Zhvillim

“SAF” synon bartjen e përvojës bankare zvicerane në trojet shqiptare

“Do të ofrojmë kurse për sektorin financiar nëpër universitetet e Kosovës, ku do të tregojmë se si punohet në bankat e Zvicrës”

  • albinfo.ch: Perparim Avdili

  • albinfo.ch: Alban Nevzati, Präsident

  • albinfo.ch: Petrit Ismajli

Alban Nevzati është zgjedhur kryetar i Asociacionit të punëtoreve financiarë shqiptarë të Zvicrës (SAF ose Swiss-Albanian Finance Asociation) që u themelua pak ditë më parë në Cyrih. Aktualisht Albani mban post udhëheqës në Market Risk Methodology – Strategic Change në bankën më të madhe zvicerane, UBS. Për po këtë bankë ai ka punuar disa vite edhe në SHBA ku ka akumuluar një përvojë, i specializuar për gjetjen e metodave për uljen e riskut të punëve bankare.

“Ideja ka qenë që ta kemi një grup profesionistësh shqiptarë të sektorit financiar në Zvicër. Në bazë të saj edhe e themeluam shoqatën”, e sqaron Albani idenë që qëndron në themel të kësaj shoqate të re.

Ndërsa në cilësinë e kryetarit të parë të saj, ai ka edhe vizionin e tij për punën që e pret. “Vizioni im për vitin e parë të asociacionit është që të krijojmë një infrastrukturë që e lehtëson punën për pasardhësit, qoftë në aspektin organizativ qoftë në përhapjen e informacioneve rreth asociacionit te mediet, grupet e interesit dhe grupet në atdhe që duan të bashkëpunojnë”, thotë Nevzati.

Duke folur për numrin e anëtarëve potencialë të shoqatës, ai thotë se ende nuk kanë shifra të sakta por synojnë që së shpejti të kenë një bazë të dhënash për këtë.

“Ne llogarisim se në sektorin financiar mund të jenë të punësuar rreth 450 deri 500 shqiptarë. Bëhet fjalë për ata që punojnë në banka të ndryshme qoftë në sportele qoftë në backoffice të bankave etj. Mirëpo detyra ime kryesore si kryetar i zgjedhur për këtë vit do të jetë krijimi i një databaze për regjistrimin e secilit bashkëkombës që punon në këtë profesion dhe që është i interesuar të jetë pjesë e asociacionit.

Kurse për punëtorët e ardhshëm të bankave në Kosovë

Në anëtarësi do t`i përfshijmë, veç punëtorëve të bankave edhe personat nga fusha të tjera por që merren me financa”, sqaron kryetari i parë i asociacionit të ri.

Ai shton se organizatorët kanë një listë prej rreth 80 vetave që janë të rregullt në takimet që deri më tash janë mbajtur në bazë joformale së paku dy herë në vit. “Sigurisht, shpresojmë se ky numër do të rritet”, plotëson Nevzati.

“Gjithsesi kemi në plan të bashkëpunojmë me subjektet bankare në Kosovë por kjo varet edhe nga aspekti i liberalizimit të vizave, lejeve të punës për profesionistët nga Kosova që do të vinin këtu etj. Ajo çka kemi menduar ne të bëjmë dhe që varet nga ne është që të shkojmë nëpër universitetet e Kosovës që të ofrojmë kurse për sektorin financiar ku do të tregojmë se si punohet në Zvicër si njëri ndër vendet ku ndiqen metodat më të avancuara në lëmin bankar në botë. Njësoj synojmë që këtë ta bëjmë edhe në universitetet e Shqipërisë apo të Maqedonisë” thotë Alban Nevzati”,  kryetar i shoqatës SAF.

Ndër nismëtarët dhe mbase personi më i angazhuar për ngritjen në këmbë të asociacionit të ri ka qenë Përparim Avdili. Ai punon në bankën UBS si udhëheqës i një grupi llogaritar.

 Zyrtarizohet rrjeti që ekzistonte në mënyrë joformale

“Deri më tani, të gjitha organizimet e bëra kanë qenë me karakter joformal, dhe qëllimi i tyre ka qenë njohja e shqiptarëve të këtij sektori në mes vete, rrjetëzimi i tyre. Ndërsa me themelimin e SAF, qëllimi është qartësuar duke e profesionalizuar këtë rrjet. Synimi ynë është që ne të funksionojmë si forum për të gjithë shqiptarët në Zvicër të cilët janë të punësuar në sektorin financiar ose kanë profesionin në lidhje me fushën financiare”, arsyeton Avdili themelimin e SAF. “Asociacionin e themeluam për shkak kërkesës për tu kyçur më mirë në kontakt me kolegët e të njëjtit profesion. Pastaj, mbi këtë ne do t`i vazhdojmë aktivitetet tona duke ndihmuar në radhë të parë vetë anëtarët tanë përmes këshilldhënies për tu specializuar në një drejtim. Por po ashtu edhe duke këshilluar anëtarët e rinj (nxënësit ose studentët) që ta kenë më të lehtë kyçjen në jetën passhkollore/studentore dhe pse jo të krijohen mundësi për ta gjetur edhe më lehtë një vende pune më të përshtatshëm”.

Këta janë hapat e parë ndërsa “në një hap të tretë, ne do të krijojmë edhe lidhje mes asociacionit dhe trojeve tona dhe do të ofrojmë ndihmën tonë si këshilltarë për projekte jofitimprurëse. Pra projekte të cilat organizohen prej shoqatave apo dhe institucioneve komunale e deri te ato shtetërore. Ne këtu në Zvicër kemi bërë shumë përvojë dhe jemi të specializuar në shumë fusha, prandaj dëshira jonë është që vendet tona amë të përparojnë dhe të zhvillohen e sidomos të shfrytëzohet maksimalisht potenciali ekzistues atje” thotë Përparim Avdili.

Ndërkaq, ai ka plane edhe në cilësinë e sekretarit dhe zëdhënësit. “Jam i i bindur që me këta 7 persona të zgjedhur në kryesi, të cilët kanë pozita të larta në kompanitë ku punojnë, mund të përballemi me cilëndo sfidë në të ardhmen. Unë do ta kem rolin e sekretarit dhe zëdhënësit, pra përgjegjësia për bashkëpunim me medie bie në domenin tim ose në marrëveshje me mua. Si sekretar do të përkujdesem sidomos për organizimin e brendshëm të asociacionit, por njëkohësisht si anëtar dhe nëpunës banke do të ofrohem në projekte dhe aktivitete të përshtatshme” përfundon Avdili.

Petriti përfaqëson bankat zvicerane në kontestet ndërkombëtare

Etuziast me themelimin e shoqatës shprehet edhe Petrit Ismajli. Ai, siç e thonë kolegët e tij, ka pozitën më të lartë nga shqiptarët në lëmin e bankave në Zvicër. Petriti mban titullin zyrtar Head International Tax bei SwissBanking që kuptohet pak a shumë si drejtor për çështje taksash ndërkombëtare në shërbim të bankave të Zvicrës.

“Jetoj rreth 30 vjet në Zvicër, vi nga Kamenica, kam studiuar ekonominë në Universitetin e Cyrihut e pastaj kam punuar 5 vite në “Ernst & young”, ku jam specializuar si ekspert tatimor. Tash jam në asociacionin e bankave zvicerane swissbanking që i mbron interesat e bankave të Zvicrës në botë. Unë jam i angazhuar si drejtor në lëmin e tatimeve internacionale (Head of international taxes) në Bazel dhe në Cyrih por puna më lidh edhe me Bernën gjegjësisht Ministrinë e financave në nivel nacional”, shprehet Ismajli.

“Sigurisht mbrojtja e interesave të bankave zvicerane nuk është punë e lehtë duke ditur presionin nën të cilin punojnë ato, kur dihet historia e bankave zvicerane pasi janë shumë të avancuara në asetet që menaxhojnë, shprehet Petrit Ismajli, i zgjedhur anëtar kryesie dhe përgjegjës për P&R dhe medie në shoqatën e sapothemeluar.