Literaturë

Rrugëtimi i Alfabetit shqiptar të Manastirit u kujtua në Lozanë

Emira Selimi, themeluese e Bibliotekës “Linkest” në Manastir, ndau historinë e saj për ruajtjen e gjuhës shqipe në një qytet që ka përjetuar përpjekje të shumta për asimilim

Në një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese, Universiteti i Lozanës (UNIL) mirëpriti një ngjarje të veçantë në kuadër të Javës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Ky takim kishte si qëllim nderimin e rolit historik të Manastirit në bashkimin kombëtar shqiptar dhe promovimin e gjuhës shqipe si një shtyllë e identitetit tonë kombëtar.

Dr. David Hosaflook, drejtori i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante, ofroi një ligjëratë të pasur mbi temën “Pse Manastiri?”. Ai analizoi faktorët gjeografikë, politikë dhe kulturorë që bënë këtë qytet epiqendrën e Kongresit të Alfabetit më 1908. Një theks i veçantë iu dha kontributit të Gjergj Qiriazit dhe familjes së tij, të cilët jo vetëm që organizuan kongresin, por edhe promovuan për dekada idenë e një Kuvendi kombëtar.

Me fjalët e fuqishme të Gjergj Qiriazit, Dr. Hosaflook kujtoi rëndësinë e dashurisë dhe bashkimit mes shqiptarëve, një mesazh që mbetet po aq aktual sot sa 125 vjet më parë. “Dashuri dhe bashkim,” citoi ai, “janë çelësi për mbrothësinë e një kombi”.

Në vijim, znj. Emira Selimi, themeluese e Bibliotekës “Linkest” në Manastir, ndau historinë e saj mbresëlënëse për ruajtjen e gjuhës shqipe në një qytet që ka përjetuar përpjekje të shumta për asimilim. Me mbështetje nga shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe diasporës, ajo ka arritur të krijojë një hapësirë unike ku fëmijët shqiptarë lexojnë, mësojnë dhe ndërgjegjësohen për identitetin e tyre.

“Fëmijët shqiptarë në Manastir tani ndihen krenarë për origjinën e tyre,” theksoi znj. Selimi, ndërsa ndau edhe piktura të krijuara nga duart e tyre të vogla. Por sfidat mbeten të mëdha: kërcënimet e vazhdueshme dhe mungesa e mbështetjes nga institucionet lokale janë vetëm disa prej tyre. Ajo apeloi për përkrahje më të gjerë, jo vetëm në muajin nëntor, kur shqiptarët vizitojnë Manastirin për pelegrinazhe patriotike, por gjatë gjithë vitit.

Në fund të aktivitetit, u zhvillua një debat aktiv me pjesëmarrësit, të cilët propozuan mënyra konkrete për të mbështetur bibliotekën dhe për të ndaluar procesin e asimilimit të shqiptarëve në Manastir. Znj. Selimi e mbylli fjalën e saj me një apel prekës: “Patriotizmi nuk është vetëm një postim në rrjetet sociale. Ai duhet të shfaqet me vepra gjatë gjithë vitit”.

Takimi përfundoi me një shprehje falënderimi nga Fane Shala, nënkryetare e Shoqatës AEAUL, e cila vlerësoi kontributet e të ftuarve dhe përkushtimin e diasporës. Ajo theksoi rëndësinë e mbështetjes për Manastirin, një qytet me peshë historike të jashtëzakonshme për shqiptarët.

Ky seminar frymëzues na rikujtoi detyrën tonë për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqipe, jo vetëm si një kujtim i së kaluarës, por si një angazhim i përditshëm. Shoqata AEAUL bën thirrje për të përkrahur misionin e znj. Selimi dhe për të ndihmuar në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.

Dr. David Hosaflook  citoi këtë thënie goditëse nga Gjergj Qiriazi:

Nga gjithë këto, kupëtohet se ne shqipëtarët zumë të punojmë për atdhenë tonë. Edhe mundimë të thomi, se ne kemi ca virtute të mira, nga të cilat kombet e tjerë mungojnë, po lypset ta thomi faqeza me hidhërim, se neve s’kemi dashurinë. Dashuria është një nga më të mëdhatë virtuta për mbrothësi, sikundër të një kombi, kështu edhe të një shtëpije, e të një shteti. Shikojmë sot se ndëpër kllubet e shqipëtarëvet dashuria s’ka vënt, shikojmë se gazetat tona njëra me tjatrën zunë të grykosen për punëra fare të vogëla; edhe ndë vafshim kështu atëherë ta dimë fort mirë se çdo përpjekje për mbrothësi, na vete humburë, edhe asndonjëherë s’kemi për të harrirë qëllimin për mbrothësin e atdheut, për të cilinë duhet të punojmë! Vëllezër shqipëtarë, me përhunjësi të madhe u lutemi, dy fjalë t’u themi: Dashuri dhe prap dashuri, dashuri e bashkim të keni, se armiqët zunë të gëzonen, qëkurse po na shohin që kemi zënë grindjat, edhe të shajmë njëri-tjatrin.” (“Zgjim i Shqipërisë”, Janinë, nr. 15, 20 korrik 1909.)

Në përmbyllje të seminarit u theksua se Manastiri, si qytet kyç në historinë e alfabetit dhe identitetit kombëtar shqiptar, kërkon mbështetje të vazhdueshme për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare. Përmes angazhimit të individëve si Emira Selimi dhe kontributit të dijetarëve si Dr. David Hosaflook, u bë e qartë se veprimet e vogla, por të qëndrueshme, mund të bëjnë një ndryshim të madh. Takimi shërbeu si një thirrje për bashkim dhe veprim, duke na kujtuar se patriotizmi dhe dashuria për atdheun duhet të shfaqen çdo ditë, jo vetëm në momente të veçanta. Të gjithë së bashku mund të kontribuojmë në ndalimin e asimilimit dhe të ruajmë gjuhën dhe kulturën tonë të shtrenjtë.