Integrimi
Investim për mbrojtjen e diversitetit kulturor e fetar në Kosovë
Veç tjerash, forumi "Urat - Die Brücken" angazhohet për parandalimin e tkurrjes së komunitetit katolik shqiptar të Kosovës
Ka mbi një vit që është themeluar por për opinionin e gjerë është ende fare pak e njohur. Shoqata ose forumi “Urat-Die Brücken” nuk është e interesuar për shumë bujë dhe promovim. Ajo parapëlqen më shumë punën në heshtje drejt realizimit të synimeve të veta. E këto synime, siç shprehet kryetari i saj, Mirash Hajdaraj janë integrimi dhe bashkimi i shtetasve kosovarë jashtë Kosovës. Këtu hyjnë pastaj përkrahja ekonomike ose promovimi i biznesit nga diaspora në Kosovë, iniciimi i projekteve të përbashkëta me organizata tjera brenda dhe jashtë vendit etj. Kur flasim për raportin diasporë-Kosovë e kemi fjalën kryesisht për këmbimin (e përvojave) të kosovarëve në mërgatë dhe lidhjen me vendet perëndimore si Zvicra, Austria dhe Gjermania, ku janë më shumë të përqendruar bashkatdhetarët tanë. Këto angazhime bëhen me qëllim reduktimin e emigrimit nga Kosova, thekson Hajdaraj për albinfo.ch.
Komuniteti katolik i Kosovës po rrezikon të zhduket
“Edhe pse në statutin tonë e kemi të theksuar se forumi është neutral sa i përket politikës dhe religjionit, ne për fazën fillestare të veprimtarisë sonë jemi përcaktuar që të përqendrohemi më shumë në zonat ku jetojnë më shumë shqiptarë të besimit katolik. Përse ky përcaktim? Pyet dhe përgjigjet vetë Mirash Hajdaraj: brenda fenomenit të shpërnguljes që është karakteristikë për gjithë Kosovën, një shpërngulje edhe më intensive dhe me pasoja të rënda po e përjeton komuniteti katolik i Kosovës. Sa për ilustrim: sot në Kosovë jetojnë më pak se 40 mijë katolikë ndërsa në gjithë botën rreth 120 mijë (duke i përfshirë edhe ata në Kosovë). Ndërsa tendenca e shpërnguljes për shkaqe ekonomike është e vazhdueshme. Vetëm në Zvicër jetojnë rreth 25 mijë shqiptarë të besimit katolik nga Kosova. E gjithë kjo flet për mprehtësinë e problemit dhe nevojën akute për një veprim kundër shpërnguljes së përmendur”, thotë për albinfo.ch kryetari i shoqatës “Urat-Die Brücken”. Prandaj kjo shpërngulje është hap drejt zhdukjes së një komuniteti nga Kosova, komunitet që identifikohet me lashtësinë e elementit shqiptar në Kosovë dhe me lidhjen e shqiptarëve me kulturën perëndimore. Për këtë arsye, vazhdon Hajdaraj, ne si shoqatë duam të sensibilizojmë njerëzit vullnetmirë, afaristë dhe biznesmenë tanë nga diaspora po edhe miq të huaj, kompani, institucione e fondacione, që duke gjetur edhe interesin e tyre, të investojnë në këto treva dhe në gjithë Kosovën, shprehet për albinfo.ch Mirash Hajdaraj.
Harmonia ndërfetare e shqiptarëve nuk është ekzagjerim por realitet i jetuar
Ai njëkohësisht nënvizon se këto angazhime në asnjë mënyrë nuk e sjellin në pyetje afërsinë dhe harmoninë shembullore që mbretëron në mes të shqiptarëve të të dy feve. Si ilustrim për këtë, Mirashi e merr edhe rrethin e tij shoqëror e miqësor, i cili përbëhet nga shumica dërmuese shqiptarë të besimit mysliman. “Nuk e quaj ekzagjerim dhe as nuk e them për efekte artistike, por kjo tolerancë dhe vëllazëri është e mishëruar në përditshmërinë tonë”, thotë ai.
Ky forum është i regjistruar në Zvicër dhe ka për qëllim kryesor hapjen e një shprese për kosovarët për punë dhe përvojë të re perëndimore. Ai synon koordinimin e shqiptarëve nga Kosova që jetojnë në Zvicër, Gjermani dhe Austri; familjarët e tyre në vendlindje (Kosovë); miqtë e fituar në këto vende; Ambasadat e këtyre tri vendeve që veprojnë në Prishtinë etj.
“Si anëtarë dhe këshilltarë kemi disa emra të njohur të politikës ndërkombëtare si ish zëvendëskryeministri austriak dhe miku i dëshmuar i Kosovës, Erhard Busek dhe disa të tjerë, me funksione në institucione të shteteve perëndimore, ambasadorë etj. Falë tyre shpresojmë të fuqizohet më shumë kjo nismë e jona duke sensibilizuar edhe qarqet politike të shteteve perëndimore me preokupimin tonë”, thotë Hajdaraj për albinfo.ch.
Së fundi lidhur me Forumin tonë është shprehur edhe shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare. Ai thotë se kjo iniciativë është ë se e qëlluar dhe ka premtuar mbështetje.
Kadare për “Urat-Die Brücken” dhe për bashkëjetesën fetare të shqiptarëve
Harmonia fetare ka qenë dhe mbetet një nga veçantitë bazike të këtij kombi. Kjo nuk është as ndonjë paradigmë romantike e shpikur nga poetët, as ndonjë vështrim idilik i historisë. Ç’ prej pesë shekujsh shqiptarët, popull me temperament ballkanik, që përkthehet më fort gjaknxehtë se gjakftohtë, kanë dëshmuar një tolerancë fetare të habitshme. Historia shqiptare , e ngarkuar me shumë konflikte dhe nervozizëm, nuk ka njohur në këto pesë shekuj asnjë konflikt apo luftë me motive fetare.
Nuk mund të kem veçse fjalët më të mira për forumin tuaj. Ideja e bashkëpunimit tuaj me tri vendet e Evropës: Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë, është e bukur, e dobishme dhe e fisme.
Rigjetja e Evropës është jo vetëm rruga e sigurt për zhvillimin tonë të gjithanshëm, por e vetmja që siguron ekzistencën normale të kombit shqiptar kudo që ai ndodhet. Natyrisht shkëputjet e gjata krijojnë keqkuptime të dyanshme. E kam fjalën për keqkuptimet tona me Evropën, ose të Evropës me ne. Në këtë kah forumi juaj , me emrin aq simbolik “Urat”, do të ndihmojë pa dyshim në kapërcimin e keqkuptimeve.
Synimet e forumit
Forumi “Urat – Die Brücken” i themeluar në qershor të vitit 2014 në Zvicër ka për qëllim koordinimin e shqiptarëve nga Kosova që jetojnë në Zvicër, Gjermani dhe Austri; familjarët e tyre në vendlindje (Kosovë); miqtë e fituar tash e disa vite gjatë jetës dhe punës në këto vende; Ambasadat e këtyre tri vendeve që veprojnë në Prishtinë dhe të gjithë këta së bashku të ndihmojnë në hapjen e një shprese për punë dhe jetë në Kosovë. Përcjellja e përvojave të këtyre tri vendeve në Kosovë dhe përkrahja e këtij projekti nga persona shumë të rëndësishëm nga BE, japin shumë shpresë dhe siguri për sukses.
Biografi e shkurtë:
- Emri e mbiemriMirash Hajdari
- Prejardhja:Kosovë
- Vendi ku vepron:Zvicër
- Profesioni:Anëtarë i shoqatës Urat-Die Brücke
E-Diaspora
-
Krishtlindjet mes atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës Në këtë atmosferë festive, ku luksi takon traditën dhe humanizmin, Krishtlindjet në familjen e Anton Nikollës...
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch
-
Granit Xhaka është pjesë e formacionit më të mirë të vitit në Bundesliga
-
Përfundojnë pritjet në kufirin Kroaci-Serbi
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR
Jeta në Zvicër
-
Personalitetet Shqiptare të vitit 2024, në numrin më të ri të revistës albinfo.ch Më 30 nëntor redaksia e platformës mediale albinfo.ch, në një solemnitet të organizuar për fund të...
-
Cilat destinacione do të kushtojnë më shumë nga Zvicra
-
228 milionë franga: Dhurim rekord nga Zvicra për një katastrofë natyrore
-
Ndryshimet e mëdha të udhëtimit në Zvicër në 2025
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane