Shqipëria

Ruçi shpreson që ligji për gjuhën shqipe të miratohet sa më shpejt

"Shpreh besimin tim se nisma për ligjin e gjuhëve, konkretisht gjuhës shqipe ta shohim sa më shpejt të miratuar nga institucionet e Maqedonisë dhe me tej implementimin de fakto te tij”, ka thënë Ruçi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi pas takimit që ka pasur me homologun e tij të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka thënë se shpreson që ligji për gjuhën shqipe të miratohet sa më parë në Kuvendin e Maqedonisë, transmeton albinfo.ch.

“Shpreha kënaqësinë për rolin konstruktiv dhe aktiv të aktorëve shqiptarë në këtë proces si dhe besnikërinë e popullit shqiptar në Maqedoni brenda interesave të vendit të tyre dhe për të mirën e tyre. Shpreh besimin tim se nisma për ligjin e gjuhëve, konkretisht gjuhës shqipe ta shohim sa më shpejt të miratuar nga institucionet e Maqedonisë dhe me tej implementimin de fakto te tij”, ka thënë Ruçi.

Ndërsa Xhaferi ka treguar se janë pajtuar që rikthimi i pikës doganore të Qafë Thanës të jetë pikë e përbashkët doganore dhe kufitare me qëllim që tu vijë në ndihmë qytetarëve të të dyja vendeve. I pyetur se nisma ligjore për gjuhën në Maqedoni, çfarë  statusi do t’i japë gjuhës shqipe, Xhaferi ka thënë se

“Mbi përcaktimet  kushtetuese, në formën  që pretendoni barazinë apo perceptoni barazinë mes gjuhëve, nuk është ajo. Për faktin që  përkufizimi kushtetues i gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë është i sanksionuar në amendamentin 5 të nenit 7 të Kushtetutës, si burim i Marrëveshjes së Ohrit, i cili e zyrtarizon  në nivelin më të lartë të mundshëm gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë  për përdorim të brendshëm, në territorin e Republikës së Maqedonisë”.