Lajme

Rusia vendos të ndërpresë shitjen e naftës për shtetet që kufizuan çmimet

Rusia ka ndaluar shitjet e naftës për shtetet dhe kompanitë që respektojnë kufirin e çmimit të dakordësuar nga vendet perëndimore në fillim të këtij muaji.

Kufiri i çmimit, i cili u dakordësua nga grupi i vendeve të G7, Australia dhe BE-ja, hyri në fuqi më 5 dhjetor.

Ai i ndalon vendet që të paguajnë më shumë se 60 dollarë për një fuçi naftë ruse.

Rusia tani ka thënë se nafta dhe produktet e saj të naftës nuk do t’i shiten asnjë vendi që vendos të aplikojë kufirin e çmimit.

Në dekretin presidencial shkruhet se ndalimi do të hyjë në fuqi për pesë muaj, nga 1 shkurti deri më 1 korrik.

Në dekret thuhet gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin mund të japë “leje të posaçme” për të furnizuar vendet që aplikojnë kufirin e çmimit.

Grupi G7 i ekonomive të mëdha ishte i pari që hodhi idenë e një kufiri të çmimeve në muajin shtator, për të mos lejuar Moskën që të përdorte të ardhurat nga nafta për të financuar luftën e saj në Ukrainë.

Megjithëse kërkesa nga Perëndimi për naftën ruse pësoi rënie pas pushtimit, të ardhurat e Rusisë mbetën të larta për shkak të rritjes së çmimeve dhe kërkesës nga vende të tjera, duke përfshirë Indinë dhe Kinën.

Embargoja e mbarë BE-së për naftën e papërpunuar ruse që importohet nga deti ka hyrë tashmë në fuqi, së bashku me premtime të ngjashme nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA dhe vende të tjera, transmeton monitor përcjell albinfo.ch.

Kufiri i çmimit synon të reduktojë akoma më tej të ardhurat e Rusisë nga nafta. Ai ndalon transportmin e naftës ruse që është shitur për më shumë se 60 dollarë për fuçi, duke përdorur cisternat, kompanitë e sigurimeve dhe institucionet e kreditit nga vendet e G7 dhe të BE-së.

Shumë kompani të mëdha globale të transportit dhe të sigurimeve ndodhen në vendet e G7.

Por, në fillim të këtij muaji, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e quajti kufirin e çmimit një ide “të dobët”, e cila nuk ishte mjaftueshëm “serioze” për të dëmtuar ekonominë ruse.

Ministri rus i Financave, Anton Siluanov, tha të martën se deficiti buxhetor i Rusisë mund të jetë më i madh se shifra e planifikuar prej 2% e PBB-së në vitin 2023, pasi kufiri i çmimit të naftës do të reduktojë të ardhurat nga eksporti.

Nafta aktualisht po tregtohet me rreth 80 dollarë për fuçi, një shifër shumë më e ulët se nivelet e arritura në mars dhe në qershor, të cilat tejkalonin 120 dollarë.