazinë tonë me ngjyra shumë të ndezura, me entuziazëm dhe me pozitivitet. Në një intervistë për Albinfo.at ai na tregon disa detaje nga vetja.
Mund të na e përshkruani Saimirin si fëmijë me ëndrrat dhe dëshirat e tij?
Unë kam kënduar gjithmonë, ndonëse fillimet e mia i kam pasur si violinist në fëmijëri në shkollën e muzikës. Kam qenë po ashtu i angazhuar në aktivitetet e zhvilluara nga Shtëpia e Pionierit në atë kohë. Por kurrë nuk do ta kisha menduar që pas koncertit të tre tenorëve në Caracalla do të dashurohesha me operën.
Si mendoni ju, sa për qind përbën puna dhe sa për qind fati për të bërë karrierë artistike?
Unë nuk besoj shumë në fat, sidomos ky profesion nuk është për të gjithë, së pari duhet shumë talent për ta bërë atë dhe së dyti është puna ajo që të bën të arrish më shumë. Gjithsesi është një kombinim i të dyjave. Nëse do të shprehesha me përqindje, 70% talent dhe 30% punë dhe pastaj një 100% tjetër punë, punë dhe vetëm punë.
Si e ndjen veten një artist kur ka arritur majat, ndryshon diçka thelbësore për të si nga ana artistike dhe ajo njerëzore?
Te them të drejtën për mua nuk ka ndryshuar asgjë, e ndjej veten akoma si nxënës, jam gjithmonë i etur për të mësuar diçka të re. Ajo që ka ndryshuar është vetëm perceptimi i njerëzve ndaj meje dhe këtë e ndjej, sepse njerëzit janë ata që mendojnë se unë kam ndryshuar. Por, unë jam munduar të qëndroj ai që kam qenë dhe kush më njeh nga afër më thotë të njëjtën gjë. Jam po ai Saimiri, i njëjti karakter. Për mendimin tim, baza familjare është shumë e rëndësishme tek çdo individ, por sidomos tek artistët, një familje e shëndoshë u jep atyre gjithmonë një bazë të fortë për atë çka do të ndërtojnë në të ardhmen.
Cila është gjëja që Saimiri s´do ta ndante asnjëherë me publikun dhe pse?
Jetën time private, familjen, ato janë pjesë vetëm e imja dhe do të mbeten si të tilla gjithë jetën. Jeta e artistit është shumë e ekspozuar, një pjesë shumë e madhe e jetës është në skenë, pra në sytë e publikut, kjo e bën të domosdoshme mbajtjen e jetës private larg tij.
Ka diçka në jetën tuaj për të cilën pendoheni që s`e keni bërë akoma?
Nuk do të kthehesha kurrë mbrapsht, motoja ime është të ec vetëm përpara, po edhe sikur kjo të ndodhte, unë do të hidhja po at hapa që kam hedhur deri tani, vështirë të ndryshoj mendjen në vendimet e mia. Ah, mbase diçka mund të them këtu se nëse do të kthehesha në fëmijërinë time do të kisha studiuar edhe pak më mirë violinën, sepse mendoj se po të kisha pasur mendjen e tanishme, do të isha bërë edhe një violinist shumë i mirë.
Gjëja që ju ka impresionuar më shumë në jetën tuaj artistike?
Guximi që kam pasur që në moshën 22 vjeçare të këndoja për herë të parë në festivalin më të madh që ekziston për botën e operës, në festivalin e Salzburg-ut. Kur e mendoj sot, them se me siguri nuk kam qenë shumë i vetëdijshëm për vendin ku isha dhe se çfarë po interpretoja.
Cili personazh ka qenë më i vështiri për ju për t’u debutuar si rol?
Mund të them që rolet franceze janë ato qe të mundojnë më tepër, si nga ana interpretimit, por edhe nga gjuha, sepse frëngjishtja nuk është e lehtë për t’u kënduar, sidomos për ne këngëtaret që vijmë nga bota latine italiane. Por, mendoj që “Damnation de Faust” ka qenë roli më i vështirë që kam kënduar deri tani.
Keni vënë re ndryshime midis publikut evropian, amerikan dhe australian për sa i përket muzikës klasike?
Sigurisht që teatrot evropiane janë më të ndjeshëm dhe më kritikë ndaj artistëve. “La Scala” në Milano, apo opera e Parisit, Vjena, mbeten gjithmonë teatro primarë që artistit nuk i lejohet qetësi në interpretim, publiku është tepër i ndjeshëm dhe tepër kritik. Ndërsa sigurisht edhe në Amerikë, ne teatrot e mëdha në “Metropolitan Opera” apo ne operën e Sidney-t, publiku është kritik gjithashtu, por edhe më dashamirës ndaj artistit dhe me pak i prirur për kritikë. Sido që të jetë në teatrot e mëdha që kanë nivel te lartë, ka gjithmonë një kritikë shumë konstruktive.
Ju keni një lidhje të veçantë me Operën e Vjenës, por edhe me Salzburg-un. Keni lidhje të ngushtë me Austrinë përtej jetës artistike. Keni jetuar ndonjëherë këtu për kohë të gjatë dhe a do e bënit një gjë të tillë në të ardhmen?
Nëse ekziston një Saimir Pirgu me famë botërore, fillimi është Vjena. Unë e kam nisur jetën time artistike nga Austria. Kisha fituar disa çmime ne Itali, kisha kënduar me Claudio Abadon-in po në Itali, por vendi që më ka dhënë suksesin ndërkombëtar, ka qenë pikërisht Vjena, teatri i “Staatsoper” në Vjenë ku unë këndova që në moshën 21 vjeçare. Po ashtu edhe Salzburgu si festivali më i rëndësishëm ndërkombëtar në fushën operistike, ku unë isha ekzekutuesi më i ri në atë kohë. Nuk besoj se do të jetoj ndonjëherë në Vjenë, ndonëse jam tepër i lidhur me Vjenën dhe në qoftë se unë nuk do të isha në teatër apo në ndonjë nga sallat ku unë kam kënduar si në „MusikFrehn“ apo në “Konzerthaus” apo në “Wiener Staatsoper”, do të më dukej vetja sikur nuk jam pjesë e teatrit, apo do të më mungonte diçka. Kështu që gjithmonë Vjena do të mbetet teatri më i rëndësishëm i jetës sime, ku unë kam kënduar më tepër, por do ta kisha të vështirë të jetoja për një kohë të gjatë aty. Të paktën për momentin jo, por mundet edhe të ndryshoj mendjen.
Ju kemi parë gjithnjë të bëni shqiponjën në teatrot më prestigjioze dhe të njohura në botë, për çfarë është krenar Saimiri për vendin e tij?
Unë jam shqiptar dhe e dua vendin tim. Është kënaqësi kur e ndjen që në sallë ka bashkëkombës shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo kudo gjetkë ata ndodhen. Kur i sheh se sa krenarë janë ata për ty që je në skenë, të mbushet shpirti me krenari e dashuri për vendin tënd. Prandaj, dhe unë i përshëndes gjithmonë me shqiponjën. Për çfarë jam krenar? Për historinë, për sakrificat e këtij populli, për ruajtjen e identitetit tonë gjatë gjithë periudhave të vështira të historisë. Sado i madh që të bëhet një artist, kur shkruhet a po flitet për të, gjithmonë gjëja e parë që thuhet është vendi ku është lindur. Dhe unë jam krenar që jam shqiptar!
T´ju them të drejtën interpretimi i „Fjalëve të qiririt“ për Krishtlindjet 2020 në Vjenë na ka emocionuar, por mbi të gjitha na ka bërë krenarë. „Dua shumë fjalë t’ju them, Po trembem mos ju bëni ujem. E ku shkruhen në kartë Fjalët’ e gjuhës ‘zjarrtë ?“. Duke ju referuar strofës së fundit, pse pikërisht „Fjalët e Qiririt“, çfarë mesazhi keni dashur të transmetoni tek publiku i huaj dhe ai shqiptar; e përmbledh kjo strofë pak a shumë?
Ndodh shpeshherë në botë që nuk e dinë as se kush jemi ne shqiptarët, historia jonë është pak e ngatërruar dhe sidomos periudha e perandorisë otomane, e ka lidhur Shqipërinë me botën orientale dhe çuditërisht më ndodh shpesh që t’u tregoj dhe gjeografinë se ku ndodhet Shqipëria. Kjo sidomos në Australi dhe në SHBA, ku mendojnë se Shqipëria ndodhet diku në Lindjen e Mesme apo diku më poshtë Turqisë. Harrojnë se ne jemi një nga popujt më të vjetër evropiane dhe kjo është gjithmonë për mua një shtysë. Në koncertin e Vjenës ky ka qenë edhe një motiv, që të gjeja diçka që të kishte lidhje me botën shqiptare dhe këto fjalë kanë një mesazh tepër të fortë, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.
Ju jeni vlerësuar si produkti „përzierja“ e tre tenorëve, çfarë nënkuptohet saktësisht me këtë dhe ku qëndron forca juaj?
Ajo që nënkuptohet është se pa atë koncert të madh të viteve 90, kurioziteti im për t’u bërë tenor nuk do të ishte bërë realitet. Ai koncert bëri që në atë kohë shumë të rinj të dashuroheshin me botën e operës, në atë kohë ajo ishte diçka e re dhe afroi shumë njerëz që ishin larg botës se operës ta njihnin atë nga afër dhe unë isha njëri prej tyre.
Vetë fakti që muzika klasike depërton thellë nën lëkurë, e pozicionon atë më pranë shpirtit. Ju keni kënduar shpesh për qëllime bamirësie. Pra, sa rëndësi ka për ju ta arrini publikun në shpirt? Po paraja ku zë vend?
Mendoj se çdo artist kur këndon do që të arrijë në brendësi të shpirtit të publikut dhe të mbetet pastaj në memorien e tij. Nëse do të shprehesha me fjalët e Migjenit të madh, paraja dhe artisti janë “dy skaje të një litari”, nuk kanë asgjë të përbashkët. Për mua marrëdhënia me paranë është diçka që të nevojitet për të përballuar jetesën, shpenzimet për të qenë artist, por nuk është qëllimi në vetvete. Një artist i vërtetë nuk është i fokusuar tek paraja por tek arti, ndryshe nuk do të quhej artist, do të quhej biznesmen apo ku di unë se çfarë.
Box
Ja përse e bëj shenjën e shqiponjës
Unë jam shqiptar dhe e dua vendin tim. Është kënaqësi kur e ndjen që në sallë ka bashkëkombës shqiptarë, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi apo kudo gjetkë ata ndodhen. Kur i sheh se sa krenarë janë ata për ty që je në skenë, të mbushet shpirti me krenari e dashuri për vendin tënd. Prandaj, dhe unë i përshëndes gjithmonë me shqiponjën. Për çfarë jam krenar? Për historinë, për sakrificat e këtij populli, për ruajtjen e identitetit tonë gjatë gjithë periudhave të vështira të historisë. Sado i madh që të bëhet një artist, kur shkruhet a po flitet për të, gjithmonë gjëja e parë që thuhet është vendi ku është lindur. Dhe unë jam krenar që jam shqiptar!
Box 2
Aktivitete në kohë pandemie
Saimir Pirgu ka mbaruar në sezonin e parë artistik të vitit, xhirimet e një filmi operistik, apo më saktë, të “Traviatta” në Romë, me regji të Mario Marttones dhe dirigjentit Daniele Gatti, i cili u transmetua në televizionin italian në RAI3, më 9 prill. Në Operën e Cyrihut ai ka interpretuar rolin e “Hoffmann” nga “Les Contes D’Hoffmann” që po ashtu u transmetua drejtpërsëdrejti në format online më 11 prill. Në këto role ai ka vërtetuar në mënyrë të denjë talentin e tij të paskajshëm dhe të merituar si artist me famë botërore duke shkëlqyer sërish. “Këto kanë qenë projekte të detyruara prej pandemisë dhe e ndjej veten me fat që jam nga të paktët artistë që kanë punuar gjatë kësaj kohe. Shpresoj të gjithë t’ia dalim mbanë!”, shprehet Saimiri.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?