Shqipëria

Sa është fitimprurës biznesi me fotografi?

Mesatarisht çmimet janë nga 70 euro deri në 200 euro, sipas rastit dhe aksesorëve të ofruar nga studioja, ndërsa vitet e fundit numri i fotografëve dhe studiove që ushtrojnë aktivitet është rritur ndjeshëm

Me avancimin e teknologjisë, shpikjen e smartfon-ave me kamera cilësore dhe gjithnjë në përmirësim, tashmë çdokush mund të ketë mijëra foto në galerinë e telefonit të tij, të shkrepura në momente të caktuara të jetës.

Por, ndërsa dukej se teknologjia do ta nxirrte jashtë loje biznesin e fotografisë, kjo nuk ka ndodhur! Përkundrazi, biznesi i fotografisë është ndër bizneset më “trend” për momentin në Shqipëri dhe ndoshta edhe ndër më fitimprurësit. Por, jo për të gjithë!, raporton ‘Scan’.

Fotografia “në trend”

Një set për fejesë, për martesë, një set në pritje të bebes apo të bebes së sapolindur, set për 1-vjetorin e fëmijëve e me radhë. Fjala “set” është bërë trend i kohëve të fundit. Me mundësi apo pa mundësi ekonomike, një pjesë e mirë e qytetarëve zgjedhin t’i bëjnë dhuratë vetes një set fotografik profesional për rastet e tyre të gëzimit, për t’i printuar fotografitë, zmadhuar ato, apo për t’i publikuar edhe në rrjetet sociale. Kërkesën në rritje për aparatin profesional e konfirmojnë edhe vetë këto biznese, të cilat së fundmi janë shtuar ndjeshëm. Disa prej tyre kanë investuar në studio të mirëfillta fotografike dhe të tjerë ofrojnë vetëm shërbim fotografik “freelance”, në vende të ndryshme të bukura, sipas kërkesës edhe të klientëve, përcjell albinfo.ch.

“Fillimisht fotografia ka qenë ‘luks’ i personit që ka patur aparat. E kam fjalën këtu për shërbimin fotografik përpara viteve ’90, ku të rralla ishin familjet që kishin një aparat fotografik për të dokumentuar jetën e tyre. Vitet e fundit, edhe pse të gjithë e kanë mundësinë të shkrepin foto pa fund, përsëri drejtohen tek fotografi profesionist, pasi tashmë është bërë dallimi i cilësisë”, shprehet Soela Zani, e cila përfaqëson një ndër studiot më të njohura në Tiranë. Sipas saj, njerëzit e kanë kuptuar që nuk është e rëndësishme thjeshtë të kesh kujtime, por t’i kesh ato cilësore e mbi të gjitha që fotografitë të jenë të printuara.

Erjon Braja ka plot 12 vite që punon në këtë profesion dhe shprehet se, së fundmi e ka kthyer në biznes si pasojë e kërkesave në rritje. “Në fakt, 5-vjeçari i fundit ka patur një tendencë gjithnjë e në rritje që e ka kthyer këtë profesion në “trend”. Nëse bëjmë një krahasim me një vit më parë, tregu ka patur rritje të numrit të fotografëve e sigurisht edhe rritje të kërkesave nga klientët. Muajt e verës përbëjnë fluksin më të lartë për shkak të ceremonive martesore dhe seteve fotografike që çiftet kërkojnë pak ditë para dasmës. Ka ndryshuar deri diku perceptimi i tyre lidhur me fotografinë, pasi rëndësinë më të madhe ua japin fotove gjatë setit artistik, duke u dedikuar kështu një datë të posaçme veç asaj të dasmës”, shprehet ai.

Fjoralba Maliqi është një tjetër fotografe që e ka kthyer në biznes të mirëfilltë pasionin e saj, për shkak të kërkesës në rritje të qytetarëve për të fotografuar momentet më të bukura të jetës së tyre. “Është një biznes, pavarësisht se unë nuk e quaj të tillë, është një punë e bukur që e bëj me shumë dashuri dhe feedback-u është shumë më shumë se sa një vlerë monetare. Fluksi më i madh është periudha e verës dhe e Vitit të Ri”, shprehet Maliqi.

Cilat janë setet më të preferuara?

Dëshirat e njerëzve janë të ndryshme për sete fotografike, por ajo që është bërë më në “trend” së fundmi,  ndryshe nga setet tradicionale të dasmave apo fejesave, janë setet e fëmijëve të porsalindur, por edhe të shtatzënive. “Eventet janë të ndryshme. Duke filluar nga ditëlindjet, deri të dasmat”, shprehet Fjoralba Maliqi. Ndërsa për Soela Zanin fluksi më i lartë është në periudhën e fundvitit. “Personalisht ndihem më shumë nën presion për shkak të kërkesës së madhe për shërbim fotografik në muajin dhjetor. Shumë familje dëshirojnë të kenë fotot festive të fundvitit me femijët e tyre” thekson znj. Zani. Por, edhe vera është një periudhë me shumë fluks. “Muajt e verës kanë fluksin më të lartë të kërkesës nga çiftet, por gjatë vitit evenimentet e kërkuara janë të shumta. Setet familjare sidomos pas ardhjes në jetë të fëmijëve, setet personale sidomos nga femrat, e kjo për shkak të rrjeteve sociale pasi preferojnë fotografi profesionale dhe me cilësi, konferenca, evente artistike e kulturore, etj”, thekson Erjon Braja.

Konkurrenca dhe çmimet

Biznesi i fotografisë funksionon me paketa dhe çmime mesatarisht të përafërta, për shkak të konkurrencës. Fotografët që kanë investuar në studio fotografike të mirëfillta, duke ofruar edhe aksesorë të ndryshëm shoqërues apo dekore për fotografitë, për t’i bërë ato më interesante dhe të bukura, duke iu përshtatur çdo rasti, ofrojnë paketa me çmime pak më të shtrenjta. Megjithatë, në këtë rast çmimet janë të ndryshme, sipas zgjedhjes së klientit, pasi alternativat nuk mungojnë. Paketat e ofruara janë fotografi vetëm në natyrë, fotografi vetëm në studio, apo të kombinuara, duke ofruar kështu disa lloje çmimesh për t’iu përshtatur buxhetit që kanë klientët.

Dhe më pas, çmimet variojnë edhe sipas numrit të shkrepjeve dhe numrit të fotove të punuara apo të lara. Mesatarisht çmimet janë nga 70 euro deri në 200 euro, sipas rastit dhe aksesorëve të ofruar nga studioja, ndërsa vitet e fundit numri i fotografëve dhe studiove që ushtrojnë aktivitet është rritur ndjeshëm. “Fotografë jemi shumë. Studio janë pafund dhe çmimet variojnë nga më të ulëtat deri më të lartat, por sigurisht që dallimi i çmimit ka dhe diferencën në cilësinë e punës”, shprehet Fjoralba Maliqi.

Sipas saj, klienti di të dallojë një punë shumë të mirë nga një punë të mirë, çka e bën të lehtë diferencën në këtë biznes. Megjithatë si në çdo industri, edhe në këtë treg ka disbalanca. “Në fakt, nuk do ta thoja me bindje të plotë që çmimet janë pothuajse njëlloj, sepse ka disbalanca të frikshme për të njëjtin shërbim nga fotografë të ndryshëm dhe nuk ka një rregullator tregu për faktin se shumica prej nesh janë freelance dhe vendosja e çmimeve vjen nga kërkesa personale dhe mënyra se si shitet puna nga fotografët”, thekson Erjon Braja.

Gjithashtu edhe marketingu, kryesisht përmes rrjeteve sociale, është thelbësor për të rritur punën e një biznesi, pasi përmes tyre mund të tregohet qartësisht puna e secilit fotograf. Erjon Braja bën me dije se në ditët e sotme, rrjetet sociale e kanë bërë marketingun deri diku më të lehtë sepse mes faqeve personale mund të reklamohet puna dhe pastaj zgjedhja i takon klientit. Sipas tij, Instagram-i, sidomos, është një ndër format më të përhapura dhe më eficente ku klientët përditësohen me punën e fotografëve, duke bërë krahasimet e më pas zgjedhjen e tyre. Por, në Shqipëri, duke qenë një vend i vogël, fjala përhapet sa i përket cilësisë së shërbimeve që ofrojnë fotografët apo studiot fotografike.

Duke treguar eksperiencën e saj personale, fotografja Soela Zani, thotë se në fund të ditës puna është ajo që bën diferencën në këtë treg deri diku kaotik. “Personalisht këtë punë nuk e kam nisur si biznes dhe nuk e shoh si të tillë. E bëj dhe do ta bëj për aq kohë sa do të kem dëshirë, fantazi dhe mundësi fizike. Kjo punë fillimisht erdhi si kërkesë e mikeshave të mia të cilat u bënë nëna për herë të parë. Unë kam mbaruar Akademinë e Arteve dhe nuk e kam mirë punën me shifrat e statistikat. Mendoj që të gjithë artistët janë të ndërtuar në këtë mënyrë. Rrjetet sociale janë ato që kanë bërë punën e tyre, por mbi të gjitha fotografia flet vetë. Nuk ka nevojë për reklamë të madhe, ose të pëlqen, ose jo … rrugë të mesme nuk ka. E rëndësishme për mua është që prindërit që rezervojnë një “takim fotografik” për fëmijën e tyre, ta dëshirojë vërtet këtë shërbim, dhe mos ta bëjë thjeshtë për mode, sepse e ka bërë edhe “x person”. Është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me prindin dhe fëmijën, që të kemi rezultat final të kënaqshëm. Për mua është shumë e rëndësishme që fotografitë që dorëzoj të jenë perfekte në çdo detaj. Nuk e kam edhe aq të vështirë, pasi unë kam fat sepse kam modelin me të bukur në botë, fëmijët”, shprehet ajo.

Paketat më të kërkuara

Paketat e kërkuara janë të ndryshme dhe sipas periudhave të vitit. Erion Braja tregon se paketat familjare, ku përfshihen shtatzënitë, fëmijët, setet në çift dhe dasmat gjatë sezonit veror, janë paketat më të kërkuara.

“Zakonisht jepet një numër i përafërt fotosh në DVD, i shoqëruar me foto të stampuara ose album digjital, kjo në varësi të kostove të shërbimit”, shprehet ai. Ndërsa preferencat janë të ndryshme. “Paketat më të shumta janë ato për fëmijët dhe pritjen e ëmbël, periudhën e shtatzënisë. Por varet nga klientët. Disa preferojnë studion, disa natyrën, disa të tjerë alternojnë studio dhe natyrë”, shprehet ajo.  Duket se më së shumti qytetarët shpenzojnë për të memorizuar kujtimet e ardhjes në jetë të fëmijëve të tyre, madje kanë shkuar deri aty, sa kanë zgjedhur fotografë profesionistë për të memorizuar momentet e para të lindjes.

“Zakonisht, kur një fëmijë mbush 1 vjeç, mundet ta memorizojë ditëlindjen e parë me një shërbim fotografik. Shumë prindër zgjedhin pikërisht këtë moment për të bërë fotot e fëmijës së tyre nga një profesionist, ndërsa shumë të tjerë zgjedhin që këtë paketë ta bëjnë dhuratë për një fëmijë të dikujt, koleg pune apo nip ose mbesë. Por, kam patur edhe eksperienca shumë të bukura me të porsalindur, si në 10-20 ditët e para të jetës, por do të veçoja fotot në sallën e lindjes. Kam patur fatin të jem atje disa herë së bashku me stafin mjekësor në momentet e para që një fëmijë vjen në jetë. Janë emocione të pashpjegueshme me fjalë, fatmirësisht kam fotografitë që do ta tregojnë përjetë atë emocion”, tregon Soela Zani.

A përfshihet te bizneset më fitimprurëse?

A përfshihet fotografia ndër bizneset më fitimprurëse, të paktën siç duket nga jashtë? Fotografët janë të gjithë në një linjë, duke e mohuar këtë. Sipas tyre, ky biznes ka kosto, herë-herë dhe të fshehura, si dhe ka nevojë për “ushqim” të herëpashershëm,  gjë që nuk e liston atë ndër bizneset më fitimprurëse.

“Nga jashtë duket fitimprurës, por jo dhe aq. Tashmë po e shikoj vetë me studion. Të më thuash ke lekë, them jo, pasi çdo javë porosis skenografi të reja, të cilat përshtaten me stinën. Mundohem që secili klient të ketë gjëra të veçanta dhe jo njësoj. Kështu që, unë jam gjithmonë me gjëra të reja të cilat kushtojnë të realizohen. Gjithë kohës marr pagesa e bëj pagesa. Ky biznes është gjithmonë në investim, pasi fotografia ka skena pa fund për të krijuar dhe realizuar”, shprehet Fjoralba Maliqi.

Edhe Soela Zani rendit të gjitha kostot që ka ky biznes, duke theksuar se fotografia nuk është thjeshtë një shkelje butoni, por një “sport” i shtrenjtë. Sipas saj, çdo gjë që ka të bëjë me këtë biznes kushton. “Shikoni online çmimet e pajisjeve profesionale, aparate, lente ndriçimi HDD për arkivim, kompjuterë profesionale për editim, etj. Për më tepër, shpesh herë këto pajisje i blejmë jashtë Shqipërisë dhe shpesh kanë nevojë për servis. Po ashtu, edhe realizimi i dekoreve dhe veshjeve për fëmijët, të cilat ndryshojnë në çdo stinë e ndoshta me shpesh”, thekson znj. Zani, ndërsa prek edhe pjesën e çmimeve, me të cilat funksionon ky biznes në Shqipëri në raport me vendet e tjera. “Dhe mbi të gjitha, po të krahasoni nivelin e fotografisë shqiptare në raport me atë jashtë vendit, do të vini re që cilësia që ne ofrojmë është shumë herë më e lartë se shume vende të tjera, ndërsa çmimet janë më të ulëta për shkak të nivelit të përgjithshëm ekonomik të vendit tonë”, vijon Zani. Gjithashtu, ndjekja e teknologjisë së re ka kosto të larta për fotografët. “Personalisht, e kam nisur këtë punë si pasion dhe së fundmi është kthyer në biznes nga kërkesat në rritje të klientëve. Nuk do ta quaja ndër bizneset më fitimprurëse sepse kostot janë të konsiderueshme, sidomos sa i takon konsumit të mjeteve të punës dhe veç kësaj, është edhe rinovimi i tyre për shkak të aparaturave të reja që dalin në treg dhe ndjekja e teknologjisë së re ka praktikisht kosto të larta. Veç këtyre, në momentin që kthehet në biznes, kostot e studios fotografike nuk janë të pakta, por përpos këtyre, mbetet një biznes fitimprurës”, shprehet Erjon Braja.

Ana tjetër e medaljes

Përpos fotografëve dhe bizneseve të suksesshme në këtë sektor, që njihen edhe nga vetë qytetarët për shkak të emrit që kanë vënë, ana tjetër e medaljes janë studiot tradicionale të fotografive, që nuk kanë investuar dhe që kanë pësuar rënie të klientelës. Këto studio përdoren kryesisht për ndonjë foto për qëllime dokumentacioni, për printime fotosh, zmadhime fotosh, blerje kornizash, etj. Për të printuar fotot me madhësi standarde, çmimet në këtë treg variojnë nga 25-50 lekë/copa, në varësi të studios, por edhe të volumit të printimit nga klientët. Ndërsa fotot sipas madhësisë kanë kosto të tjera printimi, në rritje, deri në 500 lekë.