Futboll

Sa vlen Kombëtarja kuqezi

Sipas “Transfermarkt”, faqja e specializuar që raporton çmimet e kartonëve të futbollistëve, vlera e kombëtares shqiptare llogaritet në 107.3 milionë euro

Pak kohë më parë Kombëtarja Shqiptare ka realizuar ëndrrën, duke siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian, Euro 2024, që do të mbahet në Gjermani. Përballja e parë e kuqezinjve do të zhvillohet në Dortmund më 15 qershor kundër Italisë.

Duke qenë se kampionati është shumë afër, “Scan Intel” ka bërë një analizë të vlerave të lojtarëve të Kombëtares shqiptare në treg, transmeton albinfo.ch.

Pas sukseseve të kombëtares edhe vlerat e tyre kanë ndryshuar në treg. Sipas “Transfermarkt”, faqja e specializuar që raporton çmimet e kartonëve të futbollistëve, vlera e kombëtares shqiptare llogaritet në 107.3 milionë euro.

“Scan Intel” e ka analizuar vlerën e lojtarëve duke i ndarë sipas pjesëve që përfaqësojnë në fushë. Kështu, sipas të dhënave, porta e Kombëtares Shqiptare vlen 5.2 milionë euro, ndërkohë mbrojtja vlen 29.9 milionë euro. Më e shtrenjtë duhet se është mesfusha me një vlerë prej 40.5 milionë euro, ndërsa sulmi na vlen 31.7 milionë euro.

Por çfarë raportojnë shifrat nëse analiza kalon në nivel individual? Referuar “Transfermarkt”, shohim se lojtari më i shtrenjtë i kombëtares është Armando Broja me një vlerë prej 22 milionë eurosh. Pra, nga një përllogaritje shohim se Broja vlen rreth 5 milionë euro më pak se i gjithë formacioni i mbrojtjes. Lojtari i dytë më i shtrenjtë, edhe pse më një diferencë të konsiderueshme, është Kristjan Asllani me vlerë 16 milionë euro, pasuar nga Ernest Muçi dhe Berat Gjimshiti me vlerë 11 milionë euro dhe 10 milionë euro.

Ndërkohë, lojtari më vlerën më të ulët për Shqipërinë vlerësohet në 200 mijë euro.

Madhësia e skuadrës sonë llogaritet në 27 lojtarë, ndërkohë që mosha mesatare është 27 vjeç. Por si paraqitet mosha mesatare sipas formacioneve? Nga të dhënat aktuale të “Transfermarkt”, shohim se sulmuesit kanë moshën mesatare më të ulët në 26 vjeç. Nga ana tjetër, porta ka një moshë mesatare prej 27.5 vjeç, ndërsa mbrojtja dhe mesfusha e kanë moshën mesatare në 27.6 vjeç dhe 26.7 vjeç.