Lajme

Rusia bllokon hapësirën e saj ajrore për avionët zviceranë

Kjo bën që të zgjatet koha e fluturimit nga Cyrihu në Tokio, Shangai dhe Pekin. Hapësira ajrore ruse aktualisht është e mbyllur edhe për avionët nga 36 vende të tjera

Nga sot, kompanitë ajrore zvicerane nuk lejohen më të fluturojnë mbi Rusi. Ky vendim ka hyrë menjëherë në fuqi.

Sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax, kështu kanë vendosur autoritetet ruse, në shenjë reciprociteti, transmeton albinfo.ch.

Bllokimi i hapësirës ajrore ruse për avionët zviceranë është një reagim ndaj ndalimit të fluturimeve që Zvicra kishte vendosur më parë për avionët rusë, citohet të kenë thënë autoritetet përgjegjëse.

Hapësira ajrore ruse aktualisht është e mbyllur edhe për avionët nga 36 vende të tjera veç atyre nga Zvicra.

Kompania ajrore Swiss kishte njoftuar tashmë paraprakisht se nuk do të fluturonte më në Rusi me efekt të menjëhershëm dhe gjithashtu do të anashkalonte hapësirën ajrore ruse.

Kjo bën që të zgjatet koha e fluturimit nga Cyrihu në Tokio, Shangai dhe Pekin.