Integrimi
Sa flitet për dhunën në familje në komunitetin tonë?
Në Ambasadën e Republikës së Kosovës, në Bernë të Zvicrës, kësaj radhe, 8 Marsi u shënua pak më ndryshe, duke vënë në pah një «Tryezë diskutimi mbi dhunën në familje»
Gjatë bisedës, e cila u zhvillua në prani të një publiku nga kantonet e ndryshme, frankofone apo gjermanofolëse, u theksua se nocioni i dhunës në familje përfshin të gjitha format e dhunës fizike, seksuale, psikologjike dhe ekonomike dhe mund të prekë njerëzit e të dy gjinive, prindërit, fëmijët, si dhe të gjitha moshat. Gjithashtu u theksua se pasojat shëndetësore dhe sociale që dhuna shkakton mund të jenë të rënda dhe dëmtojnë jo vetëm viktimën, por rrethin familjar dhe shoqëror. Përveç vuajtjeve individuale, dhuna në familje ka kosto të lartë sociale, prandaj edhe një tryezë e tillë gjeti hapësirë në selinë e Ambasadës së Republikës së Kosovës, falë vullnetit të përbashkët mes ambasadorit z. Sami Ukelli, shefit të misioneve strategjike të Lozanës (BCI), Migjen Kajtazit, si dhe drejtoreshës së shoqatës Albinfo.ch, Vjosa Gërvalla. Kësaj radhe, në vend të një buqete lulesh për Ditën Ndërkombëtare të Gruas ose Ditën Ndërkombëtare të Gruas (përcaktimi i OKB-së), pra bashkë me trëndafilat, zoti ambasador ofroi një buqetë mendimesh, duke mos munguar debati. Shkëlqesia e tij përshëndeti të pranishmit, duke theksuar se duhet një trajtim i veçantë i dukurisë së dhunës në familje nga vetë komuniteti shqiptar që jeton e vepron në Zvicër.
Si parathënie e tryezës u theksua që dhuna ndaj grave nuk njeh kufij, as gjuhë, as shtetësi, as shtresë sociale, as profesion, as gjini, as besim dhe as moshë. Statistikat zyrtare të ndryshme tregojnë që ky fenomen prek fatkeqësisht të gjitha shoqëritë, duke përfshirë edhe shoqërinë zvicerane. Siç veprojnë shoqëritë e tjera, dhuna në familje duhet gjithashtu të njihet si fenomen në shoqërinë tonë dhe kërkon një pjesë së përgjigjes së pari nga vetë komuniteti shqiptar në Zvicër. Një tryezë e tillë synonte pikërisht rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit për pasojat e dhunës në familje. Falë këndvështrimeve dhe dëshmive të panelistëve të ndryshëm, u bisedua për të gjetur format e mundshme për të kuptuar dhe parandaluar dhunën në familje.
Aspektin sociologjik e theksoi Migjen Kajtazi, i cili rikujtoi se përqindja e grave në flukset migratore ndryshon sipas vendeve pritëse. Migrimi i grave shqiptare nga
Kosova në Zvicër është, gjithashtu, një pasqyrim i roleve që ato luajnë apo kanë luajtur në shoqërinë kosovare. Gratë kosovare ishin të margjinalizuara si anëtare të shoqërive në të cilat jetonin. Para luftës në Kosovë nuk kemi dëgjuar për problemin e dhunës në familje, sepse situata që mbretëronte në Kosovë dhe në Ballkan, ku luftërat zgjatën më shumë se dhjetë vjet, ndikoi që shumë probleme të jetës së përditshme të ishin probleme dytësore, apo të ishin të fshehura nga një situatë ku mbijetesa ka qenë si preokupim kryesor. Tema e dhunës në familje në mesin e grave kosovare në Zvicër dhe burimet e gjithë këtij problemi janë pak të njohura. Mungesa e informacioneve të sakta dhe një qasje serioze hap dyert për diskutime të ndryshme. Ndërkohë, statistikat zyrtare lidhur me dhunën në familje në komunitetin shqiptar në Zvicër mungojnë. Burimet e ndryshme tregojnë që ky fenomen tanimë është temë diskutimi në mesin e shumë institucioneve apo mediave. Për një rritje të dhunës në familje, panelistët theksuan se të dhënat rrallë pasqyrojnë shkallën e vërtetë të problemit, pasi viktimat shpesh nuk raportojnë incidente dhe disa madje nuk e pranojnë se po abuzohen. Zonja Arbela Statovci nënvizoi rëndësinë e fjalës. Sipas saj, hapi i parë për të luftuar kundër dhunës është fjala: “duhet me folë, me tregu, me u shpreh”.
Familja si institucion kryesor i shoqërisë shqiptare ka luajtur rol në fusha të ndryshme dhe tani komuniteti shqiptar në Zvicër ndodhet përballë një realiteti ku familja është duke e humbur rëndësinë që ka pasur si institucion shoqëror dhe ky fakt në disa momente sjell një formë të rezistencës dhe si rezultat është gjinia femërore që më së shumti pëson. Gratë shqiptare janë viktima të së drejtës zakonore, e cila vazhdon të shërbejë si referencë kulturore në komunitetin shqiptar edhe në Zvicër. Mjafton të trajtojmë temën e trashëgimisë për të kuptuar statusin e gruas dhe vendin e saj në gjirin familjar, prandaj edhe avokati i Lucernit, Artan Sadiku, iu drejtua publikut, i cili ishte kryesisht femëror, me këtë pyetje: Kush nga ju ka kërkuar hisen e babës?
Një komunitet me tradita shumë të forta, shqiptarët janë përpjekur të ruajnë kulturën e tyre në një ambient tashmë urban. Struktura shoqërore dhe organizimi i familjes shqiptare ende bazohet në këtë sistem. Këto rregulla sociale bien ndesh me ligjin zviceran, por me kodet e një shoqërie të përparuar.
Gratë shqiptare që kanë ardhur në Zvicër si pjesë e bashkimit familjar përballen me pabarazi. Kjo pabarazi prek integrimin e femrës shqiptare në shoqërinë zvicerane dhe mosintegrimi i femrës shqiptare është shkaktar në mosqasje të pavarësisë socio-gjuhësore në jetën shoqërore dhe publike në Zvicër.
Në këtë tryezë u prezantua edhe një projekt, cili u shpjegua nga z. Qusaj. Projekti që përmban masa parandaluese të bazuara në aksione të lidhura me informimin, sensiblizimin dhe organizimin e tryezave të tilla në kantone të ndryshme.
Tryeza i dha mundësi publikut të kyçet në bisedë me pikëpamje të tyre dhe me parashtrimin e shumë pyetjeve, që treguan që problematika e dhunës familjare duhet të njihet si fenomen e të mos mbetet temë tabu, por të ketë një përgjigje të komunitetit me sloganin «Ndal dhunën».
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha