Shkurt.ch

Rumunët dhe bullgarët duhet të presin edhe 3 vjet!

Qeveria e Zvicrës e ka shtyrë afatin për lëvizjen e lirë me Rumaninë dhe Bullgarinë për fundin e majit të vitit 2014

Me një vendim të marrë sot, Qeveria Federale e Zvicrës ka zgjatur edhe për tre vjet të tjerë fazën provuese të lëvizjes së lirë për shtetasit e Rumanisë dhe Bullgarisë. Kjo, me fjalë tjera është përjashtim edhe për tre vjet, i shtetasve të përmendur nga e drejta për të gjetur punë në tregun zviceran të punës. E drejtë kjo, të cilën e gëzojnë shtetasit e të gjitha shteteve tjera, anëtare të Bashkimit Evropian.

Qeveria e Zvicrës e ka shtyrë afatin për lëvizjen e lirë me Rumaninë dhe Bullgarinë për fundin e majit të vitit 2014, njofton drs.ch. Mirëpo, këtu bëjnë përjashtim ndërmarrësit privatë të dy vendeve në fjalë. Këta të fundit, duke filluar nga 1 qershori i këtij viti, do të mund të gëzojnë lirinë e plotë të lëvizjes dhe të punës.

Në fund të vitit 2010 në Zvicër jetonin gjithsej 8700 shtetas rumunë dhe bullgarë.

Shtetasit e këtyre dy vendeve, duke filluar nga viti 2009 gëzojnë një të drejtë të kufizuar pune në tregun zviceran të punës. Ata duhet t`i nënshtrohen regjimit të ashtuquajtur të “kontingjenteve” vjetore.