Opinione

Rrugës së BE-së: Anëtarësimi në BE është vërtet objektiv strategjik i Shqipërisë?

Në qershor të 2019-ës pritet që Këshilli Evropian të japë dritën jeshile për Shqipërinë për të filluar negociatat. Në raportin e fundit që Komisioni Evropian publikoi mbi Shqipërinë, shkruhej që Shqipëria ka bërë progres në pesë prioritete, por akoma korrupsioni dhe jostabiliteti politik qëndron. 

Kthehemi pak mbrapa

Shqipëria aplikoi për BE më 2009 dhe u bë vend kandidat më 2014. Në raportin e vitit 2013 shkruhej që Shqipëria duhet të ndërhynte në 5 reforma kyçe, si drejtësia, administrata publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut. Në raportin e fundit të vitit 2018, të Komisionit Evropian, shkruan që Shqipëria ka pasur avancim të reformave, por ende ka shumë për të bërë.

Reformat

Në mbledhjet e fundit të Komisionit të Stabilimit dhe Asocimit më 15 tetor 2018, Bashkimi Evropian bëri thirrje të ndalohej përplasja politike midis pozitës dhe opozitës, dhe të nisen sa më parë reforma zgjedhore dhe për drejtësinë. Korrupsioni dhe krimi i oganizuar mbeten pengesat kryesore për të hyrë në BE. Ka pasur avancim mbi reformën në drejtësi, në vetingun mbi gjyqtarët dhe prokurorët. Për momentin Shqipëria ka të hapur kapitullin e 23-të dhe 24-t, që u përkasin të drejtave të njeriut dhe drejtësisë, por ka akoma shumë punë për t’u bërë. Kapitujt janë gjisej 35, prekin sektorë të ndryshëm, si energjia, transporti, ambienti e deri te të drejtat e njeriut. Çdo kapitull që përmbush kriteret e BE-së mbyllet, deri sa të mbyllen të gjithë dhe vendi është gati të anëtarësohet në BE.

Çfarë do të ndodhë në qershor 2019?

Datë e cila Këshilli Evropian duhet të marrë një vendim për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këshilli do të mblidhet në Bruksel më 20 dhe 21 qershor të vitit 2019. Vendimi për negociatat do të merret nga Këshilli i BE-së, ekzaktësisht nga ministrat dhe ambasadorët e vendeve të BE-së në një konferencë që quhet ndërqeveritare. Pjesëtarët e Këshillit duhet të votojnë në unanimitet pro hapjes së negociatave.

Kush votoi kundër Shqipërisë?

Franca, Danimarka dhe Holanda kanë votuar kundër në mbledhjen e Këshillit të qershorit të vitit 2018. Këto vende janë kundër edhe për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria, si ashtu dhe krimit të organizuar. Mosvotimi për hapjen e negociatave shpjegohet edhe nga fenomeni i rritjes së konsensusit të partive ekstremiste, si për shembull, partia e Le Pen në Francë, e cila është dhe ka qenë kundër zgjerimit. Pra, nuk ka hapje të negociateve nëse edhe një nga këto vende voton kundër Shqipërisë. Duhet përmendur edhe se shtetet anëtare duan të shohin progres, progresin europian, stabilitet dhe siguri në kontinent.

Pse duhet të jetë Shqipëria pjesë e familjes evropiane?

Ka shumë arsye pse duhet të jemi pjesë e BE-së. Një Europë e cila siguron paqen nga 70 vjet, një Europë e cila përballon sfidat e globalizimit, një Europë që mbron konsumatorët, ambientin dhe ushqimin. Një Europë që bën të mundur qarkullimin dhe punësimin e lirshëm, promovon studimin, kërkimin shkencor dhe kulturën. Nxitë rritjen ekonomike, punësimin dhe mirëqenien e shumë të tjera. Të gjithë këto janë të mundura nëse ne bëjmë pjesë në Bashkim Evropian. Kriteret e anëtarësimit përcaktojnë stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si edhe ekzistencën e një ekonomie tregu funksionale.

Çfarë ndodh me Shqipërinë nëse do të hapen negociatat?

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian vendosin të hapin negociatat me vendin kandidat, pra Shqipërinë, duke shqyrtuar miratimin dhe zbatimin e ligjit (acquisis) të BE-së. Acquisis është i ndarë në kapituj (35 kapituj), secili nga këta mbulon një fushë të caktuar. Negociatat për hapjen e secilit kapitull bazohen në elemente si shqyrtimi ku Komisioni Evropian kryen një ekzaminim të detajuar, së bashku me vendin kandidat, për çdo fushë (kapitull), për të përcaktuar se në çfarë pike është vendi. Përgatitet një raport shqyrtimi i cili paraqitet nga Komisioni në Shtetet Anëtare që vendosin për hapjen e kapitujve. Përpara se të fillojnë negociatat, vendi kandidat duhet të paraqesë qëndrimin e tij dhe bashkë me BE-në miratojë një qëndrim të përbashkët. Për shumicën e kapitujve, BE-ja do të vendosë standarde përfundimtare në këtë pozicion, të cilat duhet të përmbushen nga vendi kandidat.

Si është gjendja në rajon?

Vendet të cilat kanë hapur negociatat me BE-në janë Turqia, Serbia dhe Mali i Zi, kurse Kosova dhe Bosnnjë e Hercegovina janë vende kandidate të mundshme. Serbia ka të hapur 12 kapituj mbi të drejtën e kompanive, pronën intelektuale, prokurimin publik, politikat industriale, financën, të drejtat e njeriut, lirinë dhe sigurinë, siç ka ashtu edhe arsimin, kulturën, marrëdhëniet me jashtë dhe me Kosovën. Mali i Zi ka të hapur 27 kapituj, 3 të mbyllur, 2 janë në punim e sipër, 1 në vlerësim dhe 2 të tjerë që nuk mund të jenë të aplikuar mbi shtetin. Turqia e cila ka të hapur 16 kapituj ku vetëm njëri prej tyre është i mbyllur që i përket arsimit dhe kërkimit shkencor. Maqedonia e Veriut mori rekomandim për hapjen e negociatave nga Komisioni Evropjan në tetor të vitit 2009.

Pas 6 herë rekomandim nga Komisioni Evropian, do të jetë qershori muaji i shënuar për hapjen e negociatave?!

Mali i Zi dhe Serbia që kanë avancuar me reformat. Pritet që ata të bëhenn pjesë e BE-së më 2025. Turqia po largohet sa më shumë prej standarteve të BE-së përsa i përket drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. Asistenca Financiare nga BE-ja, Instrumenti i Ndihmës së Para-Aderimit (IPA) është mjeti me të cilin BE-ja mbështet reformat për vendet e zgjerimit duke dhënë ndihmë financiare dhe teknike. Fondet IPA ndërtojnë kapacitetet për procesin e pranimit në BE. Për periudhën 2007-2013, IPA kishte një buxhet prej rreth 11.5 miliardë euro; pasardhësi i tij, IPA II, ka buxhet prej 11.7 miliardë euro për periudhën 2014-2020. Buxheti i Shqipërisë për vitet 2014-2020 është prej 649,4 milion euro. Reformat të cilat ajo financion janë: demokracia dhe qeverisja, drejtësia, ambienti, transporti, inovacioni, arsimimi, agrikultura dhe zhvillimi rural. Me avancimin e reformave, asistenca financiare IPA rritet, merr formën e projekteve dhe ndihmon vendin të reformojnë dhe të përshtasin institucionet dhe legjislacionin e tyre me BE-në.

Zgjedhjet për Parlamentin Evropian

Për herë të parë në histori ishin 5 kandidatë me origjinë shqiptare që kandidonin për Parlamentin Evropian. Ata ishin Geri Ballo nga Italia, Eda Gemi nga Greqia, Amet Gjanaj nga Belgjika, Arba Kokalari dhe Adnan Dibrani nga Suedia. Zgjedhjet të cilat u mbajtën më 26 maj të 2019 panë fituese Alba Kokalarin. Ka për t’u parë akoma nëse Kokalari do të jetë pjesë e Delegacionit Parlamentar BE – Shqipëri ose edhe të Komisionit të Punëve të Jashtme AFET. Kontributi i saj është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.

Konkluzion

Kohëzgjatja e negociatave mund të ndryshojë nga vendi në vend, i cili varet nga reforma dhe harmonizimi me ligjet e BE-së në secilin vend. Kroacia hapi negociatat me BE-në në vitin 2005 dhe mbylli 35 kapitujt në 2011. Ajo, në 2013, u bë vend i Bashkimit Evropian. Znj.Mogherini, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Sigurisë bashkë me komisionerin Hann kanë sqaruar shumë herë që hapja e negociatave është proces i merituar dhe bazohet mbi progresin në reforma.

Nga Ela Daci – Eksperte për fondet e BE-së dhe të NATO-s