Lajme
Rrugëtimi nëpër dekada i shoqatës „Dardania“ në Knittelfeld/Steiermark
Enver Tershani: “Motivi kryesor i punës së kësaj shoqate është se ne, nuk dëshirojmë të jemi gjenerata e fundit që e quajmë vetën shqiptarë në Austri, kjo varet nga unë dhe nga Ti, nga askush tjetër”
Një ndër shoqatat e rralla që për një kohë të gjatë është aktive në Austri, është edhe shoqata „Dardania“ në Knittelfeld nga Republika e Steiermark-ut, e cila njihet për aktivitetet e shumta për më shumë se tri dekada. Për të mësuar më shumë rreth saj vizituam shoqatën dhe biseduam me anëtarin e saj, z.Enver Tershanin
Albinfo.at: Zotëri Tershani, a mund të na thoni se kur është formuar shoqata „Dardania“ ?
Z. Tershani: Shoqata është formuar më 01 shtator 1991, në Großloming, fillimisht në banesën e Fazli Morinës. Aty u zgjodh edhe kryesia e parë me kryetar Asllan Sopa, nënkryetar Murat Haxhani (i ndjerë), sekretar Fazli Morina, zëvendëssekretar Shaip Bytyqi, arkëtar Brahim Perteshi dhe zëvendësarkëtar Skënder Elmazi. Në mbledhjen e këtyre aktivistëve, shoqata u pagëzua me emrin „Fitore“.
Albinfo.at: Në këtë kohë nuk kishte shumë shoqata në Steiermark, cili ishte roli i tyre ?
Z. Tershani: Është e vërtetë, madje nuk kam njohuri se kishte tjetër përveç në Graz. Por, entuziazmi për të vepruar në mënyrë të organizuar dhe me efikasitet, i bashkoi këta bashkatdhetarë dhe ata vunë themelet e një organizimi të ri në Knittelfeld dhe rrethinë. Në këtë kohë ishin edhe luftërat në ish – Jugosllavi, kurse pozita e shqiptarëve në Kosovë ishte vështirësuar si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik. Megjithatë, meqenëse situata në Kosovë ishte e paqëndrueshme, ne ishim të orientuar më shumë në ndihma humanitare.
Albinfo.at: Dhe, kur filluat që shoqata të veprojë nën emrin „Dardania“?
Z. Tershani: Me kërkesën e anëtarëve dhe duke menduar se ky emër është më gjithëpërfshirës dhe më karakteristik, në vitin 2006 vendosëm që shoqata të emërtohet „Dardania“.
Albinfo.at: Si u profilizua shoqata në atë kohë, a kishit ndonjë program?
Z. Tershani: Natyrisht, në vitin 2006 ishim shumë më mirë të organizuar. Krijuam një program shumë ambicioz në bazë të të cilit veprojmë edhe sot. Momentalisht shoqata numëron rreth 70 anëtarë aktiv dhe rreth 150 anëtarë në aktivitete të ndryshme sipas nevojës.
Albinfo.at: Për çfarë programi bëhet fjalë?
Z. Tershani: U krijuan seksionet në kuadër të shoqatës, për të operacionalizuar veprimet. Kështu, ne krijuam: Seksionin e ndihmave; Seksionin për gjuhë kulturë dhe art, dhe Seksionin e sportit.
Albinfo.at: Na tregoni më shumë detaje për punën e çdo seksioni?
Z. Tershani: Seksioni i ndihmave – merrej ekskluzivisht me ndihma humanitare private dhe ato zyrtare, duke filluar që nga kontributi në fondet e hapura në atë kohë, siç ishte „Fondi i 3 %“ dhe ai i „Vendlindja Thërret“. Vlen të ceket se në fondin ,,Vendlindja Thërret” gjatë gjashtëmujorit të parë janë paguar 1.5 milion shilinga (monedhë austriake) nga 75 anëtarë të rregullt që kemi pasur, pastaj aksioni ,,Një pako, një person”, ku pakot janë transportuar nga shoqata jonë për në Shqipëri, dërgimi i medikamenteve mjekësore sipas listës së dërguar nga UÇK-ja me një vëllim prej 1.5 tonëve. Për dy vite me radhë, gjatë viteve 1992/93 janë ndihmuar dy familje nga Malisheva me nga 300 DM duke vazhduar me ndihma edhe për UÇPMB-në si dhe për UÇK-në në Maqedoni. Përveç aksioneve të shumta, në ndihmë personave privat, vlen të theksohet edhe përfshirja e shoqatës sonë duke i dalë në ndihmë shoqatës ,,Nënë Tereza” në Graz, në vendosjen e shtatores së Nënë Terezës në Graz, pastaj ngritja e shtatores së heroit Mehë Uka, në Mitrovicë etj.
Seksioni për gjuhë, kulturë dhe art – Pas një peticioni të dërguar nga shoqata në organet austriake, shoqata ka organizuar mësimin plotësues të gjuhës shqipe në rajonin tonë, kemi formuar grupin e valleve dhe këngëve për 24 vjet me radhë i cili vazhdon edhe sot, organizimin e festave kombëtare, orët letrare, promovimin e librave me autorë nga Kosova, në Knittelfeld si: Nuhi Bytyqi, Nusret Pllana, Berat Lluzha dhe veprat e Adem Demaçit etj. Përveç programeve vetanake nga shoqata, kemi sjellë edhe grupe të tjera artistike, si në vitin 1995, Ansamblin e Valleve dhe Këngëve „Skënderbeu“ nga Kruja, që kishte dhënë koncerte edhe në disa qytete tjera austriake, pastaj më 11 qershor 2010 Ansamblin e Valleve ,,Shota” nga Prishtina, më 12 qershor 2009 Ansamblin ,,Danz-Mimoza”, më 16 qershor 2011 Ansamblin ,,Reci-Dibër”etj. Shoqata organizon edhe ,,Ditët e Kulturës Shqiptare “ në Knittelfeld, ku paraqitet kuzhina shqiptare dhe program i pasur kulturor-artistik nga shoqata.
Seksioni i sportit – është i pari që ka filluar aktivitetin e vet që nga fillimi e deri sot. Mjafton të shikohen trofetë e fituara në turnirët e ndryshme në Austri dhe të kuptosh se për çka bëhet fjalë. Sa i përket sportit te ne, është aktiv grupi i shahut, futbollit e volejbollit, me ç’ rast duhet të themi se krenohemi me këtë seksion.
Albinfo.at: Si është bashkëpunimi i shoqatës suaj me organet komunale, por edhe me shoqatat e tjera ?
Z. Tershani: Shumicën e aktiviteteve kulturore-sportive i organizojmë në bashkëpunim me organet komunale këtu ku jetojmë, për çka u jemi mirënjohës, ndërsa sa po ashtu, jemi bashkëpunues me shumë shoqata në Austri.
Albinfo.at: Sa ka ndikuar koha e pandemisë në shoqatën tuaj ?
Z. Tershani: Për fat të keq, ka ndikuar shumë në humbjen e hapit me punë, sidomos me gjeneratat e reja, me të cilat kemi punuar rregullisht. Kohën e humbur, tani po mundohemi ta kompensojmë me riorganizimin e grupeve të të rinjve në grupin e valleve dhe instrumenteve muzikore, në fushën e shahut dhe futbollit. Sa u përket aksioneve humanitare, ato mbeten arma e jonë e fortë, për të cilën jemi aktiv në çdo kohë.
Albinfo.at: Ju keni edhe lokalin e shoqatës suaj, ku vërejtëm edhe një kënd të bukur me gjësende kombëtare. Tani pas pandemisë, a janë ngjallur takimet e mërgimtarëve tonë ?
Z. Tershani: Për fat, ne kemi lokalin tonë ku takohemi dhe zhvillojmë aktivitetet tona kulturore dhe relaksues, e duke mbetur si vendtakim për të planifikuar dhe organizuar projektet dhe organizimet e shoqatës. Edhe këndi me gjësende kombëtare është një pasqyrë e kulturës sonë, për të gjithë ata që e frekuentojnë, e sidomos për gjeneratat e reja.
Albinfo.at: Cili organizim ju ka lënë më së shumti mbresa?
Z. Tershani: Ka qenë organizimi i 28 – vjetorit të shoqatës sonë, ku mysafir ishte gazetari dhe atdhetari i njohur, Marin Mema nga Shqipëria, autori i emisionit ,,Rrënjët shqiptare”. Paraqitja e tij me një fjalim tejet domethënës, na emocionoi, jo vetëm mua, por edhe publikun në sallë, ku ishin rreth 500 mysafirë nga e tërë Austria.
Albinfo.at: Cili është motivi për punë në të ardhmen?
Z. Tershani: Motivi kryesor i punës së kësaj shoqate është se ne, nuk dëshirojmë të jemi gjenerata e fundit që e quajmë vetën shqiptarë në Austri, kjo varet nga unë dhe nga Ti, nga askush tjetër. Në këtë çështje, nuk ka mësues, nuk ka lider, nuk ka nxënës, nuk ka udhëheqës, nuk ka hoxhë dhe as prift, sepse në këtë rrugëtim Ti je gjithçka për të ruajtur të qenit shqiptar.
Box
Falënderimi për kontribuesit
Më lejoni të falënderoj të gjithë kryetarët e deritashëm me ekipet e tyre që nga: Asllan Sopa, Qerim Osmani, Tahir Kabashi, Hysni Elshani, Rifat Krasniqi, Enver Tershani dhe Fatmir Osmanin, i cili njëherësh ishte edhe kryetar i Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Steiermark dhe ambasador i Kombit i shpallur në samitin e diasporës në Shqipëri për punën e palodhshme për të ardhur deri këtu si shoqatë kredibile dhe e respektuar jo vetëm në Steiermark, por edhe në gjithë Austrinë.
E-Diaspora
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë Suksesi më i madh i Lëvizjes që drejton Florian Haçkaj ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese të...
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
-
Abdixhiku aludon se nga mbi 100 mijë të regjistruar për votim nga diaspora, 40 mijë janë mbështetës të LDK-së
-
Krishtlindjet mes luksit, atdhedashurisë dhe humanizmit të familjes së Anton Nikollës
Jeta në Zvicër
-
Posta në Zvicër: Rekord i dërgimit të pakove për Krishtlindje Dita e pikut ishte 3 dhjetori. Atë ditë, punonjësit e postës përpunuan afro 1.3 milionë pako...
-
Gjykata Federale merr vendim për pensionin e burrave të ve
-
Çfarë faturash duhet të paguani përpara datës 31 dhjetor, në Zvicër?
-
Zvicra ka indeksin më të ulët të mjerimit në botë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit