Shqipëria
Sa shitet paketa turistike e Shqipërisë nëpër botë?
Zakonisht, ajo që të zë syri më shumë në rrjetet sociale në muajt prill, maj dhe qershor janë paketa pushimesh që ftojnë të zgjedhësh destinacione të ndryshme.
Edhe këtë vit nuk mungon lumi i ofertave që ftojnë shqiptarët të pushojnë në vende si Turqia, Greqia, Italia apo më gjerë.
Teksa kjo është njëra anë, duket se Shqipëria në anën tjetër është destinacioni që po fton të huajt të zgjedhin ofertën turistike.
Agjenci të ndryshme të huaja anekënd globit po marketojnë vendin tonë si një mundësi për pushimet e verës 2024, madje edhe për vitin 2025, duke dhënë kështu pagesën për paketë, planin e shlyerjes së saj dhe çfarë përfshin ajo.
Britanikët “shesin” edhe Shqipërinë e 2025 për 1147 paund/personi
“Shqipëria klasike, Toka e Shqiponjave” – kështu e nis marketimin një agjenci britanike, e cila ka specifikuar se paketa e pushimeve është e vlefshme deri më shtator 2025 dhe përfshin 7 net.
Konkretisht, pagesa prej 1147 paund (1350 euro) për person përcaktohet se mund të ndahet deri në 13 këste me 69 paund secili por si fillim duhet të bëhet një depozitë prej 250 paund. Paketa përfshin fluturimin nga Edinburgu, bagazhet, shtatë vakte që mund të jenë mëngjes, drekë ose darkë në varësi të pushimeve.
“Zbuloni kryeqytetin postkomunist, Tiranën dhe të kaluarën e saj me një tur me guidë në pikat më të rëndësishme historike.
Përjetoni pjesën kreative të vendit, me një vizitë opsionale në Bunk’art 2, një nga 750 mijë bunkerët që ngjajnë si kërpudha dhe që prej atëherë janë risjellë si një instalim arti. Zbuloni Rivierën Shqiptare deri në Durrës, ‘Qyteti i Përjetshëm në Adriatik’ dhe bëni një tur në rrënojat antike të ruajtura mirë” thuhet në shpjegimin e ofertës.
Në fund, agjencia bën edhe një përshkim të plotë të itinerarit ku dita e parë është fluturimi për në Tiranë. Dita e dytë përfshin një tur në Tiranë dhe Durrës, me një vizitë opsionale në Bunk’art 2. Dita e tretë përfshin vizitën në Krujë dhe në Muzeun e Skënderbeut, ndërsa dita e katërt një udhëtim në Lezhë dhe Vlorë.
Dita e pestë parashikon një vizitë në Parkun Kombëtar në Llogora, Kështjellën e Ali Pashës dhe Sarandën. Dita e gjashtë një udhëtim në Butrint dhe Gjirokastër për ta mbyllur të nesërmen me një tur në Berat dhe Parkun Arkeologjik në Apoloni. Në ditën e tetë, turistët fluturojnë sërish drejt Britanisë.
Paketat rajonale nisin nga 1070 euro për turistët nga i gjithë globi
Shqipëria si destinacion nuk është vetëm pjesë e paketave që ofrojnë agjencitë lokale në vende të ndryshme, por edhe e agjencive që kanë aktivitet global. Një agjenci e tillë është Interpid që Shqipërinë e ofron kryesisht si paketë rajonale, por sigurisht nuk mungon edhe një paketë më vete.
Nëse mendoni se e njihni Shqipërinë, mendohuni edhe një herë. Ky vend, që krijon varësi, ka shumëllojshmëri portretesh. Në Veriun e thyer, Alpet janë aq të egra sa janë ‘të mallkuar’, ndërsa Jugu gëzon një nga brigjet më pak të njohura dhe më të bukura në të gjithë Europën.
Tirana është e mbushur me çmenduri, nga trafiku e deri te jeta e natës, por në zemër të saj gjen xhami, kala, arkitekturë osmane dhe një dozë të Ballkanit mesjetar.
Surpriza e vërtetë e Shqipërisë janë njerëzit. Ngrohtësia e tyre ndaj të huajve është infektuese dhe me siguri do ta gjeni veten duke shkëmbyer histori me një ose tre gota raki” – thuhet në përshkrimin e agjencisë për Shqipërinë.
Paketa e vetme që ka në bazë vetëm Shqipërinë shitet për 1425 euro dhe përfshin periudhën gusht-shtator dhe tetor, me qëndrime 9-ditore.
Një paketë standarde përfshin mbërritjen në Tiranë, vizitën në Lumin e Shalës dhe Koman. Qëndrimi në Lumin e Shalës përfshin tri ditë, ku në një prej tyre parashikohet qëndrimi në fermë. Në ditën e pestë parashikohet vizita në Karavasta, ku qëndrohet edhe në ditën e gjashtë, dhe më pas shkohet drejt Gjirit të Vlorës.
Një ditë tjetër parashikon qëndrim në Tragjas, ndërsa dita e tetë në Berat, për t’u kthyer në ditën e 9 në Tiranë. Agjencia specifikon se oferta përfshin tetë mëngjese, një drekë dhe tre darka, akomodimin në struktura të ndryshme si dhe transportin me disa mjete.
Paketat e tjera janë rajonale dhe përfshijnë pika në Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut për 2029 euro; Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut 2410 euro, VIA Dinarica 2405 euro; apo nga Dubrovniku në Santorini, 4573 euro.
Turistët nga Dubai dhe Abu Dhabi po blejnë paketat e Shqipërisë mes 885 dhe 1340 euro
Në rrjete sociale, një tjetër agjenci nga Emiratet e Bashkuara Arabe po shet paketa turistike që lidhen me Shqipërinë. Dy janë opsionet që ofron kjo agjenci, ku për fluturimet nga Abu Dhabi, paketa po shitet me çmim zyrtar prej 3499 dirham (AHD) apo rreth 885 euro, por me uljen që aplikohet, paketa është 2199 AHD apo rreth 560 euro.
Ndërkohë për fluturimet nga Dubai, paketa me çmim zyrtar është 4499 AHD apo rreth 1340 euro, ndërkohë me çmimin e ofertës ajo mund të blihet për 3199 AHD, apo rreth 810 euro.
Agjencia specifikon se ka të vendosur guida lokale që njohin mjaft mirë vendin dhe se paketa është më shumë se fluturim dhe akomodim. Konkretisht përcaktohet se në paketë bën pjesë fluturimi, akomodimi, transferta, sigurimi i udhëtimit dhe guida. Këto paketa janë të vlefshme deri më 30 shtator 2024.
Shqipëria shkon edhe në Oman, paketat nisin nga 1783 euro
“Shqipëria në të gjitha shqisat” është një paketë që ofrohet nga një agjenci në tregun e Omanit. Ky vend është Sulltanat i cili ndodhet në Azinë Perëndimore.
Ndodhet në bregun juglindor të Gadishullit Arabik dhe shtrihet në grykën e Gjirit Persik. Omani ndan kufijtë tokësorë me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemenin, ndërsa ndan kufijtë detarë me Iranin dhe Pakistanin.
Paketa turistike për shtetasit e Omanit parashikon qëndrim 7 net/8 ditë me çmim zyrtar që nis nga 739 rialë për dy persona. Kjo vlerë është e barabartë me 1783 euro, duke bërë kështu që të jetë një nga paketat me çmim më të lartë, pas Britanisë.
Por për Omanin, ky çmim është më se normal po të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një vend me të ardhura të larta me PBB prej 209 miliardë dollarësh dhe një popullsi prej 4.6 milionë banorësh në vitin 2023.
Por çfarë ofrohet për pushuesit nga Omani në këtë paketë?
Përfshihet: fluturimi, hoteli, transferta, aktivitete dhe sigurimi në udhëtim. Nisjet sipas të dhënave bëhen çdo të hënë dhe të enjte duke nisur nga 17 qershori deri më 29 gusht 2024. Hyrja e shtetasve nga Omani në Shqipëri, sipas agjencisë, është pa viza.
“Të përfshira: shtatë net qëndrimi në Tiranë në hotele me 4 yje me mëngjes. Guidë anglishtfolëse. Udhëtime ditore në Malin e Dajtit, Berat, Shkodër dhe Krujë, Vlorë dhe Durrës, Koman.
Tarifat për hyrje në teleferikun e Dajtit, Liqeni i Komanit, udhëtimi me anije në Vlorë. Fluturimi Muscat-Tirana-Muscat me 20 kilogramë valixhe, vende standarde, vakte dhe sigurim në udhëtim” thuhet në specifikimet e agjencisë.
Ndërkohë e njëjta agjenci ka përcaktuar se përjashtohen vaktet e tjera përveç mëngjesit, bakshishe dhe shpenzime të tjera të ndryshme, si dhe shtesat në nisje për shkak të festave.
Në fund, agjencia saktëson se çmimi i paketës përfshin minimumi dy të rritur që udhëtojnë së bashku. Maksimumi tre persona, dy të rritur dhe fëmijë që lejohen në dhomë në çdo vend europian. Nuk ka asnjë rimbushim për shërbimet që nuk përdoren.
Për spanjollët, Shqipëria dhe Ohri bashkë për 1138 euro/personi
Spanja është një tjetër grup që ka fituar peshë të rëndësishme te turizmi i organizuar, por edhe individual në vendin tonë. Natyrisht agjencitë e mëdha marketojnë Shqipërinë kryesisht për destinacione si Saranda apo Durrësi (në këtë të fundit ka edhe marka të hoteleve si Melia që punojnë me operatorë turistikë të posaçëm).
Por agjenci të tjera kanë krijuar paketat e tyre, duke kombinuar edhe vizitat në Ohër. Për shembull, mes ofertave që bien në sy në internet hasëm në një agjenci spanjolle që shprehet “Zbuloni Shqipërinë dhe Ohrin, sekretin e fundit në Europë”.
Kjo paketë 9-ditore shitet me çmim 1138 euro për person, pas një uljeje prej 14% dhe përfshin 8 net dhe 9 ditë.
“Shqipëria dhe Ohri: Një udhëtim drejt së paharrueshmes”.
Çfarë aventure emocionuese ju pret kur udhëtoni në Shqipëri dhe Ohër! Ju jeni gati të zbuloni pasurinë kulturore, bukurinë natyrore dhe mikpritjen e këtij rajoni. Shqipëria do t’ju mirëpresë me plazhet mahnitëse, malet madhështore dhe qytetet plot histori.
Ohri, Maqedonia e Veriut, do t’ju magjepsë me liqenin e bukur dhe hijeshinë historike. Gjatë udhëtimit tuaj, do të keni mundësi të shijoni ushqime të shijshme lokale, të eksploroni kështjellat e lashta dhe të shoqëroheni me njerëz miqësorë dhe mikpritës.
Mos harroni të merrni kamerën tuaj për të kapur peizazhet mbresëlënëse dhe momentet e paharrueshme që do të gjeni në çdo cep. Ky udhëtim premton të jetë një përvojë e paharrueshme, plot aventura emocionuese dhe zbulime magjepsëse.
Shijojeni në maksimum udhëtimin tuaj në Shqipëri dhe Ohër” thuhet në hyrje të prezantimit të paketës.
Në detaj, paketa përfshin fluturimin në Tiranë dhe më pas transfertën në Durrës. Ditën e dytë udhëtim Durrës-Berat-Apoloni dhe Vlorë. Në ditën e tretë Vlorë-Parku i Llogorasë dhe Saranda. Në ditën katërt, Sarandë-Butrint-Ksamil dhe Syri i Kaltër-Gjirokastër.
Dita e pestë përfshin Gjirokastrën dhe Korçën. Më pas vijon me Korçë-Ohër dhe pas saj, Ohër-Elbasan dhe Tiranë.
Në ditën tetë përfshihet Tiranë-Krujë, kurse në ditën nëntë është kthimi për në vendin e origjinës. Çmimi përfshin: Bileta fluturimi vajtje-ardhje nga Tirana; 8 net qëndrimi në hotele me 4* me dy vakte të përfshira; Udhërrëfyes shoqërues spanjishtfolës gjatë gjithë udhëtimit;
Taksa e qytetit. Hyrjet e përfshira janë ato në Kalanë e Beratit dhe Muzeu i Onufrit; Apoloni – Butrint; Syri e Kaltër; Kalaja në Gjirokastër; Manastiri i Shën Naumit. Shëtitja me varkë në liqen dhe Kisha e Shën Sofisë. Kalaja e Krujës dhe Muzeu Kombëtar; Taksat e aeroportit.
Polakët “avullojnë” paketat e verës, tani po shitet fundi i shtatorit dhe tetori
Agjencitë polake, që prej vitesh sjellin turistë në formë të organizuar në vendin tonë, duket se nuk kanë më asnjë paketë të lirë deri në fund të shtatorit. Ajo që po shitet në faqen e tyre është pikërisht periudha pas 10-ditëshit të dytë të këtij muaji, pra nga 20 shtatori e në vijim.
Për shembull, një paketë në një hotel me katër yje në Durrës po shitet sot në faqen e agjencive me çmim 1525 zlota polake, apo 351 euro për person, ndërkohë që paketa e plotë është 700 euro.
Kjo e fundit përfshin nisjen nga Katovica në datë 20 shtator dhe kthimin më 27 shtator për dy të rritur pa fëmijë. Një dhomë standarde dhe mëngjes. Nëse në paketë mundësinë e një vakti e ndryshon në dy vakte, atëherë çmimi shkon rreth 810 euro.
Disa struktura ofrojnë edhe një numër të kufizuar dhomash për ditët e qershorit, por kjo ka të bëjë më shumë me struktura me kapacitete më modeste. Të tjera hotele, që punojnë prej vitesh me turizmin e organizuar nga Polonia, kanë avancuar me paketa në muajin tetor.
Për shembull për një tjetër hotel në Golem, agjencia polake parashikon shumë 3,354 zlota polake apo 773 euro për dy persona për periudhën 7 deri më 14 tetor, ku nisja bëhet nga Varshava.
Dhoma është dyshe me specifikimin dy vakte, plus si mundësi është edhe ajo për tre vakte që kushton 947 euro.
Italianët, paketat që ofrohen nga plazhi te malet nga 1175 euro për person
Turistët italianë janë një grup që preferojnë të eksplorojnë Shqipërinë në mënyrë individuale, duke mos kërkuar shumë paketat e gatshme, por oferta në vendin fqinj nuk mungon.
Janë me dhjetëra agjenci që e ofrojnë këtë mundësi dhe ture që janë hartuar në bashkëpunim me agjenci shqiptare, duke ofruar mundësinë si për paketa të plazhit, edhe ato të vizitave më të alternuara mes malit dhe detit. Si shembull po sjellim një paketë që i ofrohet tregut italian, që parashikon shtatë ditë në Rivierën Shqiptare.
Kjo paketë për korrikun shitet për 1175 euro/personi ndërsa në gusht, 1265 euro.
“Ture në plazhet e Shqipërisë, dhe gjithë shkëlqimin e Rivierës së Jugut të Shqipërisë.
Tetë ditë e shtatë net në plazhet e mrekullueshme të Shqipërisë. Guida jonë italishtfolëse do t’ju shoqërojë për të zbuluar Rivierën Shqiptare.
Nga Vlora në Sarandë; një varg gjiresh magjepsëse dhe plazhe ku mund të ndalesh për disa orë çdo ditë, për t’u qetësuar nga zhurma e butë e dallgëve. Vlorë, Karaburun, Dhërmi, Sarandë, Ksamil, Butrint, Gjirokastër, një udhëtim plot emocione ndër vendet më të bukura të Rivierës Shqiptare dhe autenticitetit të brendshëm.
Do të udhëtojmë me një minibus komod privat me ajër të kondicionuar, do të qëndrojmë në një hotel me 4 yje dhe do të shijojmë kuzhinën tradicionale shqiptare në restorante të zgjedhura. Thjesht duhet të mendoni për argëtimin” nënvizon agjencia.
Paketa përfshin: 7 net në hotel me 4 yje dhe 3 yje me mëngjes; 6 darka dhe 1 drekë në hotele dhe/ose restorante të zgjedhura me ujë të përfshirë, biletat e hyrjes në muze dhe site me pagesë, udhëtim me minibus me ajër të kondicionuar dhe shofer privat, guidë turistike vendase e certifikuar në italisht, tarifat e udhëtarëve/monitor
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve