Feja
Rrugëtimi i Pashkëve në Atdhe*
Është festa e Pashkëve, festë e paqes dhe e dashurisë. Nëpër gjithë botën bëhen vizita në emër të besimit të ringjalljes. Sidomos diaspora me gëzim e pret këtë festë, pa marrë parasysh bindjet fetare. Mban kohë e mirë dhe nisemi me mall për të vizituar Kosovën, Ulqinin, Shqipërinë. Është e enjte dhe nisemi posa të përfundojmë punën. Në Austri vërehet qartë kolona, e sytë na mbyllen, s’e kemi të lehtë ne mërgimtarët. Jemi nisur me dy vetura, familjare. Po udhëtojmë dhe kërkohet kujdes më i madh. Andaj, vendosim të ndalemi në një motel. Nëpër korridor vjen erë e mykët, por brenda ka pastërti. Paguajmë njëqind euro për një dhomë, me mëngjes, ndërsa vezët i paguajmë, edhe pse jemi në Pashkë. Vazhdojmë rrugën, tani mendojmë të mos ndalemi më.
Në kufirin e Kroacisë polici e ndalon një orë veturën e motrës sime. Më vonë e kuptojmë se shkaku paska qenë mungesa e shenjës CH në veturë. Shefi nuk është aty, ai duhet të vendosë për dënimin. Unë dua të afrohem të pyes motrën time përse kjo ndalesë, por polici nuk më lejon. Pasi paguhet dënimi pesëmbëdhjetë euro, ne takohemi dhe e kuptojmë shkakun e pritjes dhe dënimit. Ne kemi shenja të tilla rezervë, ia vendosim një veturës, por koha nuk kthehet, të lodhur vazhdojmë. Menjëherë në kufirin tjetër më bie mua nga ana e majtë letrat e identitetit t’i dorëzojë, e jo bashkëshortit tim që është në vozitje. Më drejtohet polici mua: Zonjë, i thuaj zotërisë tënd edhe për mua të mendojë. .. Çfarë… e pyes unë, s’të kuptoj. .. “Stavi neki papir u knjizhicu, Besime”, thotë polici, duke e shikuar bashkëshortin tim. Unë i them bashkëshortit se në librezë kërkon të vendosen para… “Kjo është gjuhë mafioze”, më thotë bashkëshorti im dhe i vendos 20 euro në librezën e makinës. Polici i merr si djalli, fare nuk falënderohet, bile me cinizëm shto: “Mallo kasno”… pra, pak si vonë. Unë e pyes veten, kjo luftë e fëlliqur a thua kur përfundon, apo ndoshta duhet të bëjmë kurse për gjuhën e mafisë që po vazhdon.
Te kufiri i Shkodrës të rritej zemra tek valonte flamuri kuq e zi, por pak përtej një kanal i mbushur me mbeturina më bën të mendoj: “Po ajo shkolla afër kanalit, sa nxënës i ka, po a s’do të mundnin të pastronin si vullnetare këtë kanal ata”. Munden, si jo, por duhet organizim për atdhetari. Atdheu nuk duhet vetëm me vjersha e me krenari, nuk thuhet kot: “Mos pyet çfarë bën Atdheu për ty, por çfarë bën ti për Atdheun”. Kjo do të ishte maksima më e bukur për të gjithë ne. Javën e kaluar nxënësit e shkollës ku punoj në Zvicër e pastruan një kanal me një organizim të shkollës, vullnetarisht. Rrugës motra ime zgjat dorën nga vetura dhe i jep njëzet euro një njeriu që po kërkonte diçka në mbeturina. Ne jemi pas tyre me veturë dhe e shohim këtë njeri të varfër tek drejton sytë nga qielli e falënderohet. “Rroftë dashuria”, i them vetes, ajo është forca që duke u shpërndarë, na mbron. Vazhdojmë rrugën e nuk më hiqen sytë e tij tek falënderohej kah qielli. Tërë rrugës na përcjell blerimi i paparë i tokave tona. Na bien në sy e zakonisht mbi ura buqeta lulesh…që zakonisht janë lënë për respektin ndaj atyre që humbin jetën në komunikacion. Jemi një popull që e nderojmë edhe të vdekurin, kjo është njëra ndër vlerat më të shenjta kulturore të shoqërisë sonë. Por, këto lule bartin edhe mesazhin tonë: “Kujdes në komunikacion…” Bekuar qofshin udhëtimet tona, gjithmonë!
Në Kosovë rrugët janë të rënduara nga prezenca e madhe e veturave të huaja. Vlon jeta me ardhjen e diasporës. Koha është e mirë, malet e Sharrit duken si nuse me borë, marr frymë thellë e më kujtohen fjalët që m’i tha miku im, Noa Nikolla, para se të nisesha nga Zvicra: “Rruga e mbarë, e mbushu frymë shumë, shumë në Kosovë, dhe na sill kur të kthehesh pak frymë nga atdheu ynë”. Sa mall e dhembje bartin këto fjalë, këtë e kuptojnë vetëm ata që janë mërgimtarë.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion shprehin mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur Nga e enjtja e tutje me gjasë do të ketë shumë borë në pjesë të mëdha...
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?